Aleanca Kuqezi nis fushatën “Një flamur në çdo dritare”

Tubimi. Nis nga Fieri, projekti për 100-vjetorin e pavarësisë

Aleanca Kuqezi zhvilloi dje një tubim në qendër të qytetit të Fierit nga ku ka nisur fushatën kombëtare “Një flamur për çdo dritare”. Kjo ndërmerret me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë. Me qindra aktivistë, mbështetës dhe qytetarë të Fierit u bashkuan më nismën e Aleancës Kuqezi, e cila ka si synim kryesor të saj lartësimin e vlerave dhe simboleve kombëtare në 100-vjetorin e pavarësisë. Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Kuqezi, Myslim Pashaj, ka mbajtur një kumtesë me rastin e nisjes së fushatës së Aleancës Kuqezi ku i ka bërë apel mbarë shqiptarëve që me 28 nëntor të bashkohen të gjithë në kufirin Shqipëri-Shqipëri për të festuar mes shqiptarëve. “Fushata jonë është në kuadër të 100-vjetorit të pavarësisë dhe do të shtrihet në të gjithë qytetet shqiptare për finalizuar mbi valëvitjen e dhjetë milionë flamujve shqiptarë deri më 28 Nëntor. Më 28 Nëntor të gjithë duhet të bashkohemi në kufirin Shqipëri-Shqipëri në Morinë për të kremtuar 100 vitet e pavarësisë mes shqiptarëve dhe me shqiptarët”, tha Pashaj. Ai bëri të ditur se fushata e Aleancës Kuqezi “Një flamur për çdo dritare” ka nisur me qytetin e Fierit dhe do të shtrihet në çdo qytet. Mbështetja e qytetarëve në këtë nisëm patriotike ka qenë maksimale në qytetin e parë ku u prezantua. Disa ditë më parë, AK-ja zhvilloi një takim me 12 drejtues të partive politike në Shqipëri në Tiranë. Kryetari i Aleancës Kuqezi, Kreshnik Spahiu, i shoqëruar nga sekretari i Përgjithshëm i AK, Myslim Pashaj, biseduan për disa orë me krerët e 12 partive të vogla të cilat kanë rënë dakord në këndvështrimin e unifikimit dhe bashkimit me Aleancën Kuqezi si e vetmja mundësi për të larguar nga pushteti i grabitur partinë-shtet. Të 12 partitë e pranishme në takimin me kryetarin e AK-së, Kreshnik Spahiu, kanë të kristalizuar në programin dhe ideologjinë e tyre kauzën kombëtare. Për Aleancën Kuqezi janë pikërisht lëvizjet patriotike që do të fitojnë në zgjedhjet e vitit 2013. Në tryezë u diskutua edhe mënyra e festimit të 100-vjetorit të pavarësisë, ku 12 partitë shprehën mbështetje për projektin e kuqezinjve për një bashkim në kufirin Shqipëri-Shqipëri. Krerët e partive njoftuan një pjesëmarrje masive më 28 nëntor në Morinë ku dhe do të prezantohen themelet e koalicionit kuqezi.

Autor te 1 Tetor 2012. Politikë. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry