Raporti i vështirë me të atin, adoleshenca e pajetuar, problemet me drogën dhe urrejtja për sportin. Ish-tenisti tregon anën e errët të një kampioni në autobiografinë e tij bestseller
“Ju tregoj jetën e një kampioni të brishtë”
Ai gjithmonë është konsideruar si një ekzemplar me raketë në dorë. Bënte make-up, lyente gishtat dhe vishej gjithmonë në mënyrë ekstravagante. Tani me “Open” është shndërruar në ngjarjen letrare të vitit: me 130 mijë kopje të shitura vetëm në Itali. Shumë e kanë cilësuar si një “long seller” meqenëse në SHBA autobiografia e tij ka dalë tre vjet më parë. Dikur, kur luante tenis, nuk të linte kohë as të shërbeje, sepse të përgjigjej menjëherë me një agresivitet të paparë, ndërsa tani të bën për vete ngadalë me 493 faqet e librit të tij. Duket se nuk e ka më me nxitim, por brenda një viti arriti të kapte sërish majat si dikur kur ishte i pari. Ishte djaloshi i Las Vegasit: i çrregullt, i çmendur, i jashtëzakonshëm. Gjithmonë i shpejtë, gjithmonë i pagabueshëm. Me balluke rozë dhe vath në vesh. “Vishesh si homoseksual”, i pati thënë dikur i ati, një ish-boksier që kishte emigruar nga Irani. Të gjithë ata që e kujtojnë e dinë mirë se Andre Aggasi ka qenë një kampion në fushë, madje në të gjitha llojet e fushave (tokë, bar, çimento). 21 vjet karrierë, 1000 ndeshje të luajtura, i vetmi amerikan dhe një prej shtatë lojtarëve në botë që kanë fituar katër tituj “Grand Slam”. Tani, në moshën 42-vjeçare, është një “Hamlet” pa flokë që u ka mbijetuar dyshimeve, shqetësimeve dhe mbretërisë së tij. Nuk vrau veten, por përmes fjalëve gjeti rrugën për të vazhduar përpara. Aty tregon gjithçka me detaje: që nga raporti i vështirë me të atin që ishte i rreptë, i ashpër dhe i egër me të birin e që me çdo kusht e donte kampion e deri te fitoret e panumërta në karrierë. “Nuk isha një adoleshent normal kur nisa të merresha me tenis. Kisha shumë presion dhe për këtë duhet të fajësoj gjithmonë tim atë”, shkruan ai. Pikërisht kjo mënyrë jetese bëri që për një kohë të gjatë të jetonte me dyshime, me pasiguri dhe me dobësi. Kampion nga jashtë, dhe një shpirt i vetmuar, i ndier bosh nga brenda. Për më tepër edhe droga e marrë atëherë kur asgjë nuk funksiononte. Martesa me Brooke Shields në vitin 1997, pastaj kriza dhe ndarja. “Më kujtohet se si më tha: Ti nuk ke ndryshuar dhe nuk do të ndryshosh kurrë”. Pastaj rënia nga numri një i botës në tenis në atë të 141-in, ringjitja, takimi me Stefi Graff, martesa, dy fëmijët (Jaden dhe Jaz), lamtumira nga sporti në vitin 2006 dhe në fund një përgjigje e sinqertë: “Kam luajtur tenis për shumë vite në jetën time. Arsyet ishin të shumta, por asnjë prej tyre nuk ishte e imja”.
Andre, ndiheni i befasuar nga suksesi i librit në Europë, sidomos në Itali?
Jo, përkundrazi. Europianët gjithmonë më kanë kuptuar që atëherë kur luaja tenis. E dinin se përpiqesha shumë për të arritur majat. Edhe kur gaboja “kishin” një lloj mëshire për mua. Nuk isha i qetë, por asnjëherë nuk ma vunë në dukje këtë. Të jepja përshtypjen e një njeriu arrogant, por isha thjesht i mbushur me frikë dhe ankth. Ka njerëz që kur zbresin në fushë, rilindin, bëhen si “luanë”, ndihen mirë, unë përkundrazi isha shumë keq. Mjaftonte diçka e vogël dhe ndihesha keq, kisha dyshimet dhe pasiguritë e mia. Ka qenë shumë e shëmtuar të jetojë kështu. Autobiografia ime i tregon të gjitha. Për ta shkruar jo më kot zgjodha J.R. Moehriengier, një fitues të çmimit “Pulitzer”. Libri i tij, “Klubi i të pashpresëve”, më kishte pëlqyer për vdekje. Na u deshën tre vjet për ta shkruar dhe tetë versione për të dalë tek ai përfundimtari. Nuk ishte një shaka, kisha më shumë për të humbur se sa për të fituar.
Shumë thonë se ju shkruani për të mos paguar psikanalizën…
E kam bërë edhe atë kur duhej. Por kësaj radhe unë desha të isha shumë i hapur për gjithçka që lidhej me jetën time. Sepse që nga fillimi besoja se ndryshimi ishte i domosdoshëm. Libri bazohet në këtë shpresë: mund të kapësh fundin, por mund të kapësh sërish majat. Unë e kam thënë shpesh në libër: që ata që i kanë vuajtur gjërat i kuptojnë më mirë të bukurat e saj më pas. Për më tepër nëse unë arrita të dilja nga ajo gropë e zezë ku isha futur, të gjithë mund të arrijmë ta bëjnë këtë gjë. Dhe pse e di që është vërtet shumë e vështirë.
Në Amerikë, skandalet e tua kanë bërë shumë bujë..
Por jam i lumtur që shumë të tjerë e kanë kuptuar se problemet e mia kanë qenë vetëm të përkohshme, se libri nuk ishte vetëm për të folur për problemet e mia me drogën, por për lodhjen, për të dalë në dritë. Isha keq, kërkoja ndihmë dhe nuk dija si ta thosha. Por tani ja ku jam, i lumtur dhe me shumë dëshirë për të jetuar.
Ju keni pasur një raport shumë të vështirë me babanë që ju kërkonte me çdo kusht të ishit kampion…
Deri diku kam arritur ta kuptoj babanë tim. Ka ardhur nga Irani dhe ne fëmijëve na dhuroi ëndrrën amerikane, ndërsa ai vetë nuk kishte pasur kurrë mundësinë për të zgjedhur atë që donte. Isha 7 vjeç kur më tha se do të bëhesha kampion kur të rritesha. Për të e rëndësishme ishte forca dhe disiplina, jo ngrohtësia njerëzore dhe dashuria prindërore. Tani kur takohemi, përqafohemi me njëri-tjetrin, por më parë evitonim çdo kontakt fizik. Vetëm kur më pa se sa keq isha në Us Open në 2006-n, atëherë dhe ai nisi të urrente tenisin dhe të kuptonte se sa keq më kishte bërë që më kishte venë nën presion gjithë kohës.
Babai juaj e ka lexuar librin?
Jo. Thotë se nuk ka nevojë ta lexojë. Ai e di përmendësh dhe thotë se nuk ka nevojë për dikë që t’ia tregojë. Është i bindur që ka qenë tenisi ai që ka shkatërruar raportin tonë, jo ai vetë. Por më e keqja është se ai nuk ndihet në faj për atë që ka bërë dhe mendon se nëse do të kthehej pas në kohë, do të bënte sërish atë që ka bërë. Ndihet krenar. Kur pas tri humbjesh në finalet e “Grand Slam” fitova kundër Goran Ivanisevic në Uimbëlldon, telefonova në shtëpi dhe im atë m’u përgjigj: “Si ka mundësi që humbe në setin e katërt?”
Ju mendoni se mund të jesh i lumtur në jetë nëse fiton, nëse je kampion?
Unë për vete nuk arrita dot. Mendoja shumë, edhe përse im atë ma ndalonte këtë. Nuk doja të luaja tenis, nuk më pëlqente dhe kjo shkatërroi gjithë fëmijërinë time. Unë jam rritur me frustrime, frikë dhe ankth. Ndoshta për këta kampionët e rinj nuk ndodh kështu. Megjithatë duhet të largohesh për ta kuptuar, sepse kur je ende në lojë, e ke të vështirë të bësh dallimin. Ndoshta pas disa vitesh edhe Federer dhe ata që fitojnë e që duken të qetë do të shkruajnë librat e tyre, ku do të tregojnë një tjetër histori nga ajo që duket. Unë u bëra i famshëm shumë shpejt, por u lodha shumë për t’u “rritur” profesionalisht.
“Viktimat” martohen mes njëri-tjetrit, ndoshta për këtë arsye gruaja juaj është Steffi Graf?
Jemi shumë të ndryshëm. Ok, edhe ajo ka pasur një baba që ka dashur shumë ta kontrollojë, atë dhe jetën e saj. Por ndryshe nga unë, ajo gjithmonë ka pasur dëshirë të luajë tenisi. Kur nisa t’u thosha njerëzve se e urreja tenisin, ata më përgjigjeshin: Thua kot, se thellë-thellë në shpirt të pëlqen. Kur ia thashë këtë Stefit, m’u përgjigj: Të gjithë e urrejnë. Ajo më mësoi durimin dhe ka qenë lexuesja e parë e librit tim. Kemi një jetë shumë të qetë, sepse Stefi preferon shumë të mos jetë një person publik.
Sheh të tjerë Andre Agassi vërdallë?
Unë shoh shumë lojtarë që kanë frikë nga gjykimet, ashtu si kisha unë frikë nga gjykimet e tim eti. Shoh njerëz të frikësuar që përpiqen të fshihen. Po ashtu më kujtohet kur bëja gjëra të çmendura, sepse nga frika doja të zhdukesha nga faqja e dheut.
Por sporti duhet…
Patjetër, është një pasqyrë e jashtëzakonshme, që nëse e adhuron mund të dhurojë gjithë lumturinë dhe famën e botës.
Detajet
Suksesi në librari – “Open”, autobiografia e Andre Agassi-t është bërë një ngjarje letrare. Ka shitur me mijëra kopje që kur është shfaqur në librari
Turnetë e fituar – Janë 60, nga të cilat tetë në Grand Slam (katër Australian Open, një Roland Garros, një Wimbledon dhe dy Us Open)
Numri 1 – Ka qenë në krye të renditjes së ATP-së për 93 javë, nga të cilat 46 javë rresht nga shtatori i ‘99-s deri në gusht të vitit 2000
Fitimet – Në karrierën e tij të gjatë ka fituar plot 31 152 974 dollarë. Nga sponsorët ka marrë 150 milionë
Shtatë të magjishmit – Është një nga shtatë tenistët që ka fituar katër turne në Slam me Budge, Emerson, Laver, Perry, Federer dhe Nadal
Martesa të famshme – Pas një flirti me Barbara Sreisand, më 1997-n martohet me Brooke Shields (divorci më 1999-n). Pastaj martesa me Steffi Graf