Përgatitja për sulm
Azerbajxhani mund të bëhet aleati kryesor i Izraelit në rast se Tel Avivi vendos të sulmojë pa ndihmën e amerikanëve fabrikat e industrisë nukleare të këtij vendi, bën të ditur agjencia “Reuters”, e cila citon burime të mirëbesuara nga të dy vendet. Ndërkohë, të dy vendet e mohuan lajmin. Azerbajxhani është një ish-republikë sovjetike në kufi me Iranin, është i pasur me naftë dhe aleat i Perëndimit pavarësisht se drejtohet nga një despot. Por ky vend mund të zgjidhë problemin kryesor që strategët e Izraelit nuk kanë arritur ta zgjidhin në kushtet kur amerikanët ia kanë mohuar ndihmën. Bazat ajrore të Azerbajxhanit mund të shërbejnë për të furnizuar avionët e Izraelit gjatë rrugës së kthimit. Kjo është një gjë e vogël në krahasim me fuqinë e stërmadhe ushtarake dhe mbështetjen diplomatike që Netanyahu kërkon nga Uashingtoni. Por ndihma nga azerët mund të rezultojë gjithashtu vendimtare dhe mund t’i lejojë Izraelit të veprojë edhe pa ndihmën amerikane. Por një skemë e tillë mund të sjellë edhe rigjallërim të disa konflikteve në zonën e Kaukazit që sot konsiderohen si konflikte të ngrira.
Ndonëse zyrtarët e të dy vendeve e mohojnë lajmin, “Reuters” thotë se ka folur me dy ish-oficerë ushtarakë të Azerbajxhanit dhe dy zyrtarë të shërbimeve sekrete ruse. Këto burime thonë se një aeroplan furnizimi mund të ngrihet nga një aeroport azer duke u shtirur si shërbim privat për të furnizuar avionët F-16 të Izraelit. Këto avionë kanë një rreze veprimi të pamjaftueshme për të arritur thellë në territorin e Iranit.