Kryeministri Sali Berisha, gjatë mbledhjes së sotme të qeverisë, ka përshëndetur edhe një herë nënshkrimin e memorandumit të bashkëpunimit mes Shqipërisë, Greqisë dhe Italisë për projektin e gazsjellësit TAP dhe ka shpalosur të gjitha benefitet që do të përfitojnë familjet shqiptare nga ky memorandum.


Berisha e ka vlerësuar projektin e gazsjellësit TAP si akt i një rëndësie të veçantë, një hap madhor mirëbesimi reciprok dhe vendosje para një shkalle të lartë përgjegjësie, që do t’i japë një rol strategjik vendit tonë në rajon.


“Ky memorandum mirëkuptimi përbën aktin më të rëndësishëm që Shqipëria ka firmosur në historinë e saj, në fushën e bashkëpunimit ekonomik apo energjetik. Impakti i këtij projekti është më i rëndësishëm se çdo projekt tjetër për zhvillimin e vendit. Gazsjellësi transatlantik që kalon në 140 km në territorin shqiptar bën një transformim kryesor energjetik”.


Berisha theksoi se investimi mbi këtë projekt do të ketë një vlerë afatgjatë për vendin tonë dhe do ta kthejë atë në një superfuqi energjetike, ndërsa foli për atë që e quajti gazifikimi i vendit, ose shtrirja e gazit në përdorim të gjerë në familjet shqiptare, projekt i cili do të bëhet realitet në mandatin tjetër të qeverisë, tha kryeministri.


“Ky projekt i jep qeverisë shqiptare, qeverisë që vjen vitin tjetër, edhe mandatin e gazifikimit të vendit. Gazsjellësi sjell pas vetes një projekt madhor që do të ndryshojë pozitivisht jetën e familjeve shqiptare”, – u shpreh Berisha.


Gjatë mbledhjes së qeverisë, kryeministri iu referua edhe akuzave të opozitës lidhur me privatizimin e Albpetrolit, duke i cilësuar si shpifje dashakeqëse nga ana e saj, duke theksuar faktin se procesi i privatizimit të tij ka nisur tre vjet më parë dhe është tërësisht transparent.


Gjithashtu Berisha e akuzoi kreun e PS, Edi Rama për bllokim të reformave të rëndësishme në vend, duke i tërhequr deputetët e vet nga komisionet e kuvendit me pretekste të kota, sipas tij. Me këtë rast kryeministri iu referuar edhe çështjes së Këshilli të Qarkut të Fierit, diskutimi për të cilin u bë shkak për shtyrjen e votimi të ligjit për “Gjykatën e Lartë” apo braktisjen e mbledhjeve të komisionit të ligjeve nga ana e opozitës.

1 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)