Tre “X” në Superiore, Skënderbeu nuk mund dot Tomorin që merr pikën e parë


Altin Manallari


E diela e Superiores ka qenë një ditë barazimesh për tri takimet e para të luajtura në orën 14:00, por Teuta në orën 17:00 nuk ka falur, duke mundur Flamurtarin 2-1 në “Niko Dovana”.


Në Durrës është luajtur një sfidë dramatike, ku vendasit kanë mundur të sigurojnë tri pikë shumë të rëndësishme vetëm në minutat e fundit të lojës, falë një goli të Eminhazerit, edhe pse kanë luajtur me një lojtar më pak për rreth 30 minuta pas daljes së Shetës me karton të kuq. Në supersfidën e së dielës, ishte pikërisht Sheta ai që hapi ndeshjen me golin e shënuar në minutën e 16. Kjo ia ka vështirësuar shumë punën Flamurtarit, i cili kërkonte një fitore për të harruar ecurinë negative në këto javët e fundit. Vlonjatët e trajnerit Rubio tentojnë të çajnë mbrojtjen durrsake në qendër, por e ka të pamundur. Aksionet e tyre nuk janë të rrjedhshme dhe mungon fantazia në mesfushë. Teuta është më racionale dhe sulmon nga krahët. Pas pësimit të golit, miqtë arritën ta zhvendosin lojën në gjysmëfushën durrsake, por Soza dhe Memelli nuk arrijnë të barazojnë. Në fushë hyn edhe Muzaka, por asgjë nuk ndryshon në pjesën e parë. Në pjesën e dytë reagimi i Flamurtarit vjen dhe në minutën e 60, Memelli do të barazonte rezultatin në 1-1. Një minutë më pas Sheta proteston tek anësori dhe ndëshkohet me karton të kuq. Acarimi në shkallët e stadiumit dhe te stafi i durrsakëve arrin kulmin, prandaj ndeshja ndërpritet për 5 minuta. Teuta me një lojtar më pak, por nuk dorëzohet. Vlonjatët të hedhur në kërkim të golit, sulmojnë me shumë forca, duke lënë hapësira mbrapa. Memelli kishte mundësinë për të dyfishuar rezultatin për miqtë në minutën e 78, por ka qenë i pafat. Rastet e vlonjatëve nuk mungojnë, por goli nuk duket. Ndeshja u duk se do të shkonte drejt barazimit, por Eminhazeri nuk mendon kështu dhe shënon në minutën e 90, duke i dhënë Teutës së tij një trepikësh me peshë. Ndërsa vlonjatët zhyten akoma edhe më thellë në krizën e rezultateve. Në tri ndeshjet e tjera të së dielës janë regjistruar tri barazime. Laçi i trajnerit Stavri Nica hasi vështirësi në fushën e tyre përballë një Kukësi të organizuar mirë, i cili është shfaqur tepër i karikuar dhe ambicioz në këtë sfidë. Rezultati përfundimtar ishte 1-1 falë golave të Buljan (79′ me 11 m) për vendasit dhe Malindin (85′) për miqtë. Të njëjtën gjë ka bërë edhe Kastrioti në Peqin, që me anë të Karapicit ka baraspeshuar rezultatin, i cili fliste për vendasit, që në minutën e 19, falë golit të goleadorit Roland Dervishi, nuk fali kur u shfaq përballë Moçkës. Në Berat nuk ka gola, pavarësisht rasteve të shumta, në veçanti për kampionët e Skënderbeut. Këta të fundit frenohen kësisoj me një barazim pa gola përballë Tomorit dhe ecin kështu në hapat e Tiranës. Megjithatë barazimi u ka vlejtur të rikthehen në krye të klasifikimit, me nga 11 pikë, po aq bardheblutë, por me golavarazh më të mirë. Beratasit e drejtuar nga Mile marrin pikën e parë në këtë sezon, duke e prishur kolonën “zero” në klasifikim, por pa mundur të shmangin dot vendin e fundit.


 


 


Superiore (Java V)


 


TË SHTUNËN


Tirana-Besa     1-1


Pisha 63′ / Sefa 39′


Bylis-Vllaznia  0-1


Delic 61′


Apolonia-Luftëtari   0-3


Caco 25′, Rraboshta 32′, Nikoliç 44′


 


DJE


Laçi-Kukësi     1-1


Buljan 79′ (11-m) / Malindi 85′


Tomori-Skënderbeu    0-0


Shkumbini-Kastrioti  1-1


Dervishi 19′ / Karapici 61′


Teuta-Flamurtari     1-1


Sheta 16′, Eminhazeri 90′ / Memelli 60′


 


Klasifikimi


Skuadra    N    P


1. Skënderbeu   5    11


2. Tirana  5    11


3. Besa    5    8


4. Vllaznia     5    8


5. Laçi    5    8


6. Kastrioti    5    8


7. Luftëtari    5    7


8. Kukësi  5    7


9. Teuta   5    7


10. Flamurtari  5    5


11. Shkumbini   5    5


12. Apolonia    5    3


13. Bylis  5    2


14. Tomori 5    1