Partia Socialiste ka braktisur mbledhjen e sotme në Komisionin e Ligjeve, e cila kishte në rend të ditës pr/ligji për nëpunësin civil, që kërkon shumicë të cilësuar prej 3 të pestave të deputetëve në kuvend.


Mbledhja ka nisur me debatet mes anëtarëve të pozitës dhe opozitës, pasi PS ka deklaruar që shqyrtimi i ligjeve me shumicë të cilësuar nuk do të bëhet nga ana e opozitës pa gjetur më parë zgjidhje çështja e kryetarit të Këshillit të Qarkut të Fierit.


Deputeti Fatmir Xhafaj ka lëshuar akuza ndaj PD, e cila sipas tij po e trajton ligjin për  nëpunësin civil sikur të ishte prona e qeverisë.

“Do të shqyrtojmë ligjet me 3/5 pas zhbllokimit të Qarkut të Fierit. Nuk marrim pjesë në seancë për këtë pikë”.


Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali ka reaguar pas vendimit të opozitës, duke theksuar se nuk mund të ndryshohet rendi i ditës dhe nuk është opozita që e dikton këtë gjë, por ligji.

“Ne na urdhëron ligji dhe rregullorja të diskutojmë pr/ligjin. Po kush e urdhëron opozitën që të bllokojë dhe kërcënojë në komisionet parlamentare”, – tha Rusmajli.


1 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)