Ministria e Mbrojtjes ka reaguar sërish ditën e sotme ndaj akuzave tashmë prej disa ditësh, që PS, përmes deputetit të saj, Erion Braçe po drejton ndaj kësaj ministrie për tregti të paligjshme armësh dhe municionesh.
Përmes së zëdhënësit të saj, MM i ka hedhur poshtë si të pavërteta dhe trillime akuzat e bëra nga ana e PS, që synojnë sipas saj, vetëm të nxijnë imazhin e forcave të armatosura të vendit tonë. Sipas MM, veprimtaria e saj është tërësisht në përputhje me ligjin.
“Veprimtaria jonë e ligjshme ka dëmtuar trafikun e armëve. PS-së i ka mbetur ora te koha e Enverit për akuzat për Malin e Zi. Do vijojmë të mbetemi të përkushtuar për sigurinë kombëtare”, – thuhet në deklaratën e Ministrisë.
Ndërkohë në reagimin e MM cilësohet si një vepër kriminale publikimi i dokumenteve që cilësohen sekrete dhe për këtë, nga ana e kësaj ministrie do të procedohet në rrugë ligjore përmes organeve të drejtësisë.
“Rritja e mirëbesimit mes vendeve të rajonit është rruga e vetme e stabilitetit. Publikimi i dokumenteve të klasifikuara përbën vepër kriminale, dhe për këtë do i drejtohemi organeve të drejtësisë”, – nënvizon Ministria e Mbrojtjes.
Reagimi për të disatën herë nga Ministria e Mbrojtjes vjen pas denoncimit prej disa ditësh me radhë të bërë nga ana e PS mbi atë që e cilësojnë si korrupsion dhe abuzim nga ana e kësaj ministrie në lidhje me tregtinë e armëve. Jo më larg se dje, deputeti i PS, Erion Braçe akuzoi MM se është duke armatosur ‘deri në dhëmbë’ një vend fqinj si Mali i Zi me armë dhe municione, gjë që sipas tij, duke qenë se jemi shtete fqinje, përbën një shkelje të sigurisë kombëtare.
1 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)