Kishte vendosur të grabiste vetëm të premteve, ditën e tij me fat, ndërsa çdo të enjte lutej me orë të tëra në kishë. Këto kanë qenë disa nga detajet që përmban dosja e hajdutit të së premteve, Viktor Gushi, i cili u arrestua në mars të këtij viti, vetëm disa ditë pasi kishte vrarë arkëtaren Leonora Kaloçi dhe plagosi rojën e sigurisë, Skënder Elmazi. Prokuroria e Tiranës ka dorëzuar në Gjykatën e Krimeve të Rënda dosjen për 37-vjeçarin, hajdutin serial, i cili gjatë dy tentativa grabitjeje dyshohet se ka vrarë arkëtaren Leonora Kaloçi dhe argjendarin Rrapo Sinanaj.


Në dosjen e kërkesës për gjykim 37-vjeçari nga Patosi, Viktor Gushit i atribuohen mbi 30 raste grabitjeve nga ku kishte arritur të merrte plot 3 milionë lekë dhe 945 euro. Nga dëshmitë e marra prej vetë tij prokuroria ka bërë dhe një identikit të 37-vjecarit të cilin e përshkruan si një person të vetmuar dhe asocial gjë kjo që ka ndikuar në krijimin e “rregullave” të tij. I mbërritur në Shqipëri në vitin 1992, Gushi kishte humbur dhe një shumë të konsiderueshme në firmat piramidale. Divorci nga e shoqja, pas 3 vitesh martese, ndikuan në largimin e tij dhe rrallimin e kontakteve me familjarët.


Pas vuajtjes së dënimit prej 5 vitesh në Greqi për lëndë narkotike ai rikthehet në Shqipëri ku jeton në Tiranë ndërsa arrestohet për vjedhje të materialeve në vendin e punës. Pas lirimit Gushi nuk u punësua më, ndërsa mënyra e jetesës u bë aktiviteti kriminal dhe lojërat e fatit. Sipas organit të akuzës synimi i tij ishte krijimi i të ardhurave të mjaftueshme për ngritjen e një biznesi.


1 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)