Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Eugen Wollfarth, ka premtuar mbështetje për shkatërrimin e armatimeve të mbetura nga sistemi komunist, gjatë vizitës së sotme në uzinën ushtarake të Mjekësit, në Elbasan. Ambasadori Wollfarth, i cili shoqërohej nga me Ministrin e Mbrojtjes së Shqipërisë Arben Imami, theksoi se përfundimi i procesit të shkatërrimit të municioneve të tepërta në vitin 2013, siç parashikohet në planin e veprimit për çmilitarizimin, është vendimtar për sigurinë e qytetarëve brenda vendit dhe me tutje.
“Lëndët e rrezikshme kimike, municionet e vjetra dhe armët e vogla, për sa kohë që ekzistojnë, përbëjnë një rrezik të vazhdueshëm për mirëqenien e qytetarëve shqiptarë. Procesi i çmilitarizimit do të thotë forcim i paqes dhe sigurisë në Shqipëri dhe në mbarë rajonin, dhe ne jemi të angazhuar për t’i mbështetur më tej autoritetet në këtë drejtim”, u shpreh ambasadori Wollfarth.
Në kuadër të kësaj veprimtarie, Prezenca e OSBE-së i dhuroi uzinës shtatë kamera sigurie, një videoregjistrues dixhital dhe një monitor.
“Është e rëndësishme që punonjësit ta kryejnë punën e tyre në kushte sa më të larta sigurie dhe për këtë jemi të lumtur që mund t’i kontribuojmë rritjes së sigurisë për punonjësit e uzinës,” tha Wollfarth. Ai shtoi se Prezenca e OSBE-së po shqyrton se si t’i ofrojë asistencë shtesë Ministrisë së Mbrojtjes edhe për shkatërrimin e armëve të vogla dhe të lehta.
Deri më tani prezenca e OSBE-së në vendin tonë ka ndihmuar në shkatërrimin e 34 tonë karburanti raketash dhe 120 tonë dikloroetani, një lëndë kimike e rrezikshme kjo, si dhe ka siguruar pajisje për çarmatimin e municioneve të tepërta.
1 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)