Kreu i qeverisë, Sali Berisha ka vijuar akuzat ndaj liderit të PS, i cili sipas tij është duke bllokuar integrimin e vendit në BE në këmbim të preteksteve të kota dhe absurde. Deklaratat e kryeministrit janë bërë mëngjesin e sotëm nga Lezha, ku merrte pjesë në inaugurimin e gjimnazit “Hydajet Lezha”.


Berisha risolli në vëmendje praktikën që ai e cilësoi bllokuese të kreut të PS, Edi Rama në kohën kur vendi priste liberalizmin e vizave, ndërkohë që Rama protestonte për hapjen e kutive të votimit.


“Ju bëjmë thirrje që të mos harroni momentin e heqjes së vizave, pasi në atë periudhë kreu i opozitës mori një kuti nën sqetull që të bënte pazare për t’u liruar vizat. Vizat nuk kërkonin 3/ 5 dhe ai si bllokonte dot ashtu si nuk do mund të bllokojë statusin”, – theksoi Berisha.


Berisha ka theksuar më tej se Rama kërkon të pengojë ëndrrën e të rinjve në rrugën europiane me pretekstin se kërkon të dëmtojë qeverinë e tij, duke iu referuar me këtë rast edhe qëndrimit të opozitës për mos mosshqyrtimin e ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar në Kuvend.

2 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)