Biçikletat preferohen më shumë se makinat

Kriza, çmimi i karburantit rreth 2 euro për litër dhe 7 mijë euro në vit për të mbajtur makinën, i kanë bindur njerëzit se duhet të pedalojnë më shumë. Fantashkenca është bërë realitet, biçikletat shiten sot më shumë se makinat

Këtë nuk e kishin parashikuar as majat. Për vitin 2011, në Itali u shitën më shumë biçikleta se sa makina. Një ngjarje historike që nuk ndodhte që nga koha e pasluftës. Numri i makinave të shitura u regjistrua në 1.748.143, ndërsa ai i biçikletave në 1.750.000. Thuajse dy mijë copë më shumë. Biçikletat, ca për faj të krizës, ca për shkak të efekteve pozitive mbi shëndetin, po pushtojnë gjithmonë e më shumë zemrat e italianëve. Është e vërtetë që kriza ka arritur kulmin, po ashtu ndjeshmëria për çështjet e mjedisit është rritur ndjeshëm, por ajo shifër tregon një revolucion të vërtetë në stilin e jetesës. Një revolucion pozitiv, duke e bërë të ketë më shumë kuptim shprehja e famshme që shkrimtari anglez i librave fantastik-shkencorë Herbert George Wells përsëriste shpesh: “Sa herë që shoh një të ri me biçikletë, mendoj se për qeniet njerëzore ka ende shpresë”. Fantashkenca është bërë realitet. Sot shiten biçikleta më shumë se makinat. Edhe pse nga ana tjetër e medaljes zbulohet kriza më e madhe në sektorin automobilistik për shumë dekada, diçka lëviz përpara. Por biçikletave të shituara duhet t’u shtohen edhe ato të “restauruarat”. “Gjithmonë e më shumë njerëzit vendosin të rikuperojnë modelet e vjetra që gjenden në garazh apo kantina. Me 100-150 euro, dyqanet e specializuara, të ofrojnë një ndryshim të përgjithshëm, duke ndjekur modën e momentit. Modeleve të vjetra u jepet më shumë jetë, me ngjyra dhe aksesorë të ndryshëm. Biçikletat që dikur bëheshim me porosi, me hekur dhe çelik rikthehen fuqishëm duke konkurruar pa asnjë problem, ato të rejat firmato, që kushtojnë shumë. Por, lind pyetja, kaq shumë na pëlqejnë sa duhet t’u kthehemi atyre të vjetrave të pluhurosura nga harresa nëpër garazhe? Përse, çfarë ka ndryshuar? Kriza, çmimi i karburantit rreth 2 euro për litër dhe 7 mijë euro në vit për të mbajtur makinën i kanë bindur njerëzit se duhet të pedalojnë më shumë. “Por nuk është vetëm kjo. Sekreti i suksesit qëndron në faktin se biçikletat janë të lehta për t’u përdorur, kushtojnë pak, janë të manovrueshme, komode. Madje sot mund të gjesh edhe versionet moderne të tyre: versionet hibride dhe elektrike. Ndoshta për këto arsye është mjeti i vetëm i transportit që nuk shoqërohet me kontroll shitjeje. Sot, mund të gjesh të të gjitha llojeve, ngjyrave dhe përmasave: me tri rrota, amfibe, pa pedale, të lara me ar apo me lëkurë struci për ata që duan të jenë “glamour” edhe kur pedalojnë. Përdoret për të shkuar në punë, për të lëvizur nëpër qytet, për të dalë xhiro në park. Ja një tjetër arsye për të qenë e suksesshme: pushimet duke pedaluar. Gjithmonë e më shumë, turistët preferojnë të lëvizin me biçikleta të marra me qira nëpër qytetet e mëdha me shumë pasuri kulturore. Në metropolet e mëdha nëpër botë, tani turet me biçikleta nga të huajt po pëlqehen më shumë se sa guidat me autobusë. Biçikletat janë mjetet ideale të transportit për të shkuar lehtësisht në çdo vend që dëshiron, për më tepër duke shmangur plotësisht trafikun e madh mbytës, sidomos nëpër kryqëzimet e qyteteve të mëdha. Preferenca e biçikletave mbi makinat ka ndodhur edhe në Gjermani. Ishte plotësisht e pritshme, aty qytetet janë “Bike friendly”: falë rekordit europian: 40 mijë kilometra rrugë për biçikleta. Kjo dashuri e re, do t’i hapë mentalitetin dhe atyre që prej kohësh kanë përdorur vetëm makinën. Me sa duket kriza është rasti ideal për t’i bërë njerëzit të ndryshojnë edhe stilin e jetesës.

 

 

Zhvendosjet urbane  me biçikleta

  • Italia, 3.8%
  • Mesatarja e BE-së, 9.5%
  • Danimarka, 18%
  • Vendet e Ulëta, 27%

 

Përhapja e biçikletave

  • Italia, 25 milionë
  • Anglia, 17 milionë
  • Gjermani, 72 milionë

 

Rrugë për biçikleta

  • Gjermania, 40.000 kilometra
  • Angli, 17.000
  • Austria, 6.000
  • Italia, 4.0001
  • Danimarka, 3665
Autor te 2 Tetor 2012. Ndryshe. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry