Dokumenti, përjashtohen degët elitare, në listë fakultetet më pak të kërkuara
Shpresa Mezini
Me shpalljen e listës përfundimtare të fituesve, drejtori i Agjencisë Kombëtare të Provimeve, Alfons Harizaj, tha se maturantët mbetës do të kenë një tjetër mundësi për t’iu drejtuar universiteteve. Kështu, pas përfundimit të procesit të regjistrimeve për fazën e dytë të fituesve, të rinjtë që nuk e kanë gjetur kodin e identifikimit në asnjë prej listave do të kenë në duar formularin A3, shansi i fundit që do t’u jepet për të qenë student në një prej fakulteteve të vendit.
Zyrtarisht mësohet se në formularin A3 do të listohen vetëm ato degë të cilat kanë numër të konsiderueshëm të vendeve vakante, për shkak se nuk kanë qenë shumë të kërkuara nga maturantët.
Duke iu referuar të dhënave zyrtare që publikon Agjencia Kombëtare e Provimeve, numri i vendeve të lira arrin në 4100 në të gjitha fakultetet e vendit, kuota që do të realizohen pas plotësimit të formularit A3. E megjithatë, aktualisht nuk dihen ende se cilat do të jenë degët, mbi bazën e të cilave do të hartohet ky dokument, ndërsa pritet që formalitetet e nevojshme të shpallen në ditët në vijim.
“Për të gjithë studentët të cilët nuk janë pjesë e listës përfundimtare të fituesve do të ketë një fazë të dytë me formularin A3, i cili do të bëhet publik pas datës 15 tetor. Me publikimin e tij do të zbardhen edhe procedurat e plotësimit, që do të bëhen online, njësoj si formulari i preferencave”, tha Edlira Late, drejtoresha e Arsimit të Lartë Publik e Privat, në ministrinë e Arsimit. Sipas të dhënave të deritanishme, specialistët e arsimit bëjnë me dije se Universiteti i Tiranës renditet i pari për numrin e lartë të regjistrimeve, ndërsa numri më i ulët regjistrohet në Universitetin e Gjirokastrës.
“Universiteti i Tiranës ka shifrën më të lartë të të regjistruarve që në fazën e regjistrimit online me mbi 95 për qind. Pas tij renditet Universiteti i Vlorës, Korçës dhe Gjirokastrës”, theksoi drejtori i Agjencisë Kombëtare të Provimeve. Ai shton se ky vit i ri akademik do të hapë dyert për mbi 22 mijë të rinj.
Ministria e Arsimit
Prej disa ditësh në Ministrinë e Arsimit është ngritur një grup pune, që po diskuton mbi një mundësi të dytë për maturantët që kanë bërë gabime në regjistrimin online dhe të atyre që nuk e kanë kryer këtë veprim. Specialistët e Arsimit sqarojnë se po shqyrtohet ideja e një regjistrimi të dytë si për ata që kanë bërë gabime ashtu edhe për ata që për arsye objektive nuk e respektuan në kohë afatin e plotësimit të tij. Kjo sipas tyre për shkak se regjistrimi në mënyrë elektronike ishte praktikë e re për procesin e maturës, për rrjedhojë gabimet ishin të pritshme. E megjithatë, vendimi final nuk është marrë ende, por nëse kjo miratohet, fatlumët do të duhet të regjistrohen në mënyrë manuale, duke dorëzuar dokumentet në sekretaritë e fakulteteve, siç ka ndodhur prej disa vitesh.
Përmbajtja – Zyrtarisht mësohet se në formularin A3 do të listohen vetëm ato degë të cilat kanë numër të konsiderueshëm të vendeve vakante
Statistikat – UT renditet i pari për numrin e lartë të regjistrimeve, mbi 95%, ndërsa Universiteti i Gjirokastrës i fundit
Gabimet – Në Ministrinë e Arsimit është ngritur një grup pune, mbi shqyrtimin e një mundësie të dytë për ata që bënë gabime