Rëndohet gjendja shëndetësore e ish-të përndjekurve politikë, që prej 11 ditësh janë ngujuar në grevë urie, në një ambient të hapur pranë zonës së “Komunës së Parisit”. Një tjetër ish-i përndjekur politik është detyruar pasditen e sotme të lërë grevën e urisë për shkak të problemeve shëndetësore që ka shfaqur. Grevisti Fatmir Lloci, 49 vjeç, është dërguar me urgjencë në spitalin ‘Nënë Tereza’. Ky është rasti i tretë që grevistët detyrohen të largohen nga greva e urisë, për shkak të problemeve shëndetësore.
Mbi 20 ish-të përndjekur politikë nisën mbrëmjen e 22 shtatorit një grevë urie, e cila pritet të zgjasë, për shkak se qeveria nuk mbajti premtimet për dëmshpërblimin e viteve të tyre të burgut. Sipas ish-të përndjekurve politikë, gjendja aktuale e tyre është tepër e rëndë, ndërsa dëmshpërblimi u shty për një afat të pacaktuar. Megjithëse greva e urisë e ish-të përndjekurve politikë ka zgjuar sensibilitetin e përfaqësuesve të trupit diplomatik në Tiranë dhe partive të ndryshme politike, qeveria nuk ka reaguar ende. Asnjë përfaqësues i qeverisë nuk ka shkuar të bisedojë me të ngujuarit e urisë dhe të gjejë një zgjidhje të kërkesave të tyre.
2 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)