Në përpjekje për të kaluar nga vend i varfër, në vend të pasur, Pekini po fuqizon konsumin


Fermeri 80-vjeçar Guo Shuhe merr një pension të barabartë me vetëm 9 dollarë në muaj, të pamjaftueshme këto për të blerë ushqime për të gjithë muajin, por dukshëm të mjaftueshme për të krijuar një vrimë të madhe në financat e qeverisë. Guo, i cili i ka duart e ashpra nga një jetë e kaluar duke punuar tokën në Kinën jugperëndimore, është një nga 150 milionë kinezët e moshuar të fshatit që kanë filluar të përfitojnë pension nga një skemë shtetërore që po përhapet në të gjithë vendin.


“Pesëdhjetë e pesë juan në muaj është pak, por është më mirë se asgjë”, thotë ai, ndërsa vështron fshatin në rajonin Ledu, 3 mijë metra mbi nivelin e detit. Ai është me fat, për shkak se gëzon edhe mbështetjen financiare të gjashtë fëmijëve të vet. Por gjenerata tjetër e pensionistëve nuk është kaq me fat. Tradita e sigurisë shoqërore e garantuar nga familja, po zhduket me shpejtësi në shoqërinë kineze dhe po zëvendësohet nga një skemë pensionesh shtetërore. Politikëbërësit dhe ekonomistët prej kohësh kanë shprehur shqetësimin mbi barrën në rritje të skemave të pensionit të Kinës.


Kina ka një popullatë, që gjatë dekadave të fundit është bërë gjithnjë e më shumë prodhuese. Për shkak se numri i fëmijëve është ulur ndjeshëm, përqindja e njerëzve të aftë për punë në raport me popullsinë është përmirësuar vazhdimisht. Por kjo nuk do të vijojë në pafundësi. Forca e punës po pakësohet për t’u zëvendësuar nga pensionistë. Gjithçka filloi në vitet ’70, kur Kina zbatoi politikën e një fëmije për çdo familje. Sipas Bankës Botërore, Kina po mbërrin në pikën e popullatës së plakur brenda disa dekadave, ndërkohë që vendeve perëndimore iu nevojitën disa shekuj për të mbërritur këtu. Problemi është më akut në zonat rurale, ku fertiliteti i ulët është kombinuar edhe me normën e lartë të migrimit. Të rinjtë largohen për në qytet, duke lënë pas fëmijët dhe të moshuarit. Nga viti 2030, besohet se 35 për qind e popullatës së Kinës rurale do të jetë e moshuar, nga 13.5 për qind që ishte në 2008-n.


Shumë analistë besojnë se forca punëtore në Kinë do të fillojë të pakësohet më 2015-n, gjë që do të sjellë rritje pagash nëpër fabrika, si dhe do të sjellë rritje botërore të çmimeve.


Kina krijoi një skemë vullnetare pensionesh për fshatin më 2009-n, ku ofrohet minimalisht 55 juan në muaj, përkundrejt kontributeve minimale prej 100 juanëve në vit për 15 vjet me radhë. Në provincat e Kinës lindore, pagesat janë shumë më të larta, sepse punëtorët paguajnë më shumë dhe se qeveritë vendore dhe firmat kanë mjetet për të paguar. Nëpër qytete p.sh., pensioni mesatar është 28 herë më i lartë, 1531 juan. Por sido që të jetë puna, financimet e qeverisë përbëjnë 61 për qind të të ardhurave totale të skemës së pensioneve rurale. Ekspertët besojnë se Kina nuk do të jetë në gjendje të zhvillojë një sistem pensionesh plotësisht, për shkak se popullata e fshatit po plaket shumë më shpejt nga sa nevojitet për të maturuar sistemin. Një studim tregon se sistemi i pensioneve të Kinës është më i paqëndrueshmi në planet pas Filipineve. Me kushtet aktuale, kinezët do të përfitojnë në formën e pensioneve 78 për qind të kontributeve të tyre si punëtorë, ndërkohë që në Francë përfitohet vetëm 49 për qind, ndërsa në SHBA vetëm 39 për qind.


Alarmi


Një miliard pensionistë brenda një dekade


Bota duhet të bëjë më shumë dhe të përgatitet për t’u përballur me realitetin, kur një pjesë gjithnjë e më e madhe e popullsisë do të jetë pensioniste, paralajmëroi dje Organizata e Kombeve të Bashkuara. Problemi, sipas OKB-së, është më shqetësues në vendet në zhvillim. Brenda dhjetë vjetësh në botë do të ketë mbi 1 miliard njerëz mbi 60 vjeç, thotë OKB-ja. Popullsia e botës pritet të ndalet së rrituri së shpejti, por popullata e moshuar pritet të vijojë të shtohet, ndërsa fëmijët dhe njerëzit në moshë pune pritet të pakësohen.


Bota duket se kapërceu gjatë shekullit të njëzet problemin e vdekshmërisë foshnjore, si pasojë e përmirësimeve në ushqim dhe shëndetësi. Por tani rreziku është që mungesa e kujdesit për moshën e tretë të kthehet në një krizë vdekshmërie.