Sapo del nga qyteti Dohuk në Irak, nëpër kodrat e zbrazëta nga gjelbërimi, gjen disa qindra kurdë nga Siria, të cilët po stërviten për luftë, duke marshuar për t’u kalitur dhe duke qëlluar me armë. Shumë nga këta burra janë dezertorë nga Ushtria e Sirisë dhe jetojnë në kontejnerë në një kamp të ngritur në kodër. Ata nuk kanë ndërmend thjesht të bashkohen me kryengritjen e armatosur kundër qeverisë së Presidentit Bashar al-Assad. Ata po përgatiten për një luftë që pritet të vijë më pas, në kohën kur Assad nuk do të jetë më dhe në Siri do të fillojë beteja për pushtet. Këta burra kërkojnë një rajon autonom për kurdët që jetojnë në atë që sot është Siria, një perspektivë që ata thonë se do të plotësojë një ëndërr shekullore, pasi do të lidhë minorancat kurde në Irak, Turqi, Iran e Siri në një shtet të pavarur.


Por kjo kërkesë për drejtësi nga një komb që historikisht u nda dhe u shtyp për gjenerata të tëra, rrezikon gjithashtu të shkaktojë reagimin e dhunshëm të kombeve të tjera. Ato kanë sinjalizuar sakaq gatishmërinë për të ndërmarrë veprime ekstreme kundër rrezikut të humbjes së territorit.


Vetëm se hapi i parë është hedhur tashmë. Kurdët e Irakut sigurojnë një parajsë. Janë një territor me autonomi të gjerë brenda Irakut, nuk kanë konflikte të dhunshme si në pjesën tjetër të vendit, janë të pasur me naftë dhe të gatshëm të trajnojnë dhe armatosin militantët.


“Ata po trajnohen për çfarë do të ndodhë pas rënies, kur një vakum sigurie pritet të krijohet, pasi qeveria Assad nuk do të ekzistojë më”, thotë Mahmood Sabir, një nga figurat e opozitës kurde të Sirisë që vepron në Irak. Fakti që kurdët po armatosen për një luftë në Sirinë e post-revolucionit, përbën një element tjetër shqetësues për këtë konflikt të dhunshëm. Disa dyshojnë se rënia e Assad nuk do të sjellë paqe, por një luftë të përgjithshme sektare që mund të përfshijë edhe vendet fqinje.


Në sfondin e luftës civile aktuale, kurdët e Sirisë sakaq kanë arritur në terren një shkallë autonomie, pasi qeveria u tërhoq nga komunitetet kurde për t’ia lënë kontrollin udhëheqësve vendës. Flamujt e Kurdistanit valëviten sakaq në ndërtesat qeveritare të kësaj krahine dhe shkollat publike kanë filluar leksionet në gjuhën kurde, diçka që Assad ia kishte mohuar.


“Ne po organizojmë shoqërinë tonë, një shoqëri të kurdëve”, thotë Saleh Mohammed, udhëheqës i Partisë së Bashkimit Demokratik, një grupim politik i parë me dyshim për shkak të lidhjeve me grupime të tjera kurdësh, si Partia e Punëtorëve të Kurdistanit. Kjo e fundit konsiderohet një organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Europa dhe së fundmi ka përshkallëzuar sulmet e veta në Turqi. Kurdët thonë se ato po përgatiten për betejë, në rast se qeveria e Assad synon të rimarrë kontrollin mbi zonat e tyre apo milicitë e Ushtrisë së Lirë të Sirisë tentojnë të hyjnë në këto zona.


“Natyrisht që ne do të mbrojmë veten”, thotë Mohammed. “Sipas traditës kurse, ne kemi armë në çdo shtëpi”.


Përpjekjet e kurdëve të Sirisë po udhëhiqen nga Masoud Barzani, kreu i rajonit kurd në Irakun e Veriut, i cili gëzon autonomi dhe pasuri dhe shërben si model për kurdët në vendet fqinje. Ai siguron armatime dhe teknikë. Barzani ka arritur të luajë rolin e organizatorit kryesor, duke bashkuar disa dhjetëra organizata në një këshill suprem. Kurdët janë shtypur për dekada me radhë nga diktatorët arabë, u janë mohuar të drejtat nga udhëheqësit turq dhe tradhtuar pas Luftës së Parë Botërore nga fuqitë aleate, të cilat patën premtuar pavarësinë e Kurdistanit. Tani ata duken të vendosur për të përfituar nga “Pranvera arabe” dhe ta kthejnë historinë në anën e tyre.


Lufta civile në Siri, ku gjenden 2 milionë kurdë të përqendruar përgjatë kufirit me Turqinë dhe Irakun, ka krijuar ndjesinë se rasti i artë për shtet-formimin ka ardhur. Këto aspirata qenë shtypur pas Luftës së Parë Botërore, kur aleatët fitues përcaktuan kufij arbitrarë në Lindjen e Mesme, duke e ndarë këtë popullatë në katër shtete.


Kur kryengritja në Siri filloi 18 muaj më parë, disa vëzhgues u shqetësuan për faktin se kurdët mund të krijojnë një kauzë të përbashkët me Assad, duke ofruar mbështetje në këmbim të autonomisë. Shumë i përshkruan kurdët si një popull që po qëndronte anash në pritje për të parë se nga anonte fitorja dhe nga duhej të shkonin. Por kurdët vetë thonë se ata e urrenin Assad. Ky i fundit lëshoi territoret kurde, në mënyrë që të përqendronte forcat kundër opozitës suni. Kjo lëvizje ka shqetësuar edhe Turqinë, e cila ka mbështetur opozitën, por tashmë shqetësohet për krijimin e një rajoni autonom kurd në Siri, që mund të bëhet një zonë e re e lirë për militantët që luftojnë brenda Turqisë.


Luftimet e kohëve të fundit mes Ankarasë dhe PKK-së kanë qenë më intensivet që nga vitet ‘90. Kryeministri Recep Tayyip Erdogan ka argumentuar së fundmi se Turqia ka të drejtë të hyjë në zonat kurde të Sirisë, në rast se i cenohet siguria. Kurdët e Sirisë janë të ndarë në dhjetëra fraksione, por janë të bashkuar në së paku dy aspekte: ata kundërshtojnë qeverinë e Assad dhe shohin me dyshim qëllimet e Ushtrisë së Lirë së Sirisë.


“Para së gjithash, ata janë arabë”, komenton njëri prej tyre për rebelët e opozitës siriane. “Ne nuk duam që arabët të na kontrollojnë”, shton ai.


Megjithëse janë shënuar shumë pak luftime në zonat kurde të Sirisë, refugjatët nuk kanë munguar nga kjo zonë dhe vazhdimisht ka njerëz që mbërrijnë në Irak. Ata thonë se qeveria e Assad po i bën presion të bashkohen me ushtrinë e saj.


Për momentin, udhëheqësit kurdë thonë se janë ende larg ëndrrës së krijimit të një shteti të pavarur, si shtëpi për popullin e ndarë në katër shtete. Për momentin, ata besojnë se duhet të marrin autonominë brenda Sirisë, si një hap i ndërmjetëm.


Kurdët kanë qenë dikur forca sunduese në Lindjen e Mesme me legjendarin Saladin në shekullin e 12, i cili sundoi Sirinë dhe Egjiptin dhe mposhti kryqtarët europianë, duke kapur Jerusalemin. Disa kurdë besojnë se ajo çfarë ndodhi në shekullin e 20 solli që arabët t’i trajtonin kurdët si popullatë e dorës së dytë. Autokratët arabë kryen fushata spastrimi etnik, shpesh duke i përzënë nga tokat e tyre e në disa raste, si në vitet ‘80, duke i eliminuar me mijëra përmes përdorimit të armëve kimike në Irakun e Sadam Huseinit. Por për shumë, rënia e Sadamit në Irak dhe tashmë, rënia e Assad-it në Siri, po i hap rrugën lirisë në dy nga katër shtetet ku jeton ky popull me mbi 20 milionë banorë.