Ministria e Mbrojtjes i është kundërpërgjigjur akuzave të sotme të Partisë Socialiste për përfshirje të zyrtarëve të lartë të këtij dikasteri në trafik armësh. Në një konferencë për shtyp, zëdhënësja e ministrisë, i ka cilësuar si shpifje dhe trillime deklaratat e deputetit socialist Erjon Braçe. ” Aktiviteti i ligjshëm tregtar i shitjes së armëve dhe municioneve është i bazuar tërësisht në ligjin e brendshëm dhe në ligjin ndërkombëtar. Ky aktivitet është i vendosur mbi baza të qarta ligjore dhe është po aq normal sa edhe çdo aktivitet tjetër me natyrë kontraktuale që ushtron shteti shqiptar.


Deklaratat e Partisë Socialiste për blerje të armëve nga Serbia janë shpifje të neveritshme. Ashtu siç dëshmohet nga dokumentet që tunden nga zoti Braçe, destinacioni i këtij malli është Gjeorgjia. Një vend mik, aspirant për anëtarësim në NATO, me kontribute edhe jashtë mundësive të saj në frontet e Aleancës së Atlantikut të Veriut. Gjeorgjia, është pjesë e interesave strategjike të Republikës së Shqipërisë. Nëse Partia Socialiste është kundër marrëdhënieve të Shqipërisë me Gjeorgjinë, ka vetëm një arsye. Ata e dinë shumë mirë cila është ajo. Fatkeqësisht, kjo kontratë nuk u realizua, e theksojmë, nuk është realizuar, pasi Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Shqipërisë është treguar skrupuloze në verifikimin e plotë të të gjithë këtij aktiviteti. Kjo është raportuar nga Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve tek institucionet përkatëse brenda vendit dhe në OKB”, ka deklaruar zëdhënësja e ministrisë, Lorisa Ylli.


Ndërkohë ajo ka akuzuar deputetin Braçe ka shkelur tre ligje dhe për këtë do të përgjigjet përpara drejtësisë. Deputeti Braçe shkeli tre ligje të shtetit shqiptar: Ligjin Nr. 9887, datë 10.03.2008, “Për Mbrojtjen e të dhënave personale”, pikën 1 të nenit 3; Ligjin Nr. 9707, datë 05.04.2007, Për kontrollin shtetëror të veprimtarisë së import eksportit të mallrave ushtarakë si dhe mallrave e teknologjive me përdorim të dyfishtë”, nenin 8 të tij; Ligjin Nr. 84 85, datë 12.05.1999″, Kodi i Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë”, nenin 19 të tij”, ka thënë Ylli.


2 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)