1.2 milionë USD – Kontrata e parë është për 10.000 raketa “Zolja”. Sipas PS-së, kjo kontratë është lidhur me kompaninë “Zahen Limited”
1.73 milionë USD – Kontrata tjetër është lidhur me kompaninë “Moon Storm Enterprises”. Sipas PS-së, kontrata e dytë është lidhur me vlerën e 1.713.000 USD
Armatimi – Përveç 20 mijë raketave, MEICO ka blerë 600 granatahedhës dore antitank RPG-7; shtimje PG-7 për RPG-7
Akuza
Erion Braçe: Imami ka kryer kontrabandë në tregtinë e armëve joshqiptare
BLEDAR HOTI
Partia Socialiste publikon superskandalin e radhës së shitblerjes së armatimeve të Ministrisë së Mbrojtjes që shkojnë në rreth 3 milionë USD. Nënkryetari i grupit të PS-së, Erion Braçe, në konferencën e djeshme për shtyp bëri të ditur se shteti shqiptar përpos shitjes së armëve, ka blerë dhe shitur armatime nga Serbia dhe Mali i Zi. “Ky është dorëzimi më i madh i ndodhur ndonjëherë i Ministrisë së Mbrojtjes në marrëdhënie me kompani shtetërore serbe!!! Ministria e Mbrojtjes, deri sot, është mbrojtur duke thënë haptazi dhe qartë se: Po pastron Shqipërinë nga plehrat e komunizmit; duke iu referuar armëve, municioneve, eksploziveve, mjeteve e pajisjeve ushtarake vendase, pra administruar nga vetë Ushtria Shqiptare. Sot dua t’u tregoj se marrëdhënia mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe kompanive shtetërore serbe është më e madhe sesa kaq!! Pra është përtej shitjes së plehrave të komunizmit në depot e ushtrisë shqiptare”, tha Braçe. Ai paraqiti një dosje të plotë që dokumenton transaksionin më të madh tregtar të mallrave ushtarake, prej Ministrisë së Mbrojtjes. “Në qendër është sërish MEICO, ndërmarrja tregtare e Ministrisë së Mbrojtjes. Por këtë radhë, të mallrave që ajo nuk i disponon, nuk i ka të sajat, nuk i kishte në depot e Ushtrisë Shqiptare. Ky është dokumenti, nuk është “sekret” siç e shihni, dhe konfirmon qartësisht këtë fakt. Vetëm emri është i Shqipërisë në këtë transaksion, i ofruar bujarisht, “miqësisht” u tha më parë, në mes të këtij pazari sllav. Bëhet fjalë për mallra të Ushtrisë Jugosllave të administruara nga Ushtria Malazeze e të vëna në dispozicion të kompanisë Montenegro Defence Industry, dega e Jugoimportit serb. 10. 000 raketa dore anti-tank 64mm rbr m-80 “zolja”. E gjithë çështja ka paqartësi të rënda. Ka dy kontrata tregtare: Njëra për 10.000 raketa “Zolja”; tjetra për 10.000 raketa “Zolja”; 600 granatahedhës dore antitank RPG-7; shtimje PG-7 për RPG-7. Njëra me vlerë 1.200.000 USD; tjetra me vlerë 1.713.00 USD. Njëra e lidhur me kompaninë “Zahen Limited”; tjetra e lidhur me kompaninë “Moon Storm Enterprises”. Por të dyja të përfaqësuara nga i njëjti njeri”, deklaroi Braçe. Numri dy i grupit të PS-së theksoi se “AKSHE deklaron se i gjithë transaksioni nuk është realizuar. Por një tjetër autoritet malazez e deklaron si eksport të kryer në drejtim të Shqipërisë”. “Pikërisht për të gjitha këto paqartësi kërkohet përgjigje dhe hetim ndaj Ministrisë se Mbrojtjes dhe vetë Arben Imamit. Duhet të përgjigjet dhe sqarojë publikisht: Përse Shqipëria përzihet dhe ndyhet në tregtinë e armatimit që nuk e disponon? Përse marrëdhënia e Ministrisë së Mbrojtjes me kompanitë serbe arrin deri këtu, në përfshirjen në transaksione të armatimit të ushtrisë serbe? Ta bëj sot! Nuk është përgjigjur asnjë ditë, duhet të përgjigjet sot, politikisht, juridikisht, penalisht në fund. Nuk mund të fshihet më. Koha e komunizmit kur çdo gjë, duke përfshirë dhe krimet e tij ishin “secret” e nuk ndahej me publikun, ka mbaruar, ka vdekur. I kemi kapur mat dhe në flagrancë, në veprime haptazi antikombëtare, antikushtetuese dhe korruptive”, tha Braçe. Për aferat e ministrit Imami, reagoi dje dhe kreu i PS-së, Edi Rama. “Ndiqni shpalosjen e kalbëzimit rrëqethës të Ministrisë së Mbrojtjes përmes fakteve e shifrave të korrupsionit që po ekspozojmë publikisht. Ministri i Mbrojtjes vetëm hakërrehet ndaj Erion Braçes që po bën përditë ekspozenë e atij kalbëzimi, por s’jep dot asnjë provë të kundërt! Dhe “xhevahiret” e zullumit të asaj ministrie s’kanë të mbaruar, ekspozeja do të vazhdojë paçka hakërrimeve të dëshpëruara të ministrit…”, shkruan Rama në “Twitter”.
MEICO – Sipas PS-së, kontrata cilësohet nga kompania MEICO si e parealizuar, por një gjë e tillë hidhet poshtë nga kompania malazeze
Rama – Kryesocialisti Edi Rama ka reaguar nëpërmjet “Twitter” se Imami vetëm po hakërrehet ndaj Braçes për faktet e korruptimit të Ministrisë së Mbrojtjes
Kërcënimet – Ministri i Mbrojtjes ka kërcënuar se do ta hedhë në gjyq Braçen, si dhe do të gjejë spiunin që po i jep opozitës këto informacione të klasifikuara
Debati – Një tjetër debat po zhvillohet në lidhje me faktin nëse këto dokumente janë sekret shtetëror ose jo. PS shprehet se ato nuk përbëjnë sekret shtetëror.
Edvin Kulluri
“Shitëm sipas ligjit, Braçes kallëzim penal”
Ministria e Mbrojtjes ka reaguar ndaj akuzës fundit të lëshuar nga PS-ja, nëpërmjet socialistit Erjon Braçe. “Akuzat për Malin e Zi, një shtet mik e partner, tregojnë se Partia Socialiste është akoma me orën e Enver Hoxhës. Qeveria shqiptare dhe Ministria e Mbrojtjes kanë shprehur të gjithë mbështetjen për integrimin e shtetit mik të Malit të Zi në NATO. Qeveria shqiptare dhe Ministria e Mbrojtjes i qëndrojnë bindjes së palëkundur se rritja e mirëbesimit ndërmjet vendeve të rajonit, është rruga e vetme e stabilitetit dhe sigurisë”, tha sekretari i Përgjithshëm i MM-së, Edvin Kulluri. Më tej ai theksoi se “publikimi e nxjerrja e dokumenteve të klasifikuara përbëjnë vepër kriminale. Për këtë do t’u drejtohemi organeve të drejtësisë. Padyshim që në këtë vend do të ruhet standardi i informacionit të klasifikuar në respekt të ligjeve në fuqi. Veprimtaria e ligjshme e Ministrisë së Mbrojtjes duket se ka shkelur interesat e trafikantëve të armëve dhe atyre që nxjerrin e dekonspirojnë dokumente sekrete”.