Hetimet


Erinda BallancaBanesa e avokates së familjes kryeministrore, Erinda Ballanca, është vjedhur nga persona të paidentifikuar, por i dyshuari kryesor i kësaj ngjarjeje është vëllai i saj. Nga burimet policore mësohet se asaj i janë vjedhur sende me një vlerë prej 1 milion lekësh, megjithëse grupi hetimor është treguar tejet i rezervuar për këtë ngjarje. Sipas të dhënave nga policia, ngjarja ka ndodhur rreth dy muaj më parë, por është mbajtur e fshehtë dhe nuk është raportuar zyrtarisht nga Drejtoria e Policisë së Tiranës. Në atë kohë mësohet se vetë avokatja e familjes së Kryeministrit Sali Berisha ka bërë denoncimin përkatës pranë oficerëve të Komisariatit Nr. 2, ku sipas burimeve konfidenciale mësohet të ketë deklaruar se vjedhja ishte kryer në kasafortën brenda shtëpisë. Menjëherë në vendin e ngjarjes, në një apartament në zonën e ish-Bllokut, kanë shkuar ekspertët kriminalistë, të cilët kanë marrë disa gjurmë gishtash në vendin e vjedhjes. Në këto kushte, policia ka pyetur avokaten në lidhje me personat, të cilët mund të kishin gjurmët e gishtave aty, shenjat e të cilëve janë marrë për përjashtimin e tyre nga dyshimet për vjedhje. Më pas, gjurmët janë dërguar në laboratorin e kriminalistikës, nga i cili, pak ditë më parë ka dalë konfirmimi, që është dërguar pranë Komisariatit Nr. 2 në Tiranë. Nga këto informacione, sipas të dhënave, pranë Komisariatit Nr. 2 në Tiranë deklarohet se “për vjedhjen e banesës së shtetases Erinda Ballanca, më datë 28 shtator 2012, filloi procedimi penal dhe po punohet për kapjen e shtetasit Ermal Faik Ballanca, 37 vjeç, banues në Tiranë”. Sipas të dhënave, 37-vjeçari rezulton të jetë vëllai i avokates Erinda Ballanca. Megjithatë, policia nuk ka dhënë detaje nëse ka vënë në dijeni avokaten për këto dyshime, apo për veprimet e mëtejshme ndaj vëllait të saj.