Laç
Mjeku rrëfen momentin e ngjarjes: Po hapja farmacinë, kur mora plumbin
Ardian Bushi
Atentat në sy të gruas drejtorit të Shëndetit Publik në Kurbin, i cili njëkohësisht është edhe kryetar i degës së Partisë Demokratike në këtë zonë. Mjeku Arben Bruka është qëlluar me një plumb, që e ka plagosur në këmbë, por fatmirësisht pa pasoja për jetën. Atentati ndaj tij ka ardhur nga persona të paidentifikuar vetëm pak minuta, pasi objektivi ishte ndarë nga fëmijët e tij dhe po shoqëronte të shoqen për në farmaci. Në momentin që është qëlluar, Bruka mësohet se ka qenë duke hapur qepenin e farmacisë, që drejtohet nga bashkëshortja e tij, e për pasojë ka mbetur i shtrirë në trotuar, ndërsa autori ka përfituar nga mungesa e vëmendjes për t’u larguar pa e vënë re askush. Policia e Kurbinit është lajmëruar për ngjarjen pas mbërritjes së drejtorit në spital, edhe pse vendi ku është plagosur ai, nuk është më shumë se 500 metra larg nga Komisariati i Kurbinit.
Plagosja e mjekut
Nga hetimet e deritanishme të Policisë së Kurbinit mësohet se Arben Bruka, me detyrë drejtor i Shëndetit Publik në Laç, është qëlluar me automatik në orën 8.00 të mëngjesit. Autori i plagosjes së tij mendohet se kishte planifikuar gjithçka për atentatin ndaj funksionarit, me detyrë mjek. Personi i paidentifikuar dyshohet se pasi ka hyrë nga lagjja nr. 6 e qytetit, ka kaluar nëpër trasenë e ish-hekurudhës, e duke përfituar nga një përrua, i cili ishte i mbuluar me pemë, i është afruar një pallati, ku ka pritur Arben Brukën. Janë dashur më shumë se tri orë për grupin hetimor, që të ndërtojë skemën e krimit. Sipas burimeve të informacionit, personi që ka qëlluar mbi Brukën, ka mundur të largohet shumë shpejt nga vendngjarja dhe plagosjen e ka kryer në një distancë e largët. Pas kërkimeve për gëzhojën, policia ka mundur të gjejë pozicionin, që i paidentifikuari kishte zgjedhur për të qëlluar. Aty ka gjetur edhe një gëzhojë automatiku. Burime zyrtare të policisë bëjnë të ditur se po punohet intensivisht për zbulimin dhe arrestimin e autorit, megjithëse ende nuk ka një pistë të qartë për krimin e rëndë. Aktualisht, policia ka rrëzuar pistën se ai mund të jetë qëlluar për shkak të detyrës, por nuk ka prova as për pista të tjera, si ajo e ndonjë konflikti të mundshëm, apo konkurrence ndaj drejtorit rajonal të Shëndetit Publik. Policia nuk përjashton as mundësinë se autori të jetë paguar për atentatin ndaj drejtorit të Shëndetit Publik, megjithëse dyshimet janë të vogla. Deri në orët e vona të mbrëmjes nuk ka pasur ndonjë njoftim zyrtar mbi detajet dhe arsyet e këtij krimi të rëndë.
Rrëfen mjeku
I pyetur mbi ngjarjen, Bruka ka deklaruar se nuk ka asnjë konflikt dhe nuk kishte ndonjë person të dyshuar mbi këtë krim. “Sot në mëngjes, dola nga shtëpia, me gruan dy fëmijët. Në ato momente erdhi vjehrri dhe mori fëmijët për t’i çuar në shkollë, ndërsa vetë me gruan, kaluam rrugën dhe dolëm para farmacisë. Sapo kam nisur për të hapur qepenin, më ka ardhur plumbi dhe kam rënë përtokë. Nuk e di nga erdhi, apo si erdhi. Nuk e kam menduar kurrë një gjë të tillë, që mund të më ndodhte, për më tepër që as unë dhe as familja ime nuk kemi pasur kurrë konflikte. Madje jam i habitur për ngjarjen. Nëse do të kisha pasur në ato momente njeri afër, do dyshoja se nuk isha unë objekt i plagosjes. Jam në pritje të zbardhjes së ngjarjes dhe zbulimit të autorit të plagosjes, për të mësuar edhe unë arsyen e kësaj plagosje”, ka shpjeguar Arben Bruka nga Spitali Ushtarak në Tiranë.
Bruka – “Me gruan, kaluam rrugën dhe dolëm para farmacisë. Sapo kam nisur për të hapur qepenin, më ka ardhur plumbi dhe kam rënë përtokë”
Kreu i PD – Arben Bruka njihet si një nga liderët historikë të PD-së në këtë qytet dhe aktualisht është kryetar i PD-së për degën e Kurbinit
Masat
Policia “pushton” Laçin
Forca të shumta të Drejtorisë së Policisë së Lezhës kanë mbërritur në Laç për të vijuar kërkimet për gjetjen dhe arrestimin e autorit të plagosjes. Ndërkaq janë ngritur postblloqe të shumta në hyrje dhe dalje të qytetit, por deri në orët e vona të natës nuk është bërë i mundur zbulimi i autorit. Ndërkohë, lagjja nr. 3, ku edhe ka ndodhur plagosja, është kontrolluar e tëra, por nuk është zbuluar asgjë e dyshimtë.
Jeta
Kush është Arben Bruka
Mjeku Arben Bruka njihet si person publik në Laç. Ai ka punuar si mjek në qytetin e Milotit dhe në Laç prej vitesh, ku njihet si një njeri i qetë dhe pa probleme. Për vite të tëra ka qenë dhe vazhdon të jetë një nga liderët e PD-së në këtë qytet. Ai është kryetar i PD-së për degën e Kurbinit, pozicion, të cilin e mban prej më shumë se dhjetë vitesh. Ai ka qenë edhe kryetar i Këshillit të Bashkisë së Laçit, në kohën kur drejtohej nga ana e PD-së.