ISMAIL QEMALI, I HARRUARI I PAHARRUAR

YLLI POLOVINA

Nuk ka shqiptar që nuk e di se ditëshpalljen e pavarësimit tonë më 28 Nëntor 1912 e ka bërë Ismail Qemali. E njohin me emër dhe me pamje. Pa dyshim pas Gjergj Kastriot Skënderbeut është figura më popullore dhe më konsensualja. Ja pse është dhe do të mbetet i paharruar.

Por atëherë përse qenka edhe i harruar?

Për një arsye fare të thjeshtë. Asnjëherë për publikun e gjerë nuk është kryer ndonjë përpjekje për ta bërë të ditur përmasën e tij të plotë politike dhe intelektuale, njerëzore po ashtu. Atdhedashurisë sonë, por edhe pasionit nacionalist, të cilin e kemi tipik për nga shfaqjet e vrullshme dhe të sipërfaqshme, i ka mjaftuar vetëm pak gjë: përshkrimi i tij si një plak patriot e babaxhan, hipur mbi një ballkon, tek ngre flamurin me shqiponjë. Pas kësaj ne mallëngjehemi dhe brohorasim. Për ta bërë gjurmëmbetës këtë imazh-mesazh nëpër dekada të tëra të këtij njëqindvjeçari mëvetësimi, sepse vijon edhe tani, na paraqitet një foto. Ndërkohë janë shumë të paktë ata që e dinë se ajo, edhe pse përherë poshtë saj ka fjalët “Ismail Qemali duke ngritur flamurin kombëtar në Vlorë më 28 Nëntor 1912”, në të vërtetë është e dymbëdhjetë muajve më pas, e përvjetorit të parë të pavarësimit, 1913. Është mbuluar kështu mungesa e një fotoje të atij çasti dhe në këtë kuptim kjo është një gënjeshtër nga zori. Megjithatë, duke mos e bërë të qartë të vërtetën, kjo sjellje meriton të konsiderohet skandali më i madh i të njëqind viteve tona. Veç ka të ngjarë që përhapja e kësaj pasaktësie nuk na ka preokupuar shumë. Për mbajtjen gjallë të patriotizmit tonë mjafton që kjo ka ndodhur, hollësi të tjera mund t’u duhen studiuesve apo disa kureshtarëve.

Masivisht shqiptarëve, të cilët e duan sinqerisht dhe shumë Ismail Qemalin, në sajë të një diversioni politik të diktaturës, iu fsheh lidhja gjinore me familjen Vlora dhe u desh jo ndonjë dijetar, institucion apo bashkësi jashtëqeveritare, por një stërnip i tij me pasion studimor, Darling, që të mund t’ia parashtronte Akademisë së Shkencave dhe kjo të kishte inteligjencën dhe mirësinë ta bënte në Enciklopedinë e vitit 2008 saktësimin: vendosjen e mbiemrit real, Vlora. Tepër ngadalë, por megjithatë këmbëngulshëm, pas vitit 1990 u zbulua se si janë anashkaluar pasardhësit e djemve të tij, çfarë ishte një intrigë shteti dhe nuk mund të qortosh njeri përse këtë paudhësi nuk e dinim për një gjysmë shekulli. Ndërkohë këto ditë, siç është bërë e njohur edhe më parë, por edhe që mund të vazhdojë të rirrëfehet, kjo histori e dhimbshme dhe e nevojshme për t’u ngulitur në kujtesën kombëtare, nuk po shoqërohet me një veprim më të rëndësishëm: një përpjekje për të paraqitur tërësinë e dimensionit të Ismail Qemalit. Ai është një person politik me kapacitet të jashtëzakonshëm, të papërsëritshëm deri tani. Na e kanë mësuar dhe ne këtë e kemi bërë edhe me të tjerët, brezat e rinj, se madhështia e tij nis atë 28 Nëntor, kur në të vërtetë në këtë ditë të shënuar ai mbërriti si një personalitet shumë i famshëm. Thua do ta linim mënjanë po të mos e kishte ngritur atë flamur?

Vlerësimi që i bënë bashkëkombësit më 1912-n, tepër i shënuar, do të duket gjithsesi vetëm pjesë e një kulmimi të gjatë të tij, po të informohet posaçërisht publiku i gjerë për të paktën dymbëdhjetë vite para ditëshpalljes së pavarësisë, duke nisur 28 prilli 1900, kur ai u arratis nga Perandoria Osmane dhe jetoi në Europë. I madh dhe i vogël duhet ta dinë, mes shumë gjërave që nuk ua kanë bërë të njohur as në libra shkolle, botime të veçanta apo dokumentarë popullorë, se në 7 maj 1990, në një telegram të përfaqësisë perandorake gjermane në Athinë dërguar princit, kancelarit të Rajhut, mes të tjerash shkruhet se “Që prej disa kohësh ndodhet këtu funksionari turk Ismail Qemal Beu, i emëruar para pak kohësh si guvernator i Tripolit. Për arsyet e pranisë së tij këtu unë munda të mësoj, në mirëbesim, sa vijon:…

Për sa u përket planeve të tij të mëtejshme, ai i është shprehur një të njohuri të tij këtu, se, megjithëse pa pasuri, e sheh me qetësi të ardhmen. Duke bërë pjesë në partinë e xhonturqve, ai ka qenë gjithnjë një partizan i reformave në jetën shtetërore turke dhe gjithmonë. Me një burrëri të shënuar, i ka shprehur hapur bindjet e tij. Thonë se edhe sulltani këshillohej shpesh me të. Më vonë, si pasojë e intrigave të pallatit dhe për arsye se ai i përkrahte gjallërisht synimet autonomiste të Shqipërisë, pozita e tij në sytë e sulltanit u keqësua gjithnjë e më tepër, sa arriti puna që ta kanoste rreziku i internimit…”

Një javë më pas, më 14 maj 1900, këtë herë një diplomat i një perandorie tjetër, asaj Austro-Hungareze, i vendosur në Vlorë, konsull me emrin Petroviç, do t’i niste shefit të tij në Ministrinë e Jashtme në Vjenë, baronit Kaliçe, këto fjalë: “Arratisja e Ismail Qemalit nga Stambolli, për të cilin po shkruhet shumë edhe në gazetat europiane, ka bërë bujë në Vlorë dhe në të gjithë Shqipërinë. Marr leje t’i raportoj Shkëlqesisë Suaj mbi të përmendurin sa vijon:….Ismail Beu është personaliteti më i nderuar dhe më popullor ndër shqiptarët që jetojnë sot. Ai…asnjëherë nuk është udhëhequr nga interesat materiale dhe me gjithë postet e tij të larta, nuk ka pasuri. Thonë se është një burrë me inteligjencë të rrallë dhe me shumë kurajë. Patriotët në personin e tij shohin shqiptarin më të shquar, shohin në të drejtuesin e tyre mendor dhe udhëheqësin e ardhshëm”.

Sikur të gjithë ta dimë se me sa entuziazëm e pritën arbëreshët e Sicilisë më 3 maj 1903 apo bashkëqytetësit e Vlorës pesë vite më pas, duke shtënë dhjetë herë me top dhe duke ia hequr karrocës kuajt për ta mbajtur në krahë atë që nga skela deri në qendër të qytetit…

Historia kombëtare harrohet nëpërmjet mosshkrimit dhe manipulimit, por edhe me pasqyrimin e saj të pjesshëm, propagandistik apo retorik. Madje kjo e fundit, edhe pse në pjesën dërrmuese nuk kryhet aspak qëllimisht, është më me pasoja, sepse kur ka pasur shtrembërim dhe mohim, si në rastin e Ahmet Zogut, çelet hapësirë vazhdimisht për t’i rikthyer gjërat në vendin e duhur. Kur është krijuar përshtypja se ka pasur pasqyrim dhe mbetet ndonjë gjë e vogël, nuk ka asnjë përndezje pasioni e vullneti për të shkuar më tej. Mendja ndihet e ngopur dhe kujtesa kombëtare nuk ka ngasje të marrë më shumë. Siç është rasti i Ismail Qemalit, prej veprës së të cilit nuk është thënë më e shumta, por krejtësisht më e pakta.

Kështu, mjaft nga ne ndihen të qetë e të papreokupuar se në Tiranë, në rast se pas Skënderbeut, do të gjykohet të ngrihet një monument tjetër, kjo shtatore e madhe e dytë meritohet nga Ismail Qemal Vlora.

I treti, sigurisht, prej Ahmet Zogut.

Autor te 3 Tetor 2012. Opinion. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry
  • ahmet hallvaxhiu

    Jam i nje mendje me ju Zoti Pollovina: Ismail Bej Vlora eshte figure e pare e pavaresise se Shqipperise. Nuk mjafton nje shkrim,nje artikull,nje bust,nje emer rruge,shkolle apo universiteti,nuk mjaftojne edhe monumente per kete figure shumeplaneshe.
    Cdo shqiptar ulet me nderim te vecante per plakun e mencur e mjeker bardhe,por me plot energji per te miren e ketij vendi.Ndaj edhe ne shatervanin e sheshit te flamurit ne Vlore jane kater sfera te medha prej guri-qe na kujtojne kater vilajetet: Shkodra,Prizreni,Shkupi dhe Janina.! Vetem dy prej ketyre vilajeteve kane shtetet e tyre shqiptare te pavarura: Shqiperia e Kosova! Kane mbetur edhe dy vilajete te tjera: Janina dhe Shkupi.te dyja shqiptare,qe te mund te cohet ne fund amaneti plakut te urte te Vlores Ismail Bej qemal Vlora. Cdo shqiptar duhet te punoje fort e pa u lodhur per kete amanet te madh por te pa kryer ende. Brezat do e bejne realitet. Respekt dhe zoti i bekofte shqiptaret.Ing Ahmeti,Tirane.

  • ali brahimi

    Të lumtë o “luftëtar” i pendës, urime z.Pollovina.

  • ilir

    Ju takon ju studiuesve qe te perpiloni nje monografi te plote per I. QEMALIN e cila do te jete e qendrueshme ndaj kohes.Perndryshe jane gati pseudohistorianet e komunizmit(Puto,Milo)
    te paraqesin variantin e tyre.