Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti gjatë takimit që ka pasur me homologun e tij grek, Dimitris Avramopoulos në Athinë, ka kërkuar rivlerësim të çështjes çame dhe respektim të Kushtetutës për çështjen e kufirit detar mes dy vendeve. Në faqen zyrtare të Ministrisë së Jashtme, thuhet se:
“Duke iu referuar çështjes së kufirit detar mes dy vendeve, Ministri Panariti theksoi se ajo do të trajtohet nga pala shqiptare në përputhje me interesat e vendit, kushtetutën dhe legjislacionin ndërkombëtar. Njëkohësisht, ai tha gjatë takimit se çështja çame dhe e pronave të shqiptarëve në Greqi kërkon zgjidhje. Ministri Panariti kërkoi, gjithashtu, zgjidhjen e shpejtë të problemeve të vërejtura në lidhje me lëvizjen e lirë të shqiptarëve që udhëtojnë drejt Greqisë dhe dokumentet e tyre. Ai kërkoi, gjithashtu, shmangien e legalizimit te dokumenteve të të dy vendeve përmes hyrjes në fuqi në marrëdhëniet reciproke të Konventës për Vulat Apostille, kërkesë e cila gjeti mirëkuptimin e Ministrit Avramopulos.
Gjatë bisedimeve të dy Ministrat shprehën shqetësimin për rritjen e frymës nacionaliste dhe siguruan për vullnetin dhe angazhimin e tyre për një politikë që dekurajon çdo retorikë manipuluese e me ngarkesë nacionaliste që dëmton marrëdhëniet mes dy vendeve tona”, thuhet në faqen e Ministrisë së Jashtme.
Në takim është vlerësuar rëndësia që ka për dy vendet Projekti TAP. “Nënshkrimi, një javë më parë, në Nju York i “Memorandumit të Mirëkuptimit” për bashkëpunimin trepalësh lidhur me këtë projekt midis Italisë, Greqisë dhe Shqipërisë përbën një mbështetje të rëndësishme politike, një garanci për suksesin e ndërtimit të tij të shpejtë, dhe një inkurajim real për një vendim pozitiv nga konsorciumi Shah Deniz 2 për përzgjedhjen e TAP si projekti më i mirë në garë. Zbatimi i këtij projekti do ta sjellë bashkëpunimin ekonomik dhe energjetik në nivelet më të larta që kanë njohur vendet tona. Në këtë kontekst bashkë me Ministrin Avramopulos u angazhuam për të punuar ngushtësisht për të përmbushur me përgjegjësi të lartë dhe seriozitet të gjitha detyrimet që u dalin vendeve tona nga një vendim eventual pozitiv i konsorciumit për gazsjellësin TAP”, u shpreh Panariti gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, të zhvilluar pak takimit.
3 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)