Lekbello nuk u beson të kuqve, Çoçli kërkon surprizën e heshtur
Altin Manallari
Vetëm një javë më parë nuk ka zhgënjyer pritshmëritë. Derbi mes Tiranës dhe Partizanit, i cili erdhi si një dhuratë e bukur për të pasionuarit që në turin e parë të Kupës së Shqipërisë, u shndërrua në një reklamë të mirë për futbollin shqiptar. Por sot, klasikja shqiptare kthen sërish në fushë dy “armiqtë e përbetuar” për të luajtur edhe aktin e dytë dhe të fundit të derbit, i cili do të vendosë kualifikimin për në turin tjetër të vetëm njërës skuadër. Më në fund është saktësuar. Takimi do të luhet në orën 19:00, në një “Qemal Stafa” me drita, i cili do t’u japë mundësinë tifozëve të shumtë të mos e humbasin këtë duel gjigantësh. Edhe pse FSHF kishte kërkuar që takimi të mos luhej në impiantin e vetëm kombëtar, ku pas më shumë se një jave do të duhet të zbresë përfaqësuesja në dy ndeshjet përkatëse ndaj Sllovenisë dhe Islandës, Tagani thekson se “ne nuk mund të luajmë në stadiumin ‘Selman Stërmasi’, pasi kjo është një ndeshje derbi dhe aty do të ishte e vështirë të garantonim sigurinë e tifozerisë”. Bardheblutë e fituan ndeshjen e parë 2-1, por kualifikimi është ende i hapur. Tirana vjen në këtë sfidë si favorite dhe për këtë, administratori Salih Tagani nuk ka asnjë dyshim. “Pa diskutim që jemi favoritë për kualifikimin, pasi kemi fituar takimin e parë, thekson drejtuesi i lartë i 24-herë kampionëve të vendit.
Partizani dhe djemtë e rinj të tij i dhanë bukuri sfidës, duke e bërë të ngrihej në nivelin e vërtetë të një derbi. Edhe atmosfera në stadium ishte e jashtëzakonshme. Uroj që e tillë të jetë edhe në ndeshjen e kthimit dhe ju bëj thirrje tifozëve që të na mbështesin, duke qenë sa më të shumtë në shkallët e stadiumit. I uroj skuadrës sime një fitore më të lehtë se sa ajo e ndeshjes së parë”. Por trajneri Artur Lekbello nuk do që të tijtë të mendojnë se janë favoritë dhe gjithçka ka mbaruar, pasi një derbi mbetet gjithmonë i paparashikueshëm. Ndaj ka vendosur të luajë me skuadrën më të mirë, duke mos e nënvlerësuar kundërshtarin. “Nuk dua që lojtarët e mi të mendojnë se jemi kualifikuar, sqaron Lekbello. Nëse rezultati do të kishte qenë më i thellë, ndoshta do ishim të relaksuar”. Tifozeria bardheblu kërkon goeladë, por për trajnerin, në radhë të parë ka rëndësi realizimi i objektivit: “Derbi ka bërë që lojtarët tanë të kenë pasur më shumë lodhje se sa ekipet e tjera. Nesër (sot) do të jemi shumë të vendosur. Objektivi është vetëm kualifikimi. Nëse ai do të vijë me shumë gola, do të jetë edhe më i bukur për Tiranën”. Në anën tjetër, trajneri i Partizanit, Nikolin Çoçlli, edhe në këtë ndeshje kthimi synon të mbajë një profil të ulët të skuadrës, edhe pse beson se kualifikimi do të vendoset vetëm pas përfundimit të ndeshjes së kthimit. Paraqitja në ndeshjen e parë duket se i ka ndihmuar të kuqtë të vlerësojnë potencialin brenda grupit dhe të gjejnë vetëbesimin. “Ata elementë që shfaqëm në ndeshjen e parë, mendoj se duhet t’i shfaqim edhe nesër (sot), sepse ndryshe hedhim poshtë gjithçka që bëmë në javën e parë. Duhet të japim maksimumin. Nuk dua të flas për kualifikimin, por them se në ndeshjen e dytë hyjmë për të mbrojtur atë fanellë që përfaqëson Partizani dhe t’u japim tifozëve kënaqësitë që u mungojnë nga kjo skuadër”.
Kupa e Shqipërisë (Turi I)
Ndeshjet e kthimit
SOT
Grupi A
Skënderbeu-Olimpik (2-2)
Tirana-Partizani (2-1)
Kastrioti-Himara (2-0)
Vllaznia-Iliria (2-0)
Shkumbini-Butrinti (0-2)
Apolonia-Elbasani (0-0)
Kukësi-Besëlidhja (4-2)
Kamza-Dinamo (1-0)
Grupi B
Teuta-Gramozi (4-0)
Flamurtari-Naftëtari (1-0)
Bylis-Tërbuni (2-0)
Laçi-Mamurrasi (3-0)
Tomori-Ada (1-2)
Luftëtari-Gramshi (0-1)
Besa-Burreli (4-1)
Pogradeci-Lushnja (0-5)
*Të gjitha ndeshjet do të luhen në orën 14:30, përveç Tirana-Partizani në 19:00