Kryeministri Sali Berisha ka dal në një konferencë për shtyp për rreth 90 minuta, për të biseduar me gazetarët çështje të ndryshme të aktualitetit. Akuzat për trafik armësh, greva e ish-të përndjekurve, takimet me nxënësit e shkollave, privatizimi i Albpetrolit, të ardhurat nga privatizimet, aleanca me LSI-në ishin disa nga temat që kryeministri preku në këtë konferencë.
Në reagimin e parë lidhur me skandalin e shitjes së armëve luftarake të denoncuar prej ditësh tashmë në daljet për shtyp të deputetit socialist, Erjon Braçe, kryeministri Berisha i quajti akuzat trillime. Berisha deklaroi se është “një fushatë e organizuar, e strukturuar shpifjesh dhe trillimesh që ka si qëllim vetëm diskreditimin. Për dy muaj rresht, ccdo ditë u shpif se u përgjua opozita dhe ambasadat dhe nuk sollën asnjë fakt të vetëm. Dilet e deklarohet se kemi bërë afera me Malin e Zi dhe u paskemi dhënë nga dy predha për familje. Por, Mali I Zi është një vend mik dhe ata që mendojnë për përlyerjen e ushtrisë dhe pengimit të bashkëpunimit, por ne kemi një marrëdhënie të shkëlqyer me ta. Pavarësia e Malit të Zi është parë me dhimbje të madhe nga Beogradi dhe nga grupe të vogla, që e shohin ende si një vend armik, si në kohën e komunizmit. Ata janë partnerë dhe ne e mbështesim plotësisht në procesin e anëtarësimit në NATO”.
Në lidhje me grevën e ish- të përndjekurve, Berisha u shpreh se nuk negocion me ata që hyjnë në grevë urie dhe se sipas tyre ata i kanë marrë paratë sipas ligjit.”Ne kemi vendosur dëmshpërblim të plotë për vitet e burgut, për ekzekutimet etj. Mbi këtë platformë janë shpërndarë miliarda e miliarda lekë gjatë këtyre viteve. Kjo është e vërteta. Kjo shpërndarje është bërë me transhe. Janë mbi 11 mijë dosje. Për secilin nga këto dosje është dhënë kësti i parë. Vazhdon dhënia e këstit të dytë. Tek kësti i dytë është marrë një vendim me kërkesën e tyre, që të përparësohen ata që janë mbi 65 vjeç, dhe unë këtë e quaj të drejtë. Është marrë një vendim tjetër: tu jepet e gjithë shumë atyre që janë mbi 85 vjeç, pra kuadri ligjor dora- dorës është amenduar tërësisht në interesin e tyre.
Qeveria ime do të qëndrojë gjer në fund detyrimit të dëmshpërblimit të të përndjekurve politikë si një domosdoshmëri morale, juridike e gjithanshme e kësaj shoqërie për tu ndarë nga një e shkuar e hidhur. Qeveria solli dhe votoi në parlament me një përballje shumë të madhe, ligjin për lustracionin, e mbështeti pjesa dërrmuese të përndjekurve politikë, asnjëri nga këta që sot kërkon këstet. Asnjëri prej tyre. Unë kam respekt për çdo lloj kundërshtie ndaj meje. Kur këta zotërinj përdorin kamerat dhe u thonë shqiptarëve se nuk na është dhënë asnjë këst, thonë një të pavërtetë të madhe. Unë sot u them shqiptarëve se secili prej tyre ka marrë këstin e parë në përputhje me ligjin e vendit. Ligji thotë se të dytin e marrin ata që janë mbi 65 vjeç. Le të protestojnë kundër Sali Berishës sa të kenë dëshirë. Nga ata që janë aty, të gjithë pa përjashtim që kanë dorëzuar dokumentin në afatin ligjor, kanë marrë këstin e parë. Kanë zgjedhur studion e Kristaq Ramës, mund të zgjedhin zyrën e Edi Ramës, këto nuk më impresionojnë mua, kam respekt për kundërshtarin.
Nuk negocioj kurrë me greva urie politike. Kur ndejtën tre javë PS para zyrave të mia, më mori një mik nga Brukseli në telefon, isha në Zagreb, më tha: si je, i thashë jam mirë, më tha mësova se Edi Rama do hyjë në grevë urie, do sakrifikohet, i thashë thuaj zotërisë dy gjëra, do e respektoj, do i jap një zyrë në kat të parë për grevë dhe së dyti do i përgatis fjalimin më të mirë për lamtumirën e tij, por kjo s’ka për të ndodhur se as ka për të hyrë në grevë e as ka për t’u flijuar. Ajo është një formë politike radikale me të cilën nuk ka negociata. I garantoj se ajo që u takon me ligj do jepet pa asnjë lloj hezitimi”, u shpreh Berisha. Në lidhje me aleancën me LSI-në, Berisha e ka vlerësuar si funksionale, ndërkohë që akuzuar kundërshtarin e tij politik Edi Rama, se po tenton të afrojë LSI-në. “Z. Rama u thotë anëtarëve të vet që unë nuk fitoj pa ardhur LSI dhe i thotë LSI-së: ik nga qeveria që të pranoj unë, duke treguar se është absolutisht jashtë çdo lloj standardi politik të besueshëm. Aleanca jonë me LSI-në ka ecur shumë mirë, normalisht dhe mendoj se kjo aleancë ka pasur arritje solide gjatë mandatit të saj”, ka thënë Berisha. Më tej kreu i mazhorancës është shprehur i hapur për një koalicion të mundshëm me LSI-në, por pa e fshehur ambicien për të fituar i vetëm në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. “PD në zgjedhjet e kaluara bëri koalicion me LSI-ne, me një vendim të saj, gjykoj unë, plotësisht të moralshëm në sensin që nuk u josh nga ofertat e dhjetëra miliona eurove të Ramës, por për faktin se në kodin ligjor dhe moral të vendit, duhet bërë marrëveshje me kualicionin më të madh në vend, dhe ky ishte PD.
Cilido të jetë vendimi i z.Meta apo i PD-së, PD mbetet e hapur plotësisht për aleancë me LSI-në dhe siç e dini PD është parti aleancash, theksoj se kjo është periudha e artë e saj, po kjo nuk më bën mua të jem i pavëmendshëm për aleanca sa më të gjera, sikundër do të bëj të gjitha përpjekjet e mundshme që në zgjedhjet e ardhshme të dalë fitimtar”, u shpreh Berisha. I pyetur për privatizimin e Albpetrolit dhe se çfarë do të bëhet me paratë që do të përftohen nga privatizimi, Berisha ka komentuar thjesht se: do t’u shkojnë shqiptarëve”, por pa specifikuar detaje. Kur vetëm pak ditë na ndajnë nga marrja e përgjigjes së progres-raportit të bërë nga Shqipëria për rrugën e saj Europiane, kryeministri Berisha theksoi se ai është një proces i cili bazohet tek meritokracia. Berisha nuk ka ngurruar të akuzojë kreun e opozitës Edi Rama se po përpiqet të bëjë pazare me statusin në një moment vendimtar, ashtu siç bëri me liberalizimin e vizave.
“Ky është një proces jo vetëm i angazhimit qeveritar, por siç është bërë i ditur kërkon angazhimin e të gjithë faktorëve politikë, nuk është sekret për askënd se në Shqipëri si në asnjë vend të Europës, as Shesheli as partia e Milloshevicit nuk janë ngritur dhe kanë bllokuar reformat siç ka bërë grupi i neobllokmenëve. Në vitin e parë qëndruan jashtë Kuvendit. Vitin e dytë u organizua përpjekja për të rrëzuar qeverinë si në asnjë rast tjetër dhe u rrethua KQZ, për të marrë mandat me dhunë. Unë bënë përpjekje më të papranueshme për bllokimin e vizave me vallen e famshme hap kutitë të çliroj vizat. Këto në gjeografinë politikë të Europës nuk ekzistojnë. Çfarë kërkon ai që ato që ka hedhur poshtë Gjykata e Lartë ti hedh poshtë. Rama kërkon mocionin aktual të qarkut të Fierit, pasi 50 këshilltarët nuk të votojnë ty, por ai kërkon tek unë pazar, siç bënte hap kutitë të liberalizohen vizat. Jam i vendosur të respektoj çdo vendim gjykatash, por parime themelore nuk shkelen. Në ligjet për vendorët në dy nene, sanksionohet të drejtën e këshillave të bashkive dhe komunave për të zgjedhur dhe shkarkuar përfaqësuesit në këshillin e Qarku. Ai përdor këto si pretekst”,- theksoi Berisha.
4 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)