Deputeti socialist, Erion Braçe ka përgënjeshtruar deklaratat e bëra nga ana e ministrit të Mbrojtjes Arben Imami, i cili e akuzoi deputetin e PS se po nxjerr dokumente sekrete shtetërore dhe se për këtë do të përgjigjet para ligjit.
Sipas Braçes, dokumentet që ai i ka servirur vazhdimisht për të denoncuar korrupsionin masiv të kryer nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes nuk janë të klasifikuara si sekret shtetëror dhe se në asnjë fletë të tyre nuk shënohet se janë dokumente sekrete.
“Të gjitha dokumentet që kemi paraqitur nuk shënojnë mbi to, siç e kërkon ligji nëse do ishin sekrete, që materiali i tyre është i tillë. Aty shënohet data. Por asnjë përcaktim se është dokument sekret, konfidencial apo material i kufizuar”.
Deputeti Braçe theksoi se dokumentet që ai zotëron dëshmojnë vetëm korrupsionin masiv të Imamit dhe disa gjeneralëve që kanë trafikuar armë kundrejt përfitimeve.
Braçe tha më tej se dokumentet e përdoruara nga ana e tij nuk kanë të bëjnë më sigurinë kombëtare, por janë vetëm urdhra publikë dhe kontrata tregtie të paligjshme që nxjerrin në pah korrupsionin e madh ku është zhytur kjo ministri.
4 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)