Gjino dhe Marigoja vijnë në Teatrin e Metropolit

Komedia “14 vjeç dhëndër” është vetëm një nga premierat e parashikuara në kalendarin artistik të qendrës kulturore “Tirana”. Drejtoresha Suela Konjari ka bërë një bilanc të biletave dhe të ardhurave gjatë 6-mujorit të parë të 2012-s

Oliverta Lila

Komedia e njohur e Andon Zako Çajupit, “14 vjeç dhëndër” do të vijë premierë në Teatrin e Metropolit. Kjo do të jetë vetëm një nga shfaqjet e kalendarit të gjashtëmujorit të dytë të vitit. Regjisorja Elma Dorezi ka nisur provat me aktorët e rinj për t’u përgatitur për premierën e 17 nëntorit. Pas Spiro Çomorës dhe komedisë së tij “Karnavalet e Korçës”, Dorezi vjen me një tjetër vepër shumë të njohur për publikun shqiptar. Po si do të vijë Tana dhe Vangjeli apo Gjinoja dhe Marigoja? Në këtë pikë risku i përsëritjes apo edhe i dështimit të ndërtimit të karaktereve është i madh. Filmi i realizuar nga Dhimitër Anagnosti u ka dhënë jetë, por edhe një pamje këtyre personazheve, të cilët mbeten më të dashurit e kinematografisë shqiptare. Regjisorja nuk do të flasë shumë për pjesën, duke qenë se është ende në fillimet e punës. “Do të jetë një platformë regjisoriale e bazuar te grotesku. Është bërë një adaptim i tekstit, i bazuar te Çajupi me të njëjtët personazhe, por duke sjellë skena dhe karaktere të ndryshme dhe interesante. Nuk do të kemi ndryshim kohe, por ndryshim në strukturë, kostumografi, skenografi e interpretim. Një nga trajtimet e personazheve do të jetë ndryshimi i gjinive jo tek aktorët, por në interpretimin e personazheve, që do të thotë, gratë do të sillen si burra dhe burrat si gra. Gjë që do të vihet re kryesisht te dyshja jonë kryesore, Tanë dhe Vangjel”, thotë Dorezi. Pikërisht duke iu referuar kësaj shfaqjeje, drejtoresha e qendrës kulturore “Tirana”, Suela Konjari theksoi angazhimin e të rinjve në institucionin që ajo drejton dhe risitë që ata kanë sjellë në skenë. “Shpesh këta të rinj edhe janë paragjykuar kur kanë nisur punën për shfaqje të tilla, por ata kanë treguar se kanë plot ide dhe sjellin risi në skenë”, ka theksuar Konjari. Duke bërë një analizë të gjashtëmujorit të këtij viti(janar-qershor), krahasuar me një vit më parë, Konjari thekson se kanë pasur 89 të rinj të aktivizuar përkundrejt 62 në vitin 2011, 9036 spektatorë përkundrejt 5480 një vit më parë dhe 6886 bileta të shitura kundrejt 4580. “Të ardhurat që kemi marrë nga ky 6-mujor janë rritur me 30% më shumë ose thënë në shifra 2 milionë e 100 mijë lekë krahasuar me 1 milionë e 615 mijë të vitit 2011”, ka theksuar Konjari. Duke theksuar se pjesa e parë e vitit shënoi 10 premiera në këtë institucion, drejtoresha e Teatrit të Metropolit renditi disa nga aktivitetet që do të mbushin kalendarin deri në fund të këtij viti. Teatri për fëmijë nisi me premierën “Në qytetin e kafshëve”, për të vazhduar gjatë tetorit me “Gara e Flamujve” me regji të Armela Demaj dhe në muajin nëntor me “Kopshti i çudirave”, përrallë e përshtatur në balet nga koreografi Llaqi Nako. Ndërkohë, “Ëndrra në papafingo”, shfaqja e regjisorit Erion Isai do të çelë teatrin për të rritur. Kalendari do të vazhdojë me veprën e Haqif Mulliqit “Katër epoletat” që do të ngjitet premierë më 9 nëntor, e cila do të pasohet me “14 vjeç dhëndër” dhe një mbrëmje gala më datë 28 nëntor. Konjari thekson se do të ketë një ndërthurje të vazhdueshme brezash aktorësh dhe një larmishmëri aktivitetesh.

 

Suela Konjari: Nuk u kemi borxhe aktorëve

“Ne jemi të qetë se nuk na troket dera. I kemi paguar të gjithë artistët, nuk kemi borxhe ndaj tyre”, tha në konferencën e djeshme drejtoresha e qendrës kulturore “Tirana”, Suela Konjari. Kjo shprehej tingëlloi si batutë, por në fakt, është një realitet artistik i hasur rëndom në institucionet e kulturës. Bëhet fjalë për vonesa të theksuara pagesash për realizime projektesh. Në të shkuarën kemi qenë dëshmitarë edhe të denoncimeve të tilla, atëherë kur “kupa nuk ka mbajtur më”. Në fakt, “Teatri i Metropolit” nuk ka aktorë të punësuar, por funksionon në bazë të konkurrimit të projekteve. E ndërsa konferenca mbahet në sallën “Shekspir”, pyetja që shkon për Konjarin ka të bëjë me problemet infrastrukturore që ka paraqitur ky ambient, veçanërisht gjatë periudhës së dimrit, ku një pjesë e saj e fuste shiun brenda. “Nuk ka më probleme të tilla, sepse salla i është nënshtruar një restaurimi gjatë verës. Spektatorët mund të hyjnë pa frikë në të”, thotë Konjari.

Autor te 4 Tetor 2012. Kulturë. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry