“Fiks Fare”


Specialisti: “Mësuesit e rinj, të pakualifikuar, por është urdhër i titullares”


Njëzet mësues janë transferuar nga shkollat e qytetit apo komuna e Fratarit për në fshatrat më të largët të Mallakastrës.


Një grup mësuesish u ankuan në “Fiks Fare”, se me urdhër të drejtoreshës së Drejtorisë Arsimore Rajonale të Fierit, ata duhet të bëjnë 70-100 kilometra rrugë më këmbë çdo ditë për të përhapur dijen. Janë mësues me nga 20 vjet dhe 30 vjet përvojë në mësimdhënie dhe transferohen për t’ua lënë vendin mësuesve të rinj pa përvojë.


Ata ankohen se ky transferim që është bërë me urdhër të drejtoreshës e Zyrës Arsimore të Mallakastrës, Sabire Hoxha, është pa asnjë lloj kriteri, madje sipas tyre, është shkelur ligji për kontratat kolektive.


Arsyetimi i këtyre lëvizjeve nga kjo zyrë, është përmirësimi i mësimdhënies. Rreth 20 mësues në këtë rreth janë larguar, ndërkohë që janë zëvendësuar me mësues të pakualifikuar.


Mësuesit e Ballshit që janë larguar nga shkolla e mesme “Dervish Hekali” janë transferuar në shkollat e fshatrave të kësaj zone, duke i detyruar që të japin lëndë për të cilat nuk janë kualifikuar. Ndër të tjera, këta mësues nga shkolla e mesme i kanë dërguar të japin mësim në shkollat 9-vjeçare, ndërkohë që ata janë diplomuar për të dhënë mësim në shkolla të mesme, pasi në diplomat e tyre të universitetit shënohet se u është dhënë titulli “Mësues për Shkollat e Mesme”.


Transferime të tilla janë bërë edhe në Komunën e Fratarit, ku mësues të kësaj zone, të vjetër në profesionin e mësimdhënies, janë transferuar dhe detyrohen të ecin kilometra të tërë për të dhënë mësim të lëndëve që janë jashtë profesionit të tyre.


Specialisti i personelit në Zyrën Arsimore të Mallakastrës, Izet Elmazi, edhe pse nuk ka qenë dakord me këto lëvizje ngre supet përpara këtyre transferimeve të pamotivuara. Zyrtarisht shpjegon se transferimet janë bërë në kuadër të përmirësimit të mësimdhënies, pasi sipas tij, ka pasur ankesa nga prindër e nxënës. Por, emërimet e reja kanë ulur nivelin e mësimdhënies në këto shkolla. Ai deklaron se nuk ka qenë dakord për këto lëvizje sepse në shkollën e mesme të Ballshit, mësuesit e transferuar nuk janë zëvendësuar me mësues të kualifikuar, madje, në të shumtën e rasteve, ai nuk ka qenë dakord për këto lëvizje. Por, këto transferime janë bërë me urdhër të titullares së institucionit të Drejtorisë Arsimore të Fierit, kështu që ai është i pafuqishëm për ta kundërshtuar këtë urdhër.


Kryetari i Sindikatave të Arsimit dhe Shkencës, Xhaferr Dobrusha, tha dje për “Fiks Fare” se këtë vit të ri shkollor ka pasur transferime të shumta të mësuesve, sidomos nga Drejtoria Arsimore e Hasit dhe e Mallakastrës. Sipas tij, të gjitha këto lëvizje bien në kundërshtim me ligjin e arsimit dhe janë shkelje flagrante me kontratat kolektive. “Rasti i transferimeve të mësuesve me përvojë nga Zyra Arsimore e Mallakastrës po bëhet për arsye korruptive ose politike, pasi këto transferime janë në kundërshtim të plotë me ligjin ekzistues”, theksojnë përfaqësuesit e Sindikatës së Arsimit në vend.