Teherani duket se është pranë kaosit të shkaktuar nga bllokada perëndimore


Policia u përplas me demonstruesit dhe tregtarët e valutës në Teheran dje, pas rënies së fortë të vlerës së monedhës vendase rial, kundrejt dollarit amerikan, raporton “Reuters”. Riali ka humbur 40 për qind të vlerës brenda javës së fundit. Policia përdori gazin lotsjellës për të shpërndarë demonstruesit e zemëruar nga tkurrja e vlerës reale të të ardhurave dhe kursimeve të tyre. Protestuesit hodhën parulla kundër qeverisë, duke argumentuar se politikat e tij kanë shkaktuar krizën ekonomike.


Riali ka humbur vlerën e vet, për shkak se refuzimi i pjesës dërrmuese të botës për blerjen e naftës së Iranit ka sjellë rënie të të ardhurave valutore të këtij vendi dhe ka eliminuar aftësinë e bankës qendrore në mbështetjen e monedhës së vet. Iranianët i ka zënë paniku dhe janë përpjekur të blejnë monedhat e forta, duke sjellë shkatërrim të rialit, si dhe rritje të shpejtë të çmimeve të mallrave të konsumit. Zyrtarisht inflacioni është rritur me 25 për qind gjatë vitit të fundit, duke treguar se presioni mbi Teheranin po shtohet me shpejtësi. Qeveria akuzon se riali u shkatërrua nga spekulantët dhe ka urdhëruar shërbimet sekrete të veprojnë kundër tyre. “Çdokush dëshiron të blejë dollarë dhe situata është shumë e ngjashme me një panik bankar”, tha një diplomat perëndimor në Teheran. Njoftimi i qeverisë për shtypjen e spekulantëve, jo vetëm që nuk ndihmoi, por duket se ka nxitur njerëzit të blejnë më shumë valutë.


Vëzhguesit thonë se protestat përbëjnë kërcënim për Presidentin Ahmadinexhad më shumë se sa për qeverinë, por mandati i tij përfundon në qershorin e ardhshëm dhe ai nuk kandidon dot për një mandat të tretë. Vëzhguesit thonë se qeveria do të ndalojë shkëmbimin e lirë të valutave, si dhe do të hedhë dollarë në qarkullim për të parandaluar protestat. Pazari kryesor i Teheranit, ku tregtarët luajtën një rol të madh në revolucionin e vitit 1979, u mbyll ditën e djeshme. Një tregtar tha se nuk ishte në gjendje të shiste mallra të importuara, për shkak të pasigurisë me çmimet.


Disa ditë më parë, ministri izraelit i Financave njoftoi se ekonomia e Iranit është “në prag të kolapsit”. Shumë biznesmenë dhe njerëz të zakonshëm thonë se qeveria së paku është pjesërisht përgjegjëse për krizën e monedhës. Qeveria u përpoq të balanconte tregun javën e kaluar dhe hapi “qendra këmbimi” për të furnizuar dollarë, por këto qendra nuk e përballuan dot kërkesën. Në Parlamentin e Iranit, Presidenti pritet të merret në pyetje nga deputetët e opozitës. Ndikimi i sanksioneve është i dukshëm edhe në Dubai, një qendër e rëndësishme për tregtinë me Iranin. Këtu raportohet një rënie e ndjeshme e volumit të tregtisë me këtë vend. Kërkesa ka rënë ndjeshëm dhe tregtarët iranianë refuzojnë të blejnë në pritje të stabilizimit të kursit të këmbimit.