Studiuesit e gjuhës shqetësohen për përmbajtjen e teksteve aktuale 


Shpresa Mezini


Vendimi i Senatit të Universitetit të Tiranës për përfshirjen e gjuhës shqipe si lëndë me zgjedhje në këtë institucion ka sjellë reagimet e para në radhët e gjuhëtarëve. Të tilla janë deklaratat e drejtorit të Institutit të Gjuhësisë, Valter Memishaj, i cili kërkon me këmbëngulje që teksti i gjuhës shqipe të përfshihet në kurrikulat akademike si lëndë e detyruar jo me zgjedhje.


E ndërsa studiuesit e gjuhës shqipe e përshëndesin vendimin e senatit të UT-së, për futjen e gjuhës si lëndë me zgjedhje, hedhin idenë se ajo duhet të jetë e detyruar dhe të shtrihet në të gjithë sistemin arsimor të lartë, si privat edhe shtetëror.


“I kërkoj senatit të Universitetit të Tiranës që vendimi për përfshirjen e gjuhës shqipe në 8 fakultetet e Universitetit të Tiranës, të shtrihet edhe më gjerë, në të gjitha institucionet e arsimit të lartë, publik e privat. Ndërsa theksoi faktin që kjo lëndë duhet të jetë e detyruar, jo me zgjedhje, siç ka propozuar UT”, tha Memishaj.


Deklaratat e tij shkojnë edhe më tej, nuk lidhen vetëm me faktin që ky tekst duhet të jetë pjesë e të gjitha programeve akademike që ofrojnë fakultetet në vend, por edhe me përmbajtjen e tij dhe pedagogët që do e japin këtë lëndë. Kështu, drejtori i Institutit të Gjuhësisë ngre shqetësimin si për përmbajtjen e teksteve aktuale të gjuhës shqipe, ashtu edhe për pedagogët që do u mësojnë studentëve njohuritë e saj.


“Ne nuk duhet të biem përsëri në rimarrje të informacionit drejtshkrimor, morfologjik, sintaksor, por duhet të kemi ato që quhen disiplina të shkrira, në funksion të njëra-tjetrës, jo të bëjmë përsëri rregulla drejtshkrimi, rregulla morfologjie pavarësisht se ato i kanë në vetvete. Pedagogët mos synojnë të bëjnë ca teste për të marrë studentët në provim dhe studenti mos ta mendojë gjuhën shqipe vetëm sa për të plotësuar testin, për të marrë një notë, për të plotësuar disa kredite me qëllim përfundimin e sistemit bachelor, master, apo shkallë të tjera”, theksoi Memishaj. Në emër të studiuesve të gjuhës, drejtori i Institutit të Gjuhësisë nuk ngurron të ngrejë dyshime për numrin e konsiderueshëm të pedagogëve të kualifikuar që i duhet çdo fakulteti për mësimin e kësaj lënde. E ndërsa studiuesit e gjuhës shqetësohen për një sërë pikash kyçe që lidhen me këtë vendim, rezultati do të mësohet vetëm pasi të ketë startuar viti i ri akademik, kur do të raportohen të dhënat mbi numrin e studentëve që kanë zgjedhur të studiojnë për lëndën e gjuhës shqipe.


Vendimi


Rreth një muaj më parë, nisur nga niveli i dobët dhe mangësitë që kanë të rinjtë mbi gjuhën shqipe, senati i UT-së propozoi përfshirjen e saj në 8 fakultetet e tij, si lëndë me zgjedhje. Kështu, për herë të parë, këtë vit akademik gjuha shqipe do të përfshihet edhe në Universitetin e Tiranës, jo vetëm në shkollat e arsimit parauniversitar. Drejtuesit e fakultetit të Histori- Filologjisë e përkrahin këtë nismë, por kërkojnë që gjuha shqipe të zhvillohet si lëndë e detyruar për të gjitha universitetet, jo vetëm për atë të Tiranës.


“Gjuha shqipe do të përfshihet si një lëndë e rëndësishme me kredite të caktuara për të gjitha fakultetet e UT-së. Tani për tani do të jetë me zgjedhje, ndërsa në të ardhmen ne do të synojmë që zhvillimi i kësaj lënde të jetë e detyruar. Zbatimi i këtij propozimi do të fillojë sivjet, edhe për fakultetet që deri më tani nuk e kanë pasur në program mësimin e kësaj lënde”, sqaroi Ymer Çiraku, zëvendësdekan i Histori-Filologjisë.


 


Risia – UT do të përfshijë, sivjet për herë të parë, në kurrikulat akademike tekstin e gjuhës shqipe, si lëndë me zgjedhje


Shkaku – Sipas pedagogëve dhe drejtuesve të fakulteteve të UT-së arsyeja është niveli i dobët që kanë studentët mbi tekstin e gjuhës


Deklarata – Gjuha Shqipe të shtrihet në të gjitha universitetet, jo vetëm në Universitetin e Tiranës. Të jetë lëndë me detyrim, jo me zgjedhje