Publikoi dokumente shqetësuese për Selinë e Shenjtë


Përgjegjësi për kujdesin ndaj Papa Benediktit, Paolo Gabriele, është një njeri i fiksuar pas materialeve mbi masonerinë dhe vodhi dokumente të cilat Papa i pati vënë shënimin “të shkatërrohen”. Këto janë faktet që dolën në seancat e para të gjyqit, ku Gabriele akuzohet për vjedhjen e dokumenteve zyrtare. Gjyqi po zhvillohet duke u bazuar te një kod penal italian i shekullit të 19. Gjatë dëshmisë, anëtarët e forcave policore të Selisë së Shenjtë thanë se dokumentet sekrete kanë dëmtuar disa nga veprimtaritë e Papatit. Ata zbuluan gjithashtu instruksione që Gabriele i kishte printuar nga interneti mbi çështje të tilla se si të fshehësh dokumente në një kompjuter dhe si të përdorësh telefonat celularë në mënyrë të fshehtë.


Ata thanë gjithashtu se shumë copa gazetash, libra si dhe materiale të tjera të gjetura në apartamentin e tij, treguan se ishte një njeri i magjepsur nga okulti, lozhat masonike, shërbimet sekrete, si dhe skandalet e mëparshme të Vatikanit apo Italisë. Dokumentet inkriminuese, sipas policisë së Vatikanit, nuk gjendeshin të gjitha në një vend, por qenë fshehur mes mijëra dokumenteve të tjera. Disa nga dokumentet e kapura mbanin mbishkrimin e vetë Papës, ku shkruhej: “Të shkatërrohen”. Dokumentet, disa prej të cilave u publikuan në media, përfshinin letra personale që Papa ua kishte dërguar kardinalëve dhe politikanëve mbi çështje të ndryshme. Një gazetar italian publikoi një libër bazuar te dokumentet e dhëna nga Gabriele, duke hedhur hije skandali të shumëfishtë mbi Selinë e Shenjtë.


Papa disponon disa apartamente private dhe shërbyes në këto apartamente, ku shërbyesit i binden një kodi heshtjeje për çfarë dëgjojnë apo mësojnë. Gabriele ishte ndihmësi më i lartë i Papës deri në momentin kur u zbulua aktiviteti i tij. Gabriele thotë se i mori dokumentet, për shkak se zbuloi mëkatin dhe korrupsionin kudo në kishë. Ai rrezikon katër vjet burg, por besohet se Papa do ta falë atë.