Reagimi i Athinës


Ministria e Jashtme greke: Çështja çame nuk është problem politik 


Fatjona Mejdini


Athina kërkon falje për flamurin e përmbysur, por njëkohësisht përgjigjet se çështja çame nuk është axhendë e qeverisë greke. Vizita e ministrit të Jashtëm, Edmond Panariti, pati jehonë edhe ditën e djeshme për sa u përket dy çështjeve delikate me të cilat ajo u shoqërua, hapjen e diskutimeve mbi çështjen çame dhe gabimin protokollar në vendosjen e flamurit shqiptar. Ministri i Jashtëm grek, Dimitris Avramopoulos, zhvilloi dje një bisedë telefonike me homologun e tij Panariti, për t’i kërkuar ndjesë në lidhje me vendosjen e flamurit shqiptar me kokë poshtë gjatë konferencës për shtyp. Po dje, zëdhënësi i Avromopoulos nxitoi të sqaronte median greke në lidhje me atë çfarë dy ministrat kishin diskutuar për çështjen çame dhe pronat e mbetura të shqiptarëve në Greqi. Ky sqarim duket se ka ardhur si pasojë e faktit se mediat greke nxituan të mohonin faktin se të dy ministrat kishin diskutuar për këtë çështje, përgjatë takimit njëorësh që zhvilluan kokë më kokë.


Çështja çame


Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme greke, Gregoris Delavekuras, pohoi dje faktin se gjatë takimit Panariti-Avramopoulos ishte diskutuar në lidhje me çështjen çame. I detyruar nga presioni i medias greke për këtë çështje, zëdhënësi sqaroi se ministri grek Avramopulos i ishte përgjigjur menjëherë Panaritit, se shqiptarët e Çamërisë, të drejtën për pronat e tyre duhet ta kërkojnë në drejtësinë greke. “Gjatë bisedimeve mes dy ministrave, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Edmond Panariti, përmendi shkurtimisht pasuritë e çamëve dhe shqiptarëve në Greqi dhe për këtë mori përgjigje të menjëhershme nga ministri i Jashtëm grek, Dimitris Avramopulos, se Greqia është shtet i ligjit dhe kushdo që ka pretendime për pronat, duhet të përballet me drejtësinë greke”, deklaroi zëdhënësi në një deklaratë para gazetarëve. Hapja e çështjes çame në bisedimet mes dy ministrave solli një reaksion të madh si në shtypin shqiptar dhe në atë grek.


Incidenti me flamurin


Kthimi përmbys i flamurit shqiptar përgjatë konferencës së dy ministrave të Jashtëm, ka bërë që paraditen e djeshme ministri i Jashtëm grek t’i telefonojë Edmond Panaritit për t’i kërkuar ndjesë zyrtare. Avramopoulos e ka quajtur ngjarjen një incident të pakëndshëm protokollar dhe ka kërkuar falje. “Ministri Avramopulos ka shprehur keqardhjen për këtë ngjarje të pakëndshme, duke siguruar edhe një herë ministrin Panariti se kjo ngjarje nuk mund të errësojë dhe ndikojë sadopak në rezultatet e suksesshme të vizitës së ministrit Panariti në Greqi”, theksohet në njoftimin për shtyp të Ministrisë së Jashtme shqiptare në lidhje me këtë ngjarje. Nga ana tjetër, ministri grek ka gjetur rastin t’i komunikojë homologut të tij se vizita mes tyre ishte konsideruar e suksesshme edhe në opinion publik grek. Ky incident i konsideruar i rëndë, gjeti pasqyrim në shumicën e mediave shqiptare dhe reagimi i palës greke në lidhje me të ishte i pritshëm dje.


 


Rezoluta


Parlamenti shqiptar pritet të miratojë së shpejti një rezolutë për çështjen çame


 


Rivaliteti


Kryeministri: Çështjen çame e hapa unë i pari


Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, e konsideroi hapjen e çështjes çame nga ministri i Jashtëm, Edmond Panariti, gjatë bisedimeve me homologun e tij grek, si normale. Berisha nuk ngurroi të theksonte se ai vetë e kishte ngritur këtë çështje në çdo takim të nivelit të lartë që kishte pasur me çështjen greke. Kështu Berisha la të kuptohej se ministri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Panariti, kishte ecur në një rrugë të shtruar për sa i përket kësaj çështjeje. “Kjo çështje është ngritur nga ky Kryeministër në çdo takim të nivelit të lartë me autoritete të vendit mik. Ministri, në zbatim të këtij qëndrimi, ka ngritur çdo çështje jashtë çdo pretendimi territorial, por mbi bazën e traktatit të miqësisë mes dy vendeve dhe angazhimit për të zgjidhur me dialog të gjitha problemet që janë për t’u zgjidhur”, deklaroi Kryeministri Berisha gjatë një konference për shtyp të mbajtur në ambientet e Kryeministrisë. Gjithsesi, Kryeministri Berisha nuk u ndal gjatë në lidhje me këtë çështje, por u mjaftua me këtë qëndrim të shkurtër.