Raporti i plotë për “Albpetrolin”, kreditë e këqija dhe bankat
Fondi Monetar Ndërkombëtar insiston që me të ardhurat e shitjes së pasurisë së shqiptarëve të shlyhet një pjesë e borxhit publik. Qeveria po shet 1200 prona publike, përfshi “Albpetrolin” me të gjithë pasurinë e naftës dhe gazit në nëntokë, si dhe hidrocentralet, ndaj FMN-së gjykon se këto të ardhura të shkojnë për borxhin, duke lehtësuar brezat e ardhshëm.
FMN-ja ka publikuar së fundmi një raport të detajuar mbi ekonominë e vendit, duke komentuar ndër të tjera edhe privatizimin e “Albpetrolit”, proces shumë i debatueshëm, pasi planifikohet të arkëtohen nga shitja jo pak, por 1 miliard dollarë, sa 10 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Privatizimi
“Të ardhurat nga privatizimi duhet të përdoren në mënyrë të balancuar, për të reduktuar borxhin dhe për të pastruar faturat e papaguara. Përmasat me të cilat pasuria e burimeve natyrore po privatizohet, tregon se pasuria i përket gjeneratës së sotme dhe gjeneratave të ardhme të shqiptarëve. Rrjedhimisht, pjesa më e madhe e të ardhurave nga privatizimi duhet të përdoret për të zvogëluar borxhin, gjë që është e nevojshme për të reduktuar dobësitë e ekonomisë, për shkak të stokut të lartë të borxhit publik”, analizon FMN-ja në raportin e publikuar së fundmi. Shefi i misionit kishte deklaruar në prani të ministrit të Financave, Ridvan Bode, se duhet me patjetër ulja e borxhit, por reagimi ishte i vakët, madje një ditë më pas, kreu i qeverisë ironizoi deklaratat e FMN-së, duke i konsideruar “vlerësim me gotë bosh”, dhe garantoi se të ardhurat do të shkojnë për investime publike për 2013-n, kur do të realizohet fushata elektorale. Por FMN-ja insiston më tej, kur thotë se, “Duke parë gjendjen e dobët të ekonomisë sot dhe shtimit të kohëve të fundit të faturave të papaguara dhe TVSH-së së parimbursuar, një pjesë e të ardhurave duhet të përdoren për të pastruar këtë punë të pabërë, e cila do të mbështesë rritjen në terma afatshkurtër”.
Kreditë e këqija
Dy nga tre faktorët që kanë sjellë rritjen stratosferike të kredive të këqija në Shqipëri gjatë viteve të fundit lidhen me problemet e krijuara ose të pazgjidhura nga qeveria, bën të ditur Fondi Monetar Ndërkombëtar në raportin e saj. Duke folur mes të tjerave për kreditë e këqija, FMN-ja thotë se ato janë rritur pjesërisht, për shkak të përkeqësimit të ekonomisë, pjesërisht për shkak të mospagesës së faturave të furnitorëve nga ana e qeverisë dhe pjesërisht nga vonesat e vazhdueshme në ekzekutimin e kolateraleve. “Niveli në rritje i kredive të këqija është një shqetësim dhe kërkon veprime të menjëhershme. Kreditë e këqija janë përgjithësisht në tregti, ndërtim dhe manifakturë dhe janë rritur më shpejt se sa në vendet e tjera të rajonit, përgjithësisht si pasojë e ngadalësimit ekonomik, mospagesës nga qeveria të faturave të furnitorëve dhe vonesat e vazhdueshme në ekzekutimin e kolateralit”, thotë FMN-ja. Dy nga tre faktorët e cituar prej FMN-së lidhen ngushtësisht me qeverinë, pasi është kjo e fundit që nuk ka paguar në kohë faturat e punimeve publike, si dhe nuk ka krijuar kushtet e përshtatshme ligjore dhe administrative për likuidimin e kolateraleve të kredive të falimentuara.
Detyrimet e prapambetura
Kreditë e këqija në Shqipëri kanë arritur në 21.5 për qind të totalit të kredive të dhëna në Shqipëri dhe kanë sjellë reduktimin e fitimeve të bankave, si dhe kanë ekspozuar elemente të rrezikut të kredidhënies në Shqipëri që më parë qenë të nënvlerësuara. Kriza ka nxjerrë defekte edhe në standardet kombëtare të kontabilitetit bankar.
Shkak i krijimit të këtyre stoqeve problematike lidhet me faktin se qeveria ka akumuluar detyrime të mëdha ndaj kompanive të ndryshme, të cilat kanë shitur mallra, shërbime apo kanë kryer punime në infrastrukturës publike, theksohet në raport. “Kompanitë kanë gjithashtu detyrime ndaj bankave, pasi i përdorin kreditë për të mbuluar vonesat në pagesat e qeverisë. Kjo gjë është përkthyer në kredi të këqija. Ndërkohë, kreditë e këqija nuk janë rritur ndjeshëm te kategoria e klientëve familjarë”, thotë FMN-ja në raport. Gjithsej janë rreth 130 milionë euro, detyrime të papaguara të qeverisë ndaj firmave të ndërtimit në fusha të ndryshme.
Bankat janë përballur për herë të parë me infrastrukturën ligjore dhe institucionale që duhet në teori të detyrojë palët të zbatojnë detyrimet kontraktuale që kanë pranuar. FMN-ja thotë ndër të tjera se, shumë kredi të pashlyera kanë kaluar në fazën e ekzekutimit të kolateralit, por ekzekutimi ka ecur ngadalë dhe në shumë raste është bllokuar.
A.Kola
Shifrat
Borxhi – Borxhi publik ka arritur pranë nivelit 60 për qind në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, që sipas FMN-së konsiderohet i rrezikshëm
Kostot – Shprehur në vlerë, borxhi publik arrin në rreth 5 miliardë euro, ose, çdo shqiptari i takon të paguajë mesatarisht afro 2 mijë euro
Nafta – Me pagesën e borxhit përmes të ardhurave të “Albpetrolit”, gati 850 milionë euro, (gjysma) niveli i tij bie me afro 5 pikë për qind
Berisha: Jo për fushatë, për investime
Kryeministri Berisha deklaroi dje në konferencë për shtyp, se të ardhurat nga privatizimi i “Albpetrolit” do të shkojnë për investime publike. “Nuk do të bëjë fushatë për zgjedhjet e 2013-s, por të ardhurat do të shkojnë vetëm për të mirën e shqiptarëve”, shtoi më tej Berisha.