Ndizet supersfida e fundjavës, Flamurtari-Tirana: “Shkojmë në Vlorë për fitore”


Altin Manallari


Dy fitore radhazi ndaj rivalit të përjetshëm, Partizanit, që përveç kënaqësisë triumfit, shërbejnë edhe për kualifikimin për në turin tjetër. Por emocionet e Kupës së Shqipërisë fillon të venitet me shpejtësi nga mendjet e futbollistëve të Tiranës, të cilën në këtë fundjave e pret një supersfidë jo pak e vështirë përballë Flamurtarit, në shtëpinë e këtij të fundit. Megjithatë, një nga lojtarët më të mirë të bardhebluve në këtë fillim sezoni, Gilman Lika, nuk ndihet dhe aq i kënaqur për eliminimin e Partizanit, pasi ai do kishte dashur që qershia mbi tortë të ishte një fitore me rezultat të thellë, e cila do të lumturonte edhe tifozerinë. “Morëm dy fitore të rëndësishme ndaj Partizanit dhe arritëm të sigurojmë kualifikimin për në turin tjetër të Kupës, ku kemi ambicie t’i shkojmë deri në fund këtij kompeticionin. Rrëfen mesfushori shkodran e i bardhebluve. Tifozët prisnin një rezultat shumë më të thellë. Ne dhamë maksimumin për ta arritur atë. Por ky është futbolli: shpërdoruam disa raste dhe kur nuk i shënon rastet që të jepen, atëherë do ta kesh shumë të vështirë për të fituar me goleada”. Por tashmë sfida e dyfishtë ndaj të kuqve i përket të kaluarës. Tiranës i duhet të mendojë për Kategorinë Superiore, ku në fundjavë do të ndeshjet me Flamurtarin. Kjo përballje do të jetë një sfidë brenda sfide. Të dy skuadrat konsiderohet se, së bashku me Skënderbeun, janë pretendentët kryesorë për fitimin e titullin kampion në këtë sezon. Dhe për këtë arsye sfidat direkte marrin automatikisht peshë. Po ashtu në stadiumin e Vlorës do të ndeshen dy ekipet më të pasura të kampionatit. Ndërkohë që ajo çka e bën edhe më të rëndësishme këtë përballje, ka të bëjë me faktin se trajneri që drejton vlonjatët është Hulian Rubio Sançez, spanjolli që në sezonin e fundit ishte në pankinën bardheblu. Tekniku aktual i Flamurtarit e njeh mirë Tiranën, pasi gjithçka që Artur Lekbello ka sot në dorë, ai e ka formuar vetë gjatë merkatos së verës. Gilman Lika nuk mendon se do të jetë e lehtë, megjithatë ia thekson se në Vlorë shkojmë për fitore. “Të gjithë e dinë që për ne kjo ndeshje është shumë e vështirë, pasi Flamurtari është një nga skuadrat më të mira, ka bërë përforcime të mira. Ka edhe një trajner të mirë. Largimi i tij është normale në futbollin profesionist. Ai na njeh, por ne do të japim maksimumin për ta mundur. Kolektiviteti është arma më e fortë për Tiranën. Ne nuk kemi as Mesi e as Ronaldo, që të mund të na e zgjidhë ndeshjen. Prandaj nuk ra rëndësi a e shënoj unë golin, apo e shënon dikush tjetër, por e rëndësishme është që të shënojë dikush dhe të fitojmë. Kjo vlen më shumë se gjithçka”, përfundoi deklaratën e tij mesfushori shkodran i 24 herë kampionëve të Shqipërisë.


 


 


Sfida – Flamurtari-Tirana është ndeshja më e fortë e javës së 6-të të Kategorisë Superiore, e cila do të shikojë të përballen në Vlorë dy pretendentë për titull


Rivali – “Të gjithë e dinë që për ne kjo ndeshje është shumë e vështirë, pasi Flamurtari është një nga skuadrat më të mira, ka bërë përforcime të mira. Ka edhe një trajner të mirë”


Objektivi – Trajneri Rubio na njeh, por ne do të japim maksimumin për ta mundur. Kolektiviteti është arma më e fortë për Tiranën. Nuk ka rëndësi kush shënon, vlen vetëm fitorja”


Goleada – “Tifozët prisnin një rezultat shumë më të thellë në derbi ndaj Partizanit. Ne dhamë maksimumin për ta arritur atë. Por ky është futbolli: shpërdoruam disa raste dhe kur nuk i shënon rastet që të jepen, atëherë do ta kesh shumë të vështirë për të fituar me goleada”