Hetimet
Pyetet për kontaktet me demonstruesit nga Librazhdi, nuk i ka shtyrë të qëllojnë forcat e rendit
Hetimet për organizimin e demonstratës së 21 janarit, që solli katër viktima nga radhët e civilëve, merr një tjetër rrjedhë, pas 20 muajsh hetime. Prokuroria e Përgjithshme ka urdhëruar grupin hetimor të marrë në pyetje tre deputetët e PS-së pa imunitet për mënyrën e organizimit të demonstratës, nga kontaktet në zonat e tyre elektorale e deri tek orët e nxehta para Kryeministrisë. I pari që ka dëshmuar në Prokurorinë e Përgjithshme është deputeti Taulant Balla. Dje, për më shumë se një orë, Balla është pyetur nga prokurori Alfred Progonati. Burime zyrtare nga akuza qendrore thanë për gazetën “Shqip” se deputeti është pyetur kronologjikisht për ngjarjet para dhe pas 21 janarit. Në fillim seanca e pyetjeve ka qenë për organizimin në qytetin e Librazhdit, ardhjen e demonstruesve në Tiranë dhe lëvizja drejt godinës kryeministrore. Mësohet se Balla ka pohuar se organizimi ka qenë popullor, ku banorët e Librazhdit dhe të rrethinave të tij, kanë qenë të pakënaqur nga qeverisja dhe vendosën të marshonin në një tubim paqësor para Kryeministrisë. Pas këtij episodi, deputeti është pyetur për orët e nxehta, ndërsa Balla ka pohuar se nuk ka urdhëruar askënd të qëllojë mbi forcat e rendit, madje u ka bërë thirrje të tërhiqen, pasi garda kishte filluar të qëllonte me armë zjarri. Prokurori mësohet se e ka pyetur deputetin edhe për disa sms që demonstrues të veçantë i kanë nisur më 21 janar, mesazhe që nuk i kanë shkuar në telefon. Ai ka thënë se nuk ka pasur ndonjë njohje të veçantë me këta demonstrues, por i njihte si banorë të zonës së tij elektorale.
Akuza qendrore pohon se ka identifikuar se 20 demonstrues kanë mbajtur kontakte me deputetët e opozitës në ngjarjen e 21 janarit. Personat janë me origjinë nga Tirana, Librazhdi dhe Shkodra dhe ndaj tyre u dërgua fletëthirrje. Nën hetim janë deputetët Taulant Balla, Besnik Bare dhe Tom Doshi, të cilët pranuan që të lëshonin imunitetin për t’u përballur me drejtësinë. Akuza pohon se, krahas dëshmive të protestuesve dhe tabulateve telefonike, nuk ka asnjë provë që të implikojë deputetët në organizimin e protestës. “Hetimet për këtë procedim po bëhen në mënyrë të veçuar nga hetimet për vrasjet dhe fshirjen e serverit të Kryeministrisë. Çështja po hetohet në Prokurorinë e Përgjithshme, pasi të hetuarit kanë imunitet”, thanë burimet nga akuza qendrore, duke saktësuar se hetimet janë vonuar për shkak të mosbashkëpunimit të institucioneve të tjera, që kanë detyra kushtetuese për të bashkërenduar veprimet në një procedim penal.
Akuza
Nën hetim janë deputetët Taulant Balla, Besnik Bare dhe Tom Doshi, të cilët pranuan që të lëshonin imunitetin për t’u përballur me drejtësinë