Partia Socialiste ka shprehur shqetësimin gjatë mbledhjes së sotme të kryesisë për pjesëmarrjen e detyruar të të miturve në aktivitetet politike të kryeministrit Sali Berisha nëpër shkolla.

Kryesia e PS shprehet se e ka denoncuar këtë fenomen të shëmtuar dhe shkelje flagrante të të drejtat më elementare të fëmijëve. pranë partnerëve ndërkombëtarë dhe organizatave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.


“Propaganda e pastër politike që Sali Berisha po zhvillon në shkollat e Shqipërisë është një shfaqje e pashembullt dhe e paimagjinueshme për çdo vend europian. Pamja e të miturve të vënë në rresht për të shërbyer si dekor për propagandën e shthurur të kryeministrit nuk ka sesi të mos revoltojë e të mos turpërojë çdo qytetar të këtij vendi”, – thuhet në deklaratën për shtyp të PS.


Më tej deklarata e kryesisë thekson se me veprimet e tij, kryeministri është duke shkelur ligjet e vendit dhe kushtetutën, që nuk lejon organizmin e veprimtarive partiake në ambientet e arsimit parauniversitar.

“Është e vështirë të gjesh fjalët për të përshkruar indinjatën që ndjen çdo qytetar e çdo prind kur sheh pamjet e këtij abuzimi të papranueshëm me të miturit nga vetë kreu i qeverisë.


Sali Berisha po shkel në mënyrën më të papranueshme ligjin Nr. 69/2012 për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë, Neni 8 dhe Neni 32 pika 4, të miratuar me konsensus jo më larg se qershori këtij viti, sipas të cilave arsimi parauniveritar jo vetëm është i depolitizuar, por ndalohet, në mënyrë eksplicite dhe kategorike, organizimi në këto institucione i veprimtarive partiake, si ato që po zhvillon Sali Berisha”, shprehet kryesia e PS.


PS u ka bërë thirrje drejtuesve të shkollave dhe pushtetit vendor që të distancohen nga këto akte që janë një shkelje flagrante e ligjeve të këtij shteti dhe të drejtave themelore të fëmijëve.


“U bëjmë thirrje të gjithë prindërve, si edhe nëpunësve të shtetit, mësuesve dhe drejtuesve lokalë, të distancohen nga këto akte të papërgjegjshme të Kryeministrit dhe të protestojnë në mënyrë civile ndaj kësaj pedofilie politike të Sali Berishës”, përfundon deklarata e PS.


5 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)