Por për kandidatin republikan, suksesi mund të mos mjaftojë për fitore
Pas disa javësh të vështira, kandidati republikan për president të SHBA-së, Mitt Romney, arriti të korrë një fitore të mërkurën në darkë, kur shfaqi siguri dhe arriti sukses në sjellje përballë Presidentit aktual Barak Obama. Por analistët thonë se ndoshta ky sukses ka ardhur tepër vonë për të ndryshuar tendencën. Analistët besojnë se Romney u shfaq më i vendosur, më i qetë dhe më bindës në debatin e parë televiziv përballë Obamës dhe arriti suksesin duke e sulmuar atë mbi gjendjen ekonomike të vendit. Tani pritet që Romney të shijojë një rritje të mundshme të kontributeve nga partia e vet, disi më shumë interes nga votuesit e pavendosur, si dhe mbështetje më të fortë nga republikanët. Ai pritet të përfitojë edhe mbulim mediatik më pozitiv.
Por zgjedhjet në SHBA tashmë janë vetëm një muaj larg dhe koha në dispozicion të Romney-t për të përmbysur situatën duket shumë e shkurtër. Votimet kanë filluar në një formë a në një tjetër në 35 shtete, veçanërisht për votat e amerikanëve që jetojnë jashtë vendit apo ato që kanë vendosur të votojnë me postë. Dhe historia tregon se megjithëse debatet televizive janë ngjarje që mbahen mend gjatë në fushatat presidenciale, ekzistojnë shumë pak prova që të tregojnë se kanë ndikuar në rezultatet e zgjedhjeve. Obama u duk i bombarduar nga Romney, por duket se ka shmangur më të keqen.
“Askush nuk besoj se do të ndryshojë krah në bazë të këtij debati”, thotë Samuel Popkin, një profesor i shkencave politike në Universitetin e Kalifornisë. Romney e shfrytëzoi rastin e qëndrimit në të njëjtën skenë me presidentin, për të bindur votuesit se është në lartësinë e duhur për të udhëhequr kombin.
“Ti je kapur fort pas shtëpisë tënde dhe aeroplanit tënd, por jo te faktet e tua”, i tha Romney, Obamës. Përballë tij, Obama u duk i palumtur që gjendej në skenë. Përgjigjet e tij qenë gati akademike, të mbushura me fakte, por jo shumë teatrale. Ai argumentoi mbi planin e Romney-t mbi taksat dhe buxhetin, të cilat i konsideroi si jo bindëse, por linjat e tij të sulmit nuk dolën shumë efektive.
“Romney fitoi. Surpriza e vërtetë është se ai fitoi kaq bindshëm”, thotë Paul Sracic, një profesor i Shkencave Politike. Votuesit duket se janë dakord me këtë konkluzion. Rreth 67 për qind e të intervistuarve nga CNN thanë se ai ishte fitues. Shanset e Obamës për rizgjedhje vlerësohen tashmë në 66 për qind nga 74 për qind sipas një modeli tregtar.
Obama ruan avantazhin e vet në vrojtimet e opinionit publik. Të mërkurën, ai kryesonte 47 për qind, ndërsa Romney kishte 41 për qind të votave. Shumë vrojtues presin që avantazhi i Obamës të reduktohet disi gjatë muajit të ardhshëm, por debatet nuk kanë pasur shumë efekt në tërësi. Që nga viti 1988, amerikanët kanë parë 16 debate televizive, por rezultati mbi votuesit ka qenë më pak se 1 për qind. Ndryshimi më i madh është shënuar në vitin 2004, kur sfiduesi demokrat John Kerry rikuperoi 2.3 për qind të votave pas debatit kundër Bushit, por ky i fundit i fitoi zgjedhjet. Ekspertët thonë se njerëzit që e ndajnë mendjen se për kë do të votojnë, nuk ndryshojnë qëndrim për shkak të performancës në debat.