Seanca
Nënkryetari i Komisionit Parlamentar të Sigurisë flet për një marrëveshje të re të Ministrisë së Mbrojtjes
BLEDAR HOTI
Opozita paraqet një tjetër skandal të Ministrisë së Mbrojtjes. Nënkryetari i Komisionit parlamentar të Sigurisë, socialisti Ilir Gjoni, gjatë fjalës së tij në Parlament paraqiti një tjetër fakt në vazhdën e skandaleve të dikasterit të mbrojtjes, që drejtohet nga Arben Imami. Janë blerë pajisje përgjimi nga Shërbimi Informativ i Ushtrisë, ndërkohë që ligji nuk ia lejon. “Ligji i SHIU-t e përcakton qartë misionin e tij. Në asnjë rast nuk thotë që SHIU kryen operacione luftarake. Edhe në Tabelën e Organizimit dhe Pajisjeve (TOP) të SHIU-t nuk figuron një gjë e tillë. Dhe për dijeninë e opinionit, TOP është miratuar po nga ky ministër. E dyta që është më e rënda, lidhet me prokurimin e pajisjeve të interceptimit në bazë të urdhrit nr. 146, datë 3.2.2011, “Për blerjen e pajisjeve operacionale për mbështetjen me inteligjencë të kontigjentëve të FA-së jashtë vendit”, të firmosur nga Imami me vlerë 1.589.400 euro. Ku qëndron problemi këtu. Urdhri i ministrit thotë që ato pajisje duhen në mbështetje të trupave tona jashtë. Këtu fillon problemi me ligjin. Dihet se me ligj interceptimet në Republikën e Shqipërisë, të paktën atë që njohim ne e jo atë që ka ndër mend Saliu e Imami, autorizon vetëm prokurorinë dhe gjykatat për të autorizuar kryerjen e interceptimeve. Në mund të justifikohet se ne nuk i kemi për përdorim brenda territorit. Shumë mirë. Atëherë ministri që ka qejf t’i referohet shumë NATO-s dhe që fatkeqësisht e përdor atë si mburojë për abuzimin e korrupsionin e vet, a mund të na thotë nëse trupat tanë në Afganistan a gjetkë veprojnë në mënyrë autonome apo janë nën komandën e një force të një shteti aleat. Fakti është që ne gjithmonë kemi qenë nën komandën herë të turqve, italianëve, amerikanëve etj. Aktualisht jemi nën komandën e tyre”, theksoi Gjoni. Nënkryetari i Komisionit të Sigurisë kërkoi të dijë nëse ministri ka informuar shërbimin sekret të NATO-s, NOS për blerjen e një pajisjeje të tillë. “A ka pasur korrespondencë ministri me NATO( NOS) për blerjen e këtyre pajisjeve dhe përdorimin e tyre në teatrin luftarak në Irak apo Afganistan. Cila ka qenë përgjigjja që ka marrë?. Mund të thuhet që nuk i kemi çuar jashtë.
Po çfarë keni bërë me to? I keni të magazinuara apo i keni përdorur brenda territorit të vendit. Nëse po a e keni informuar Prokurorinë e Përgjithshme dhe gjykatat? Të gjitha këtyre pyetjeve duhet t’u përgjigjet Imami dhe e vërteta për to fshihet pas mureve të Ministrisë së Mbrojtjes, mure të cilat çdo ditë e më shumë sa vijnë e hollohen, ndërkohë që zyrtarët e korruptuar të kësaj ministrie trashen”, theksoi Gjoni. Deputetët e opozitës gjatë diskutimeve jashtë rendit të ditës në seancën e Kuvendit kanë diskutuar për skandalin e Ministrisë së Mbrojtjes. “Veprimtaria juaj në MM, që në mjaft raste ka cenuar deri edhe Kushtetutën e vendit, ka degjeneruar procesin e modernizimit të FA, ka shpërfytyruar personelin dhe ka shkatërruar kohezionin në FA, e sidomos ka implikuar strukturat e MM, në tregti të paligjshme të aseteve të ushtrisë dhe në veprimtari të tjera jashtë misionit kushtetues të tyre, tashmë është vërtetuar plotësisht me dokumente, të cilat kanë marrë, dhënë, e madje po gjenden tufa-tufa nëpër lokale e kafene luksoze të Tiranës. Ndërsa ju akuzoni opozitën për nxjerrje të dokumenteve sekrete!!!!”, tha socialisti Piro Lutaj. Më tej ai theksoi se “thirrja ime për Arben Imamin është: Ju nuk mund ta nxirrni dot opozitën shqiptare jashtë institucioneve të shtetit shqiptar. Prandaj hapeni bunkerin tuaj, atë që shqiptarët e njohin si Ministria e Mbrojtjes, me qëllim që deputetët të ushtrojnë funksionin e tyre ligjor. Në të kundërt, për shkak të bunkerizimit që i keni bërë MM, por edhe për shkak të paaftësisë së njerëzve tuaj, po të fluturojnë nga dritaret e “bunkerit tënd”, shkresa e dokumente madje edhe me siglën “Sekret” e “Tepër sekret” që tregojnë për veprime rrëqethëse në dëm të Sigurisë Kombëtare”. Deputeti i PS-së, Gazmir Bizhga, në fjalën e tij tha se “era e rëndë e korrupsionit që vjen nga aferat e Ministrisë së Mbrojtjes, ka kohë që ka marrë dhenë. Në krye të gjithë kësaj maskarade qëndron SHIU, të cilin e ka kthyer në hijen e dikurshme të Sigurimit të Shtetit, që përgjon PS-në, deputetët e saj, median e lirë, shoqërinë civile, analistët dhe në fund edhe vetë trupin diplomatik. Këtë shërbim të keqpërdorur, ministri pasi e pajis me përgjues të gjithfarëllojshëm, e armatos me armë speciale në kundërshtim me ligjin, e kthen si dikur në armën famëkeqe të SHIK-ut në qeverisjen e Saliut të parë”.
1.589.400 euro – Imami ka urdhëruar blerjen e pajisjeve të posaçme të përgjimit, Prokurimi i Ministrisë së Mbrojtjes kap vlerën 1.589.400 euro
3 shkurt – Urdhri nr.146 është firmosur nga vetë ministri Imami më 3 shkurt të 2011 për prokurimin e pajisjeve të interceptimit nga SHIU
NOS – PS kërkoi të dijë nëse vendimi për blerjen e pajisjeve është konsultuar me NOS, Drejtorinë e Shërbimit Sekret të NATO-s
Dyshimi – PS ka ngritur dyshimet e saj se pajisjet e perceptimit të blera nga Imami janë përdorur për përgjimin e drejtuesve të opozitës
Gjoni – Me ligj interceptimet në Republikën e Shqipërisë, të paktën atë që njohim ne e jo atë që ka ndër mend Saliu e Imami, autorizon vetëm prokurorinë dhe gjykatat për të autorizuar kryerjen e interceptimeve
Lutaj – Veprimtaria juaj në MM, që në mjaft raste ka cenuar deri edhe Kushtetutën e vendit, ka degjeneruar procesin e modernizimit të FA, e sidomos ka implikuar strukturat e MM, në tregti të paligjshme