Përplasja
Tarifa fiskale vendore mblidhet jo më shumë se 60 për qind. Basha: Të reformojmë sistemin
Tarifat vendore kanë paralizuar biznesin e vogël me taksat vendore. Sistemi aktual fiskal ka nevojë për ndryshime, ndërkohë që kohët e fundit po propozohet reformim dhe decentralizim i tarifave vendore dhe grumbullimit të taksave lokale.
Në një takim mbi decentralizimin fiskal të pushtetit vendor, Kryeministri Sali Berisha tha se taksa e biznesit të vogël nuk mund të konsiderohet një histori suksesi, për shkak se ajo nuk vilet nga pushteti vendor.
“Taksa e biznesit të vogël, e cila ka lënë në tërësi qeverinë vendore, për fat të keq nuk mund të themi se ishte një histori suksesi. Ajo në të gjitha përllogaritjet mblidhet jo më shumë se 60 për qind të saj”, tha Berisha.
Duke iu referuar mbledhjes së taksës së pasurisë, që në vende të zhvilluara përbën një nga burimet më të fuqishme të të ardhurave në qeverisjet vendore, Kryeministri tha se në Shqipëri, për fat të keq, të ardhurat nga kjo taksë janë jashtëzakonisht rudimentare. “Në të gjitha hapat dhe përcaktimet tona, të vetmen gjë që nuk duhet të pranojmë është dështimi dhe dobësimi i disiplinës fiskale dhe mbledhjes së të ardhurave”, theksoi Kryeministri.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i liderit të opozitës, Edi Rama, i cili ka replikuar me Kryeministrin nga selia e Partisë Socialiste, duke thënë se qeveria po përvetëson tezat e opozitës. Rama i kërkoi Kryeministrit të heqë menjëherë taksën për biznesin e vogël, pasi, sipas tij, kjo taksë po rrënon këtë biznes.
“Pas 9 muajsh, me fitoren e zgjedhjeve ne do ta heqim pa dyshim këtë taksë, por 9 muaj në kohën e një krize si kjo, që po kalon ekonomia kombëtare dhe ekonomia familjare në Shqipëri janë shumë, janë edhe më shumë për bizneset e vogla që ushqejnë me dhjetëra, mijëra familje, prandaj i them Saliut: Hiqe një orë e më parë taksën e biznesit të vogël!” tha Rama.
I pranishëm në takimin e USAID-it për decentralizimin fiskal të pushtetit vendor, ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu, tha se pushteti vendor në Shqipëri vuan nga mungesa e parashikueshmërisë financiare.
“Aktualisht shumë qeveri vendore, anembanë Shqipërisë, vuajnë prej mungesës së parashikueshmërisë financiare, me pasoja negative mbi aftësitë e tyre për të paguar punonjësit dhe për të ofruar shërbime thelbësore ndaj qytetareve të tyre”, tha Arvizu.
Sipas ambasadorit Arvizu, decentralizimi fiskal do t’i sigurojë qeverisjeve vendore burimet e nevojshme për të qeverisur.
Nga ana tjetër, kreu i bashkisë, Lulzim Basha, ka deklaruar se do të ishte mirë të realizohej një reformim i sistemit fiskal vendor. “Sigurisht, ky është fillimi i asaj që quhet bashkëndarje e taksave. Formula e bashkëndarjes duhet të jetë transparente dhe e diskutuar hollësisht me ne, përfaqësuesit e zgjedhur vendorë. Duhet të shtrihet dhe këtu besoj se flas në emër të të gjithë kryetarëve të bashkive të vendit, edhe në kategoritë e tjera të taksave, siç janë, tatimi mbi vlerën e shtuar dhe taksa e fitimit dhe duhet të bëhet pjesë e një përqasjeje të përgjegjshme, po proporcionale, sa i përket përfitimit nga buxheti, nga mbledhja e taksave, nga pushteti qendror dhe nga ai vendor”, argumentoi kryebashkiaku Basha. Lorina Mixha