Kreu i KQZ-së
Majko: Besojmë se gratë do të zgjidhin problemet që hapën burrat
BLEDAR HOTI
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të drejtohet për herë të parë në Shqipëri nga një femër. Marsida Xhaferllari dhe Lefterie Lleshi janë dy kandidatet e përzgjedhura dje nga Komisioni Parlamentar i Ligjeve për postin e kreut të KQZ-së, të cilët do të përballen me një garë votimi në seancën plenare në Kuvend. Pas debatit të dy ditëve më parë për përzgjedhjen e dy prej konkurrentëve në kundërshtim me ligjin, të Endrit Rekës dhe Haki Mustafës, socialistët kanë pranuar të eliminojnë nga lista katër emrat më të votuar nga PD-ja. Socialistët kanë eliminuar Mustafën dhe Rekën, duke lënë për votim në seancë emrat e juristes që punon në Kuvend dhe asaj në Ministrinë e Drejtësisë. Deputetët e PS-së e argumentojnë pranimin e këtyre dy emrave me faktin se po vonohet së tepërmi rikompozimi i institucionit që do të merret me administrimin e zgjedhjeve, KQZ-në. “Jemi shumë vonë, dhe pikërisht kjo është arsyeja që ne e zhbllokuam, pavarësisht se kishim rezerva të natyrave ligjore në atë që parashikon Kodi Zgjedhor. Që do të thotë që KQZ-ja do të drejtohet sipas opinionit tonë nga një grua dhe besoj se një grua mund të zgjidhë gjërat që nuk kanë zgjidhur deri më sot burrat ish-kryetarë të KQZ-së”, tha deputeti i PS-së, Pandeli Majko. Të enjten e ardhshme pritet të votohen anëtarët dhe për kreun e KQZ-së. Albana Shtylla, Denar Biba, Vera Shtjefni, Hysen Osmanaj janë anëtarët e PS-së dhe PD-së. Ndërsa për dy vende të tjera në KQZ, janë katër kandidatët e PBDNJ-së dhe LSI-së, Jani Jani, Spiro Kure, Ilirjan Muho dhe Arben Shkëmbi. KQZ-ja do të ketë në përbërje tri femra si anëtare. Mosrikompozimi i KQZ-së u bë dhe objekt i debatit në seancën e djeshme kuvendore. Kreu i grupit të PS-së, Gramoz Ruçi, akuzoi mazhorancën për vonesat në ngritjen e KQZ-së. “Pas tetë muajsh kemi zgjedhje, ndërsa ende nuk kemi një KQZ, duke shkelur në mënyrë të vazhdueshme afatet në plotësimin e një institucioni kaq të rëndësishëm si Komisioni Zgjedhor. Ne si opozitë do të donim që ky proces të ishte ndryshe, sipas frymës së Kodit Elektoral dhe nenit përkatës. Këtij procesi duhet t’i paraprinte një proces politik, i cili nuk u krye asnjëherë si i tillë, sidomos me aplikantët për kryetar të KQZ-së”, tha Ruçi. Gjithashtu, kreu i grupit të PS-së ka kërkuar që Topalli të mbledhë Këshillin e Mandateve për të plotësuar vakancën e krijuar në grupin parlamentar të PS-së, pas dorëzimit të mandatit nga deputeti socialist, Andis Harasani. Kreu i grupit të PD-së, Astrit Patozi, iu kundërpërgjigj Ruçit, duke deklaruar se “zgjedhjet nuk fitohen me KQZ, por me qytetarët”. Ai akuzoi opozitën se ka zgjedhur bllokimin dhe pazaret edhe për çështjen e KQZ-së. “Përgjegjësja e vetme për kapërcimin e afatit kohor për konstituimin e KQZ-së është opozita, pasi i kam kërkuar z. Ruçi, në respekt të Kodit të ri, t’i paraqesim njëri-tjetrit kandidaturat. Z. Ruçi më kërkoi kohë. Ai tani akuzon mazhorancën. Ruçi e bllokoi procesin, duke e çuar atë në kalendat greke që sot të kërkojë pse nuk konstituohet KQZ-ja. Në vitin 2009 tentuat që t’i linit barrën e fajit për humbjen tuaj, Kastriot Islamit, pasi ishte një nga bashkëkryetarët e Komisionit Ad-Hoc, pastaj fajësuat 20 mijë komisionerët e PS-së, duke përjashtuar ata qendrorët. Komisionerët qendrorë i hoqët sot, duke u lënë edhe atyre një pjesë të fajit. Zgjedhjet fitohen me qytetarët, prandaj zhbllokoni Komisionin e Ligjeve, bëni detyrën tuaj si opozitë dhe ne jemi gati të votojmë që nesër KQZ-në”, deklaroi Patozi. Kryeparlamentarja Jozefina Topalli, duke iu përgjigjur Ruçit, theksoi se KQZ-ja nuk është në rendin e ditës, pasi opozita ka bllokuar procedurën për zgjedhjen e kryetarit në Komisionin e Ligjeve. Topalli u bëri thirrje deputetëve socialistë që të mos bllokojnë proceset, por të votojnë kërkesat e Brukselit.
Lleshi – Lefterie Lleshi është anëtare e KLD-së, njëherësh edhe drejtore juridike në Kuvendin e Shqipërisë. Shihet si kandidate potenciale
Xhaferllari – Marsida Xhaferllari është zyrtare e Ministrisë së Drejtësisë. Ajo ka qenë drejtoreshë e zyrës së kodifikimit pranë kësaj ministrie. Të enjten pritet votimi për anëtarët dhe kreun e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Nga 7 anëtarë, tre do të jenë femra në KQZ