Pajisjet


Publikohen faktet e prokurimit prej 1.58 milionë eurosh nga SHIU


Nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Erion Braçe, ka zbardhur dje skandalin e ri të aparaturave të interceptimit të SHIU-t, ndërkohë që i është përgjigjur Kryeministrit në lidhje me kërcënimin për padi ndaj tij.


Aparaturat


Deputeti socialist, Erion Braçe, ka zbardhur akuzën, e cila u bë edhe nga nënkryetari i Komisionit të Sigurisë, Ilir Gjoni, në lidhje me blerjen e aparaturave të përgjimeve ambientale, që u shtohen akuzave për blerje të pajisjeve të përgjimeve telefonike.


“E sfidoj Sali Berishën dhe po e pyes drejtpërdrejt: A është i klasifikuar urdhri nr. 146 datë 3 shkurt 2011, i nënshkruar nga ministri i Mbrojtjes, Imami, që shpenzon 1. 589. 400 euro për blerje pajisje interceptimi elektronik? Cilën kategori të klasifikimit ka ky urdhër nga ato që parashikon ligji, tepër sekret, konfidencial, apo i kufizuar? Pse është blerë kjo pajisje në 3 shkurt 2011, fill pas 21 janarit dhe nën të njëjtat praktika të denoncuara nga ne më parë për të njëjtat pajisje të përgjimit ambientale? Ku është kjo pajisje tani? Ku ka qenë që nga dita e hyrjes në Shqipëri dhe deri ditën e sotme? Kush e ka përdorur dhe për ç’qëllime e ka përdorur? A ka dalë ndonjëherë jashtë Shqipërisë kjo pajisje?”. Këto kanë qenë pyetjet e Braçes, i cili ka akuzuar qeverinë për blerje jashtë ligjit të një aparature që nuk i takon sipas ligjeve SHIU-t, ka shmangur aleatët dhe e ka përdorur atë për qëllime jo ushtarake.


“Po e pyes Sali Berishën dhe ministrin e tij të Mbrojtjes, a ka vënë në dijeni NATO-n ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, për blerjen dhe qëllimin e përdorimit të kësaj pajisje? Po i pyes të dy bashkë, cila ka qenë përgjigjja që ka marrë?”. Kjo ka qenë pyetja e radhës e Braçes, e cila fsheh një mister se ka pasur një korrespondencë ndërmjet Shqipërisë dhe zyrave qendrore të Aleancës së Atlantikut të Veriut. A e ka vënë në dijeni Prokurorin e Përgjithshëm ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, për blerjen e kësaj pajisjeje – siç kërkon ligji për SHIU-n? A ka marrë miratim për ta disponuar këtë pajisje nga Prokurori i Përgjithshëm ministri Arben Imami, siç e kërkon ligji për SHIU-n? A ka nënshkruar ndonjë marrëveshje për procedurat e përdorimit të saj me Prokurorin e Përgjithshëm ministri Arben Imami, siç e kërkon ligji për SHIU-n?”, kanë qenë pyetjet e radhës për qeverinë.


Trafiku


Braçe i është përgjigjur Berishës, duke deklaruar se ai nuk ka akuzuar as qeverinë malazeze, dhe as popullin malazez, por thjesht rudimentet e degëve të kompanisë serbe të tregtimit të armëve.


“Kryeministri foli dje për marrëdhëniet me Malin e Zi duke shtuar që Mali i Zi është një shtet mik, me të cilin po e prishkemi ne! Gënjeu! Për të Mali i Zi është shumë më tepër sesa nj]ë vend mik, e ka dëshmuar këtë qysh nga koha kur thyente me vetëdije të plotë dhe në shkelje flagrante të ligjit, embargon e OKB dhe duke favorizuar makinën e luftës së Slobodan Millosheviçit. Ne, unë konkretisht, nuk kemi folur as për qeverinë dhe as për popullin fqinj malazez. Ne kemi denoncuar marrëdhënien e Ministrisë së Mbrojtjes me një kompani që ka për drejtor ekzekutiv shtetasin serb, Zoran Damjanoviç, njëherësh përfaqësues ligjor i kompanisë shtetërore serbe Jugoimport; Ne kemi faktuar se këtij shtetasi dhe kompanisë që ai zotëron i janë dhënë 208 mijë predha mortajash; Ne kemi faktuar se destinacioni i paraqitur nga ky shtetas pranë Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë, pra destinacioni përfundimtar i këtyre 208 mijë predhave ka qenë Mali i Zi. Po e sfidoj dhe po e pyes drejtpërdrejtë Sali Berishën: Ku janë tani këto 208 mijë predha? Janë ende në Malin e ZI?”, deklaroi Braçe, i cili shtoi: “Kjo sasi është disponuar vetëm nga një kompani, MDI-ja, dhe dyshimi i rëndë është se janë treguar shumë larg Malit të ZI, në zona konfliktuale”.


 


Vrasjet


Akuza – “E ka dëshmuar gjatë mandatit të tij të parë sesi i ka burgosur, e ka dëshmuar këtë mandat sesi ka vrarë Fatmir Xhindin, Remzi Veselin, Ziver Veizin, Hekuran Dedën, Aleks Nikën, Faik Myrtajn. Vetëm këtë di të bëjë! S’di gjë tjetër! Nuk ka asnjë mënyrë të ballafaqimit demokratik me kundërshtarin veç kësaj”


 


 


Denoncimi


Mbyllet kapitulli i serisë për Imamin


PS dje ka mbyllur serinë e denoncimit për skandalet e Ministrisë së Mbrojtjes. Nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Erion Braçe, theksoi se “Meqë ky ishte publikimi i fundit, do doja që të falënderoja të gjithë deputetët kolegë të Komisionit të Sigurisë Kombëtare, nga drejtuesi Ilir Gjoni deri te më i fundit ndër ta, për konsekuencën dhe vendosmërinë në ushtrimin e detyrës së tyre kushtetuese të kontrollit parlamentar mbi ekzekutivin. Kontroll nga i cili ende nuk është hequr dorë dhe kontroll të cilit do t’i shkojmë deri në fund. Dua të falënderoj gjithashtu të gjithë ata ushtarakë dhe nëpunës civilë të Ministrisë së Mbrojtjes, njerëz të ndershëm me karriera të shkëlqyera, të cilët gjatë këtyre dhjetë ditëve thjesht dhe vetëm kanë qenë mbështetës dhe përkrahës të gjithë kësaj serie publikimi që kërkon rikthimin në kushtetueshmëri dhe ligjshmëri veprimtarinë e Ministrisë së Mbrojtjes dhe shërbimeve të saj”.