Imami – Ministri i Mbrojtjes vizitoi Kombinatin e Poliçanit dhe ka akuzuar opozitën se kërkon të delegjitimojë punën e ndërmarrjes


Opozita – Disa deputetë të opozitës kanë vizituar qytetin duke akuzuar ministrinë se ka shkarkuar specialistët duke i zëvendësuar me militantë


Skrapi – Dje për herë të parë në qytet është rihapur çështja e shitjes së skrapit nga uzina. Akuzat janë lëshuar nga kryetari i bashkisë, Zotkaj


Zotkaj – “Kjo është e vetmja qeveri dhe i vetmi ministër që shkatërron këtë kombinat, duke shitur makineri torno-freza, të cilat janë në gjendje për punë”


Ministri akuzon opozitën. Deputetë të PS: Ka shitje abuzive


Mimoza Sinani


Demontimi në Kombinatin e Poliçanit ka sjellë një përplasje, jo vetëm politike, por edhe mes banorëve, punonjësve aktualë me ish-specialistët e pushuar nga puna, e deri te drejtori i kësaj strukture me kryebashkiakun e këtij qyteti. Përplasjet janë vënë në dukje që në mëngjes, kur ministri Imami nuk ka pranuar të takojë ish-specialistët, të cilët e kanë pritur në derën e Kombinatit Mekanik Ushtarak, ndërkohë që kanë vijuar me deklaratat e deputetëve socialistë, Dokle, Ylli dhe Felaj, që kishin zgjedhur të njëjtën ditë me ministrin Imami për të vizituar Poliçanin. Megjithatë, Imami ka shmangur ish-punonjësit e Kombinatit të Poliçanit, të cilët kanë pritur shpjegime prej tij, duke mos i takuar dhe duke i larguar nga porta kryesore e objektit.


Imami-Dokle


Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, gjatë vizitës në Kombinatin Mekanik Ushtarak të Poliçanit deklaroi se ky qytet mbahet nga kombinati. “Në qoftë se nga 124 punonjës që ka qenë personeli para tre vjetësh, sot është 390, kjo është për shkak se këmbëngulja e Ministrisë dhe e imja personale ka qenë që të jetë kështu, ashtu sikurse dhe e juaja në qytetin tuaj”, është shprehur Imami. Më tej, ai vazhdoi sulmin ndaj deputetit Braçe. “Me thënë të drejtën unë nuk mendoj se z. Braçe nuk i do qytetarët e Beratit, nuk mendoj se z. Braçe nuk do që të prodhohet në Poliçan, dhe që ky kombinat dhe ky qytet të ketë të ardhme. Unë do t’i lutesha z. Braçe të lërë mënjanë zemërimin, do t’i lutesha sinqerisht se zemërimi dhe urrejtja nuk e ndihmon të shoh gjërat drejtpërsëdrejti ashtu siç janë. Si ka mundësi që një deputet që ka kaq vite në Parlament dhe që është i shkolluar në këtë fushë të bëjë gabime të tilla, të thotë që ky kombinat që është krijuar vite më përpara për prodhim, nuk mund të prodhojë dhe nuk duhet të prodhojë se nuk ka licencë, për më tepër që është i licencuar. Pra këto gabime vijnë sepse z. Braçe nuk do që ta shohë realitetin në sy, sepse e ka pushtuar urrejtja, se ashtu siç gënjen hapur për çmimet e shitjes së mortajave, siç gënjen hapur për shitjen e TNT e kështu me radhë. Z. Braçe ka një shans t’u kërkojë falje qytetarëve në Poliçan. Është i lutur të vijë këtu, duke i vënë në dispozicion gjithçka, është i lutur ai dhe të tjerë që të mos e përkthejnë si një tension politik me Bashkinë e Poliçanit. Bashkia e Poliçanit ka detyrat e saj dhe kombinati ka detyrat e tij. Duhet të kuptoni që 400 familje të Poliçanit ushqehen me këtë kombinat”, tha Imami.


Nga ana tjetër ka ardhur reagimi i deputetit socialist, Namik Dokle, i cili shoqërohej nga dy deputetët e Beratit, Fidel Ylli dhe Ermonela Felaj. “Absolutisht nuk ka asgjë të vërtetë në këtë deklarim të këtyre përfaqësuesve gënjeshtarë e mashtrues të qeverisë, sepse deklaratat e sugjerimet e deputetëve të PS-së, qoftë të deputetit Braçe, apo të deputetit Fidel Ylli, janë në mbrojtje të interesave të qytetit të Poliçanit, këtyre njerëzve të këtij qytetit. Poliçani dhe kombinati i tij janë pasqyra më e qartë e shkatërrimit ekonomik dhe social që Sali Berisha e qeveria e tij i bëjnë, jo thjesht Poliçanit, por gjithë Shqipërisë. Shkatërrohen kombinate, shkatërrohet bujqësia ekonomia, vetëm e vetëm për t’u pasuruar Sali Berisha e klani i tij ministror”, tha Dokle. Sipas tij, vizita e tyre në një ditë me ministrin Imami është për të thënë se ai nuk pranoi të takonte ish-punëtorët, që e ngritën këtë kombinat. “Një pjesë e tyre kanë punuar më shumë se 30 vjet në atë kombinat, ndërsa sot janë të zëvendësuar me njerëz alifmatrak, të cilët nuk dinë se ç’është puna në këtë kombinat. Që në 2010-n, këta punëtorë i kanë dërguar letër Sali Berishës edhe ministrave të veçantë, por nuk kanë marrë ndonjë përgjigje. Janë mbi 56 punëtorë të dëbuar, pa asnjë arsye. Ata vijnë këtu me helikopter, marrin me vete disa kamera të televizioneve që i paguajnë vetë me reklamat, shkojnë në Tiranë dhe mashtrojnë shqiptarët me propagandën e tyre”, deklaroi Namik Dokle.


Drejtori-bashkia


Por, veç deklaratave mes Dokles dhe Imamit, përplasje ka pasur edhe mes deklaratave të drejtorit të kombinatit, Lulzim Gojka, dhe kryebashkiakut, Adriatik Zotka. Drejtori i kombinatit, Lulzim Gojka ka informuar mbi punën dhe arritjet e shënuara nga punonjësit e kombinatit në procesin e demontimit të municioneve të tepërta, por ka pranuar që ka pasur vonesa në paga. “Uzina jonë”, theksoi ai, “është uzinë e vjetër nga pikëpamja e krijimit, megjithatë me ndihmën edhe të Ministrisë së Mbrojtjes ne kemi mundur të mbijetojmë dhe të mbajmë të ngritur aktivitetin tonë, duke u përqendruar në procesin e demontimit të municioneve të tepërta”. Më tej ai theksoi se disponohet dokumentacion i plotë ligjor, që nga regjistrimi i uzinës në QKR. “Këtu nuk punohet pa ligj dhe pa rregulla, por punohet në bazë të programeve, urdhrave dhe të gjitha kontratave të cilat kanë mbështetje të plotë financiare”, ka nënvizuar Gojka.


Nga ana tjetër ka ardhur përgjigjja e kreut të bashkisë, Adriatik Zotka,  i cili ka folur në emër të komunitetit, për t’i dhënë përgjigje, sipas tij, ministrit të shkatërrimit dhe jo të mbrojtjes. “Është e vetmja pasuri që ka ky. Kjo është e vetmja qeveri dhe i vetmi ministër që shkatërron këtë kombinat, duke shitur makineri torno-freza, të cilat janë në gjendje për punë. Ajo që është për t’u çuditur është se ky ministër para tetë muajsh ka rikonstruktuar dhe financuar për këtë kombinat, ndërsa sot nxjerr ruspën, duke shkatërruar gjithë objektet dhe perspektivën e qytetit”, deklaroi Zotka. Ndërsa për të punësuarit, ai është shprehur se as 30 për qind e punonjësve nuk janë nga Poliçani, pasi pjesa dërmuese janë nga Çorovoda, Berati, apo fshatrat, të cilët janë përdorur për fushatën elektorale.


“Është uzinë e vjetër nga pikëpamja e krijimit, megjithatë me ndihmën edhe të Ministrisë së Mbrojtjes ne kemi mundur të mbijetojmë dhe të mbajmë të ngritur aktivitetin tonë, duke u përqendruar në procesin e demontimit të municioneve të tepërta”