ARTAN LAME
Sa më shumë i them vetes se nuk ia vlen të bëjmë krahasime me botën, aq më shumë herë pas here nuk shpëtoj dot nga kjo sëmundje. Në fakt, krahasimi duhej të ishte gjë e mirë, pasi përmes krahasimeve do të duhej të shihnim ku jemi, çfarë duhet të ndryshojmë e sa rrugë na duhet të bëjmë. Mirëpo krahasimet kanë dy kushte themeltare që të funksionojnë: e para, duhet që të paktën të ekzistojë vullneti për t’i ndryshuar gjërat; dhe, e dyta duhet të ekzistojë bazën e asaj çdo të krahasosh, se nuk mund të vësh në kandar gjëra që as nuk i ke fare. Më ngjan se midis shqiptarëve mungojnë të dyja, edhe kandari edhe kandarxhiu, ndaj ndodh që shumica e krahasimeve që bëjmë të jenë fare pa sens dhe të mos sjellin asnjë lloj ndryshimi të gjërave.
Që t’i lëmë teoritë, pasi u përpoqëm për 6 muaj rresht për të shpëtuar nga barbarët Parkun e Pallatit të Brigadave, në fund e humbëm luftën. Barbarët fituan dhe rrethimi i parkut historik u shkatërrua, me sebepin e zgjerimit të një rruge.
Para disa ditësh, që përtej oqeanit mbërrin një lajm, sipas së cilit në Teksas ishte bllokuar vazhdimi i ndërtimit të një autostrade të re, pasi në terrenin ku do të kalonte autostrada, ishte zbuluar foleja e një …merimange, e cila në vitin 2000 ishte shpallur në rrezik zhdukjeje. Nuk është sajim apo fantazi, mjafton të hyni në “Google” me fjalëkërkimi “Texas spider highway” dhe do t’ju dalin me dhjetëra njoftime dhe artikuj rreth këtij rasti. Nuk është as ekzagjerim i imi, s’bëhet fjalë për ndonjë marsian as për ndonjë dinozaur apo ari, madje as për ndonjë koloni insektesh, por vetëm për një ekzemplar të vetëm të kësaj merimange, që po hante një mizë në qejf të vet në atë vend dhe kjo mjaftoi të bllokohej autostrada me një kosto dëmi 15 milion USD.
Tani, funksionarët e Shërbimit Federal të Natyrës dhe ata të Administratës Kombëtare të Autostradave, po diskutojnë se ku duhet të spostohet autostrada për të mos shqetësuar merimangën teksa do të vazhdojë të hajë miza pa ia ditur për nder askujt. Vetë zbulimi i merimangës së rrallë nuk ishte bërë nga funksionarë shtetërorë, por nga disa vullnetarë ambientalistë, të cilët, duke ditur se përpara 30 vjetësh në atë zonë ishte parë një tjetër ekzemplar i merimangës së rrallë, kishin kohë që po ndiqnin avancimin e punimeve duke survejuar terrenin.
I mbetur gojëhapur para këtij lajmi, nuk guxoj të bëj krahasim, por thjesht përpiqem që duke u sforcuar të kuptoj ç’ndodh.
Po mirë, po këta ambientalistët nuk kishin punë tjetër, por të zvarriteshin nëpër gurë për të zbuluar mizat e dherit? Dhe e bënin këtë punë ashtu për qejf, jo se kishin kapur ndonjë projekt të BE-së apo se u kishte thënë ambasadori amerikan “act now“. Po atëherë pse dreqin e bënin? Është e pamundur t’i shpjegosh një shqiptari diçka që bëhet pa pará. Ç’dreq qejfi qenka ky? Qejf është të shkosh në kazino, të blesh makinë të shtrenjtë, të hash sa të të dalë nga sytë duke dëgjuar tallava, e jo të gjurmosh merimangat nëpër pluhur!
Po kur zvarriteshin ashtu nëpër diell këta ambientalistët, a nuk i qeshën dhe tallën kalamajtë e lagjes, që luanin bilardo aty pranë. Apo më tej akoma, a nuk i ndaloi pronari i truallit e t’u thosh: “Çuna, ça kërkoni aty ju? Hec ikni, se ësht’ tokë me pronar, na leni të punojmë”. Këtu te ne ka dalë edhe deti me pronar e jo më toka që s’ka mbetur më pëllëmbë pa një pronar.
Po pastaj, kur ata e zbuluan merimangën e rrallë, a nuk ju shkoi pronari i firmës së ndërtimit e t’u vinte drunë: “Ore spurdhjakë, unë kam lënë leshtë për ta marrë këtë tender, ju doni që të ma çoni për lesh! Zhdukuni se po ju pashë prapë këtu do t’ju zhduk nga faqja e dheut”. Pastaj, pas këtij kërcënimi normal, bosi i firmës thjesht do ta shtypte merimangën me majën e këpucës dhe … filmi mbaroi. Ashtu siç bëjnë në Durrës pronarët e trojeve që, kur shohin se gjatë hapjes së themeleve u dalin rrënoja antike, i zhdukin me matrapik për gjithë natën dhe vazhdojnë ndërtimin serbes.
Po pastaj, kur këta çunat shkuan në Shërbimin Federal të Natyrës për të dhënë lajmin e zbulimit të rrallë, a nuk ju thanë atje: “Varjani kësaj pune, s’po vijmë se kemi punë”. Dhe, edhe në qoftë se duke bërë uf e puf, këta zyrtarët shkuan ta shohin merimangën, pastaj pasi e panë, a nuk bënë atë që është gjëja më normale, të lajmëronin pra pronarin e firmës së ndërtimit dhe t’i thoshin sa u jepte që të mos hapnin gojë. Është pikërisht ajo që bën Instituti i Monumenteve në Tiranë. Kushdo që fati i keq i ka vendosur një monument kulture në pronën e vet, shkon në Institut, bën një pazar të rregullt, paguan paratë dhe pastaj ata ia heqin monumentin nga lista, ndërsa pronari heq monumentin nga themelet me fadromë.
Po pastaj, ky bosi i firmës së ndërtimit të autostradës, kaq i mbaruar ishte sa nuk njihte njeri që ta mbyllte këtë punë pa u bërë zhurmë. Nuk i vinte turp nga vetja që ishte kaq i pazoti, kaq pa miq e kaq pa njohje? Në Shqipëri të humbasësh një gjyq apo të biesh në burg, nuk është turp se ke bërë një gjë të paligjshme, por se qenke kaq i pazoti sa të mos dish t’ia hedhësh.
Po këta zyrtarët e Administratës Kombëtare të Autostradave, me gjithë mend e kanë që ulen të ndryshojnë projektin për hatër të ca zyrtarëve të Shërbimit Federal të Natyrës. A nuk janë të së njëjtës qeveri, pra edhe të së njëjtës parti. Pse me njëri-tjetrin do të krijojnë probleme ata? Si nuk thanë se nuk mund të bllokojmë zhvillimin për një copë merimangë, ashtu siç thanë barbarët e këtushëm kur shkatërruan parkun e Tiranës për hir të zhvillimit barbarçe.
Pastaj, vetë pronari i firmës, a nuk shkoi t’u thoshte zyrtarëve që të merreshin vesh e të mos krijonin probleme koti. Puna është që edhe unë të punoj se kam hedh lekët, edhe ju bëni sikur bëni sikur e bllokoni ca dit, pastaj e mbyllim kte pun sikur ngordhi ajo dreq merimange dhe të gjith dalim të larë. Me ata çunat e mjedisit flas un dhe, po s’ikën me të mir, ju çoj pronarin e truallit, se edhe ai ësht nxef se i ka marr paret e truallit dhe, po u spostu rruga duhet me i kthy mbrapsht.
Po këta gazetarët kaq pa punë paskan qenë ato ditë sa të merreshin me një merimangë që po hante miza në një cep të Teksasit. Nuk kishin lajme prej vërteti që ia vlejnë për të mbushur gazetat të llojit: burri vrau gruan, dashnori vrau dashnoren se e kapi me dashnorin, ministri shiti ministrinë, vëllai vrau vëllain për vijën e ujit, u dogj pylli, u aksidentua autobusi, u hodh në erë ujësjellësi, u helmua uji, u shemb ura. Kaq i mbaruar qenka Teksasi sa të katandisin gazetarët të merren me një merimangë.
Në fund të leximit, jam i bindur se më të shumtit do të thonë me vete se humbën kohë kot duke lexuar për një punë merimange. Po pra, pikërisht se po e quani dava merimange, them se as që ia vlen t’i hyjmë qederit për të bërë krahasime me botën.
Le që se mos lëvizët kur nuk ishte punë merimange, se mos lëvizët kur u shkatërrua parku i Pallatit të Brigadave bash në të njëjtën situatë si kjo e merimangës së Teksasit, se mos lëvizët kur u prenë pyjet jo për t’u pasuruar gjithë shqiptarët, por veç ca kryetarë barkderrë komunash, kur u mbushën malet me gurore që të pasurohen ca të tjerë barkderra inspektorë mjedisi, kur u thanë lumenjtë për të bërë centrale ca të tjerë qokallinj partie, kur u zhvat deti e nëndeti, madje as kur u shit deti nuk lëvizët.