Në daljen e tij të parë publike për mediat pas vizitës së fundit në Greqi, ministri i Jashtëm, Edmond Panariti e vlerësoi sit ë suksesshme këtë vizitë, e cila sipas tij ishte produktive për marrëdhëniet me dy vendeve tona. Panariti u ndal veçanërisht në bisedimet lidhur me marrëveshjen e ujërave me vendin fqinj, e kontestuar kjo nga ana e opozitës dhe shoqërisë civile në vendin tonë, për të cilën tha se ka marrë garanci nga shteti grek se ajo do të zgjidhet në përputhje me ligjet dhe kushtetutën e vendit.


Panariti deklaroi se nuk mund të flitet më për marrëveshjen e vjetër të ujarëve, pasi ajo sipas tij nuk do të merret më në konsideratë dhe do të rinegociohet, madje edhe pala greke, sipas ministrit, nuk ka avancuar në shqyrtimin e kësaj marrëveshjeje. Sipas ministrit të Jashtëm, gjatë vizitës së tij në Greqi ai ka bërë të qartë se do të ketë një marrëveshje të re për detin, që të mos jetë e kontestueshme, siç ndodhi me marrëveshjen e parë dhe të nënshkruhet vetëm në bazë të kushtetutës dhe ligjeve ndërkombëtare.


“Për ne nuk ekziston një marrëveshje për detin, duhet të punojmë së bashku për të nisur negociatat për një marrëveshje të re. Ky problem duhet të adresohet vetëm në frymën e Kushtetutës së vendit dhe ligjeve ndërkombëtare. Duhet të jetë një marrëveshje e qëndrueshme”, – tha Panariti.


Ai ka përmendur më tej edhe çështje të tjera të rëndësishme të ngritura gjatë bisedimeve me palën greke, siç është çështja e çamëve apo ajo e emigrantëve dhe lehtësirave lidhur me jetesën e tyre në vendin fqinj.

6 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)