Përballja
Dy ekipet do të ndeshen sot në javën e gjashtë të Kategorisë së Parë
Për herë të parë në historinë e futbollit shqiptar, derbi historik Partizani–Dinamo, nuk i përket më futbollit të elitës. Dy skuadra, që së bashku numërojnë 33 tituj kampionë, gati gjysmën e trofeve të kompeticionit elitar shqiptar, do të sfidojnë njëra-tjetrën në një nivel më të ulët, pikërisht në javën e 6 të kategorisë së parë. Edhe ky derbi, sikurse Partizani-Tirana, rikthehet pas më shumë se 3 vjetësh, pasi të kuqtë që nga sezoni 2008-2009 luajnë në kategoritë e ulëta, ndërsa blutë nuk mundën të bënin asgjë për t’i shpëtuar rënies nga superiorja në fund të sezonit të shkuar. Partizani–Dinamo, që sigurisht nuk vjen me cilësinë e dikurshme, do të luhet në “Selman Stërmasi” në orën 15:00, dhe pritet të tërheqë një numër të konsideruar tifozësh.
Të dyja skuadrat, që të paktën nga ajo çfarë përfaqësojnë mbeten pretendente për t’u ngjitur në superiore, nuk kanë bërë një nisje të mirë të sezonit, çka tregohet edhe nga pozitat e tyre në tabelën e renditjes. Partizani ka arritur tri fitore dhe dy humbje në pesë javët e para dhe mban vendin e pestë, ndërsa Dinamo pozicionohet në vendin e shtatë me një pikë më pak, me dy fitore, dy barazime dhe një humbje. Kategoria e parë momentalisht kryesohet nga Lushnja, që ka grumbulluar 12 pikë në pesë javët e para, ndërsa vendi i dytë, që siguron gjithashtu ngjitjen në superiore mbahet nga Iliria e Fushë-Krujës.
ss