Krimi në familje ka shënuar viktimën e radhës në kryeqytet. Mbrëmjen e sotme një 36-vjeçare është therur me thikë nga bashkëshorti i saj, i cili më pas është dorëzuar në polici. Mësohet se gruaja kishte depozituar në gjykatë kërkesën për divorc dhe çifti po kryente procedurat e shkurorëzimit. Episodet e shpeshta të dhunës,e kishin detyruar 36-vjeçaren Rolanda Doku, të kërkonte ndihmë nga institucionet ligjvënëse. Ajo kishte përfituar një urdhër mbrojtjeje nga gjykata, por nuk ka mundur t’i shpëtojë dhunës së babait të fëmijëve të saj.


Mbrëmjen e sotme, rreth orës 20:00, Edmond Doku, 45 vjeç, ka shkuar në shtëpinë ku banonte 36-vjeçarja, në një pallat të ri, në zonën e Laprakës. Paraprakisht mësohet se Doku në gjendje të dehur, pas një grindjeje të radhës me bashkëshorten, e ka qëlluar disa herë me thikë. Gruaja është transportuar me urgjencë për në Spitalin Ushtarak, por nuk ka mundur ti mbijetojë plagëve të thella. Ajo ka ndërruar jetë brenda pak minutash pasi ka mbërritur në urgjencë.


Ndërkohë policia ka deklaruar se ka arrestuar autorin e dyshuar të ngjarjes, i cili nuk ka bërë rezistencë në momentin e ndalimit. Policia bën të ditur se Rolanda Dokut i kishte përfunduar afati i urdhrit të mbrojtjes prej pak ditësh, çka dyshohet se është shfrytëzuar nga 45-vjeçari.


6 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)