Raporti – OSBE: Mungesa e demilitarizmit mund të sjellë trafikimin


Zyra e OSBE-së në Shqipëri, e drejtuar nga Eugen Wollfarth, dyshon se mosçmilitarizimi i armëve të lehta mund të sjellë trafikimin e tyre nga autoritetet shqiptare. Pohimi është dhënë i qartë në raportin e këtij institucioni për zhvillimet në Shqipëri, i cili u paraqit katër ditë më parë në zyrën qendrore të OSBE-së në Vjenë. “Asgjësimi i lëndëve kimike dhe shkatërrimi i armëve të vogla dhe të lehta (AVL) mbetet një shqetësim. Një numër shumë i konsiderueshëm, por deri më tani ende i panjohur AVL-sh, duhet çmilitarizuar, me rrezikun që këto armë mund të keqpërdoren apo të trafikohen”, theksohet në raportin e paraqitur nga Wollfarth në kapitullin mbi procesin e asgjësimit të armëve të vjetra në vend. I akuzuar nga opozita në lidhje me trafikun e armëve, ministri Imami ka hedhur poshtë të gjitha akuzat. Në mesin e muajit korrik, Imami theksoi përpara anëtarëve të Komisionit të Sigurisë Kombëtare, se në vend nuk mund të bëhet trafik armësh. “Nuk mund të ketë trafik. Unë i raportoj Kryetares së Parlamentit, Kryeministrit dhe Presidentit për çështjet tregtare. Kjo është rruga që ndiqet dhe unë zbatoj ligjin”, argumentoi Imami. Në krah të tij doli dhe Kryeministri Berisha, i cili i konsideroi shpifje akuzat e opozitës për trafik armësh, duke theksuar se Shqipëria nuk ka trafikuar asnjë fishek dhe se akuzat e opozitës janë vetëm trillime.


Çmilitarizimi – Raporti i OSBE-së është mjaft kritik edhe për procesin e çmilitarizimit në vend. Pavarësisht se në të theksohet se vetëm gjatë këtij viti janë demontuar një sasi prej 26 mijë tonë municionesh, fitimet e përfituara nga ky proces nuk janë futur në skemën e vijimit të çmilitarizimit në ushtri. “Sa i përket çmilitarizimit, qeveria nisi një plan veprimi, në 2008-n, për të përfunduar procesin për të gjitha municionet konvencionale të tepërta deri më 2013-n. Një sasi shtesë prej 26 000 tonësh u shkatërrua në 2012-n. Pajisjet dhe skrapi të dala nga ky proces janë shitur dhe një sasi municionesh konvencionale të tepërta është eksportuar, megjithëse nuk duket se të gjitha të ardhurat e përfituara janë futur prapë në sistem për të financuar vazhdimin e procesit të çmilitarizimit”, thekson raporti zyrtar i OSBE-së.


 


Analiza


Ministria e Mbrojtjes thekson se janë demontuar 72861 tonë në drejtimin e Imamit


Bursa – Në tregun ndërkombëtar, çmimi i tunxhit me të cilin përbëhen predhat shkon në 6 mijë dollarë për ton


A është demontimi një biznes me fitim? Para 15 marsit 2008 u vërtetua se gjërat shkonin mirë për kompanitë që merreshin me ndarjen e metaleve dhe barotit nga predhat e këmbësorisë dhe artilerisë, duke shitur pjesët përbërëse. Por pas Gërdecit, gjithçka u përqendrua në uzinat e specializuara shtetërore, siç kishte ndodhur para vitit 2005. Pra në ULP Mjekës,(Elbasan) KM Poliçan(Skrapar) dhe UM Gramsh. Në këto ndërmarrje publike bëhet demontimi i municioneve që janë, mina, predha apo fishekë. Po Skrapi? Nuk ka asnjë të dhënë nga Ministria e Mbrojtjes për këtë zë shumë të rëndësishëm të tregut, ku në bursën e metaleve, lënda me të cilën përbëhen municionet luftarake cilësohet si material i shtrenjtë. Konkretisht tunxhi, metali i predhave luftarake ka një çmim prej 6 mijë dollarë amerikanë për ton. Po si ka shkuar kjo tregti nga Ministria e Mbrojtjes. Nuk ka të dhënë konkrete. Po të marrim të dhënat zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes, vetëm në 6-mujorin e parë të vitit 2012, janë çmilitarizuar gjithsej 13,092 tonë municione. Nga të cilat: 2621 tonë janë shitur si municion i gatshëm nga ndërmarrja e specializuar e Ministrisë së Mbrojtjes-MEICO. Ndërkaq, 2934 tonë janë asgjësuar në poligone speciale. Për këtë proces nuk ka shumë të dhëna ç’bëhet me metalet. Gjithsesi, 2707 tonë janë përpunuar në Mjekës, 3695 janë demontuar në Uzinën e Poliçanit dhe 1134 tonë janë demontuar në Uzinën e Gramshit. Pra gjithsej 7536 tonë materiale luftarake, ku hyn tuxhi me të cilin përbëhen predhat dhe barutit. Duke i zbritur mesataren e pranuar nga specialistët 6 mijë tonë i përkasin metalit tunxh. I përballur me çmimin ndërkombëtar të metalit, pra 6 mijë dollarë amerikanë për ton i bie që me shitjen e skrapit të përfitohen 3 milionë e 600 mijë USD. Vetëm në 6 muaj. Po sa është buxheti që tri uzinat shtetërore harxhojnë apo kanë si kosto? Vetë zv.ministri i Mbrojtjes, Ekrem Spahiu, deklaroi në një konferencë shtypi pak muaj më parë se “Në zbatim të marrëveshjes së nënshkruar me Agjencinë për Mbështetje të NATO-s (NAMSA ndryshuar NSPA), financimi i kostos së demontimit të municioneve në ULP Mjekës, gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2012, është mbuluar kryesisht nga NAMSA me fondet e Departamentit të Shtetit të SHBA dhe pjesërisht me fondet e buxhetit të shtetit. Gjithashtu, në bashkëpunim me UNDP, Fondin Ndërkombëtar të Besimit (ITF) dhe Departamentin e Shtetit të SHBA-së, vijon procesi i pastrimit dhe rehabilitimit të zonës në Gërdec, si dhe ka përfunduar pastrimi i dy zonave të kontaminuara në vitin 1997 me municione të paplasura në Gjeroven-Berat dhe Ura Gjadrit-Shkodër. Ndërkohë, në mbledhjen e Bordit Drejtues të Asgjësimit të Municioneve të tepërta, u dhanë shifra edhe më të avancuara. Në 9 muaj të këtij vitit, pra të vitit 2012 është “demilitarizuar 19 mijë e 55 tonë municione të tepërta, në një kohë që në 9-mujorin e vitit 2010 ka qenë 14 mijë 291 tonë dhe në 9-mujorin e vitit 2011 18 mijë e 851 tonë”.Bordi ka dhënë një shifër përmbledhëse të drejtimit të Arben Imamit në krye të Ministrisë së Mbrojtjes. “Që nga shtatori i vitit 2009, ku ka ardhur në krye të Ministrisë së Mbrojtjes, z. Arben Imami, janë demilitarizuar 72 mijë e 861 tonë”, theksoi Ekrem Spahiu. Po sa janë shitur dhe sa janë groposur,(metalet nuk zhduken megjithatë). Nëse kësaj shifre i shumëzon çmimin 6 mijë për ton që ka tunxhi, shuma arrin 437 milionë e 166 mijë dollarë. Por me fitimin përkatës që ofrojnë ekspertët mund të shkohet në 300 milionë dollarë. Por le të rrimë në shifrat zyrtare. Nëse brenda vitit 2012 nga shitja e skrapit mund të përfitohet më shumë se 3 milionë dollarë, atëherë sa është buxheti total i kësaj industrie? Sipas burimeve, biznesin e shitjes së skrapit të municioneve luftarake e kryen MEICO. Por nuk ka asnjë të dhënë zyrtare ë këtij biznesi, ndërkohë që për shitjen e armëve dhe municioneve ka të dhëna. Në këtë analizë, padyshim nuk është marrë për bazë baroti, por vetëm metali që përbën predhat pra tunxhi. Një operacion që padyshim kërkon transparencë, duke marrë për bazë se katastrofa e Gërdecit pati si pikënisje pikërisht biznesin e skrapit të municioneve luftarake…