Rreth 500 mercenarë mbeten pa paga dhe harrohen në Somali
Në fillim ishte një ide e thjeshtë: kaosi i Somalisë mund të zgjidhet duke krijuar një forcë ushtarake të mirëpajisur dhe shumë të aftë për të mposhtur piratët që terrorizonin anijet në rrugën detare shumë të rëndësishme të brigjeve të Afrikës. Por krijimi i kësaj trupe që duhej të vepronte në krahinën Putland të Somalisë, nuk ishte në fakt kaq e thjeshtë. Disa dhjetëra mercenarë nga Afrika e Jugut u punësuan nga një firmë sigurie që përdori miliona dollarë pagesa sekrete nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Operacioni përfshiu një ish-oficer të fshehtë të CIA-s. Në thelb, NYT raporton se bëhej fjalë për një ushtri private të angazhuar në një luftë private. Luftërat private nuk janë gjë e re në historinë e botës. India p.sh., u pushtua nga një ushtri private prej Anglisë. Por në këtë rast, SHBA-ja dhe vendet e tjera duket se po përdorin trupa mercenare në vend që të dërgojnë ushtarët e tyre për të luftuar piratët dhe gjithnjë e më shumë, militantët islamikë.
Por ushtria kundër piratëve tashmë është braktisur nga donatorët e vet dhe disa qindra luftëtarë mercenarë janë lënë të gjejnë zgjidhje për veten në Somali. Zgjidhjet që ata kanë janë të rrezikshme. Ata mund të bashkohen me piratët apo me militantët islamikë, ose më saktë, atyre që ofrojnë pagesa më të larta për shërbimet e tyre. Një hetim nga OKB-ja e përshkroi përpjekjen për të krijuar ushtrinë private si një “shkelje në shkallë të gjerë dhe për një periudhë të gjatë” të embargos së armëve të vendosur mbi Somalinë. Kompania përgjegjëse për këtë e ka emrin “Sterling” dhe bazën e ka në Dubai. Ajo është akuzuar se gjatë stërvitjes së mercenarëve të saj, një rekrut u torturua dhe vdiq nga mbikëqyrësit e tij, akuzë që kompania e mohon. Kompania paguhet nga Emiratet e Bashkuara Arabe, e cila ka interesa për zhdukjen e piraterisë në këtë zonë dhe rrjedhimisht pagoi fillimisht disa milionë dollarë te “Sterling” për të organizuar ushtrinë private. SHBA-ja ka deklaruar zyrtarisht se nuk e ka mbështetur këtë nismë, por dihet se CIA po trajnon një forcë të quajtur Inteligjenca e Krahinës Putland, shërbimet sekrete të krahinës autonome.
Por tani vlerësohet se rreth 500 ushtarë të grupimit kundër piraterisë kanë mbetur disa javë pa rroga dhe po sorollaten në kampin e vet në Somali. Ata janë të armatosur rëndë. Pyetja që shtrohet tani është se kush do ta kontrollojë këtë forcë të armatosur, të krijuar nga interesat tregtare dhe me nismë nga kompani private.