Amnistia për 100 vjetorin, mund të lirohen 500 të burgosur

Lirimet

500 “kriminelë” në rrugë për zgjedhje?

Skenari që po përgatitet, duket se është i frikshëm, ku rreth 500 të burgosur, pritet të lirohen nga burgu. Disa do të mbajnë firmën e Kuvendit dhe disa të tjerë, të Presidentit. Të gjitha lirimet duket se po bëhen në vitin zgjedhor

Datat

Falja për festat e fundvitit?

Falja apo ulja e dënimit për të burgosurit nuk ka një datë fikse, nuk lidhet me festat e fundvitit, por është një proces vazhdues. Datën e aplikimit të kësaj të drejte e përcakton vetë Presidenti. Ministria i përgjigjet kërkesës së Presidentit.

Festat e fundvitit, Nishani nis procedurën për faljen dhe uljen e dënimit për të burgosurit

Ministria e Drejtësisë dhe Burgjet: Drejt Presidencës janë nisur 250 dosje

Sokol Çobo

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka nisur procedurat për faljet e të burgosurve, me rastin e festave të fundvitit, krahas amnistisë që po përgatit mazhoranca. Megjithatë, lirimi dhe ulja e dënimit për disa të burgosur mund të bëhet edhe gjatë festës për kremtimin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, pasi ligji përcakton se “falja mund të realizohet në çdo kohë”. Lajmi bëhet i ditur nga burgime pranë Ministrisë së Drejtësisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, të cilat pohojnë se janë përgatitur rreth 250 dosje që pritet t’i dërgohen Presidentit të Republikës. Gazeta “Shqip” komunikoi me disa zyrtarë të Presidencës, të cilët, as nuk e mohuan dhe as nuk e pohuan lajmin, duke u mjaftuar me fjalinë se “këto janë procedura normale të punës së Presidentit”.

250 dosje

Burime nga Ministria e Drejtësisë pohojnë se janë përgatitur rreth 250 dosje që pritet t’i kalojnë Presidentit të Republikës për falje apo ulje dënimi. “Sipas ligjit të faljeve, i miratuar në vitin 2010 nga Kuvendi, të drejtën ekskluzive për faljet e ka Presidenti i Republikës. Megjithatë, kërkesat dhe dosjet i përgatit Ministria e Drejtësisë”, pohojnë burimet, duke shtuar se pas konfliktit me ish-presidentin Topi, në vitet 2010 e 2011 nuk pati asnjë dekret për faljen e të burgosurve apo ulje dënimi. Tashmë, kur në krye të shtetit është zgjedhur Bujar Nishani, ish-ministër i Brendshëm dhe i Drejtësisë, kanë nisur procedurat, duke u bazuar te ligji i faljeve dhe mund të përfitojnë qindra të dënuar.

“Procedurat janë ndjekur me rigorozitet për çdo kërkesë që ka mbërritur në Ministrinë e Drejtësisë. Kanë qenë më shumë se 1000 kërkesa për falje dhe ulje dënimi, qindra prej tyre të mbartura nga viti 2011, kur ish-presidenti Topi vendosi të mos kryejë falje, pas disa përplasjeve me ministrinë”, pohojnë burimet, të cilat shtojnë se është një numër i vogël zyrtarësh që kanë dijeni për emrat e personave që pritet të falen nga Presidenti.

Ende nuk ka asnjë informacion se kush përfiton, megjithëse precedentët e mëparshëm kanë treguar se janë liruar nga burgu një numër i madh personash të dënuar për vepra të rënda penale. Duke qenë se jemi në vitin zgjedhor, vëmendje të madhe do të kenë amnistia dhe falja për të burgosurit. Koha e ka treguar se në çdo vit kur bëhen zgjedhje lirohen apo fitojnë pafajësi persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Gazeta “Shqip” ka tentuar të marrë informacion në disa institucione, në Drejtorinë e Burgjeve, Ministrinë e Drejtësisë, madje dhe në Presidencë, ku të gjithë të adresojnë te dikush tjetër, pa dashur të japin ndonjë deklaratë zyrtare për këtë procedurë, ndoshta nga frika e eprorëve.

Kush përfiton

Megjithëse institucionet nuk preferojnë të japin informacion se cilët të dënuar do përfitojnë nga kjo falje, burimet pohojnë se pritet të lirohen një numër i madh të dënuarish. Falje do të kërkohet për të dënuarit që janë të sëmurë, shtatzënë apo të mitur. Kreu i shtetit mund të falë ose mund të ulë dënimin për të dënuarit vetëm pasi ka bërë kërkesë Ministria e Drejtësisë. Kjo ministri shqyrton çdo kërkesë të të dënuarve dhe ia përcjell Presidentit për miratim, i cili mbetet autoriteti që mund të falë dënimin. Të burgosurit me dënim të përjetshëm nuk do të jenë të zgjedhshëm, ndërsa ata që kanë kryer krime të rënda do të duhet të kenë bërë një të tretën e dënimit të tyre që të bëjnë kërkesë. Sipas Kushtetutës dhe ligjit, falja është atribut ekskluziv i Presidentit të Republikës, por ajo jepet sipas një procedure të përcaktuar, që ndiqet nga Ministria e Drejtësisë në fazë fillestare dhe më pas i kalon Presidentit për vendimin final. Sipas ligjit, falja është një akt human i jashtëzakonshëm mëshire, me natyrë individuale dhe jepet vetëm në raste jashtëzakonisht specifike, të cilat përcaktohen shumë qartë në ligj. Ministria e Drejtësisë krijon regjistrin e posaçëm, softin përkatës dhe verifikimin e plotë të dokumentacionit për çdo kërkesë. Pas shqyrtimit paraprak të kërkesës, Presidentit i nisen kërkesa e të dënuarit, praktika e kërkesës dhe propozimi i ministrit për pranimin apo refuzimin e saj. Më pas është Presidenti ai që merr vendimin e tij në lidhje me kërkesën e të dënuarit, sipas ligjit përkatës dhe Kushtetutës.

Përplasja

Në vitin 2010 dhe 2011, ish-presidenti Bamir Topi, kundërshtoi indirekt ligjin për faljet. Ai nuk i dekretoi disa kërkesa për faljen dhe uljen e dënimit për disa të burgosur

Faljet ndër vite

Amnistitë dhe faljet kanë liruar vrasës, fajdexhi dhe anëtarë bandash

Amnistitë dhe faljet për të dënuarit, por dhe për personat nën hetim, pas viteve ‘90, kanë liruar nga burgu vrasës, fajdexhi e anëtarë bandash. Duke u kthyer pas në kohë, amnistitë e para në demokraci janë shënuar në vitin 1992, ku u liruan nga burgu të dënuarit për krime politike. Kjo është e vetmja amnisti që i ka shërbyer popullatës, pasi la në burg vrasësit dhe grabitësit. Amnistitë e tjera të dhëna ndër vite, janë realizuar në vitet zgjedhore, madje janë liruar persona të rrezikshëm kriminalë dhe “shërbëtorë” të pushtetit, të cilët i kanë ndihmuar më pas në fushatat elektorale.

Amnisti ka pasur edhe në vitin 1997, ku dolën nga burgu një numër i madh personash, madje edhe vrasës e grabitës.

Në amnistinë e vitit 2002 përfituan të dënuarit dhe të hetuarit që terrorizuan vendin gjatë viteve ‘97-‘98, ndërsa amnistia e vitit 2007 liroi nga burgu krerët e firmave piramidale. Dolën nga burgu personat mbi 65 vjeç.

Ndërkohë, faljet e dhëna nga presidentët kanë nxjerrë nga burgu vrasës dhe anëtarë të bandave kriminale, duke përmendur të arrestuarit për vrasjet dhe grabitjet seriale në Tiranë.

Autor te 7 Tetor 2012. Kryesoret, Politikë. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry