Thika së shoqes


Urdhri i mbrojtjes nuk solli masa parandaluese për gruan e dhunuar nga i shoqi


Denoncimet e bëra në polici për dhunë në familje nuk e kanë ndaluar një 44-vjeçar të vrasë mizorisht gruan e tij, me të cilën ishte në proces divorci. Ngjarja tragjike ka ndodhur mbrëmë në zonën e Laprakës në Tiranë, ndërkohë që policia ka arrestuar autorin e krimit të rëndë brenda familjes. Gjithçka ka ndodhur në momentin kur bashkëshorti Edmond Doku, 44 vjeç, ka shkuar në shtëpi, ku sipas banorëve ishte në gjendje të dehur. Aty ka filluar të keqtrajtojë bashkëshorten e tij, Rolandën, 36 vjeçe, ashtu siç kishte vepruar edhe më parë, veprim për të cilin, ishte lëshuar edhe një urdhër-mbrojtje nga gjykata, por që nuk ishte vendosur të mbrohej me policë.


Vrasja mizore


Në konfliktin e djeshëm, gruaja mendohet se ka dashur të njoftojë policinë për dhunën e ushtruar ndaj saj, por në atë kohë, 44-vjeçari ka marrë thikën në kuzhinë dhe e ka qëlluar të shoqen disa herë, duke i shkaktuar shumë plagë. Menjëherë janë afruar fqinjët për t’i dhënë ndihmën e parë së plagosurës, ndërkohë që është njoftuar policia dhe ambulanca. Por, kjo e fundit nuk ka qenë edhe aq e shpejtë për rastin urgjent, pasi është vonuar më shumë se 20 minuta për të mbërritur në vendin e ngjarjes, me qëllim për t’i shpëtuar jetën 36-vjeçares. Policia tha se ajo ndërroi jetë në Spitalin Ushtarak për shkak të plagëve të shumta dhe humbjes së gjakut. Menjëherë pas krimit, policia ka mundur të arrestojë autorin e krimit, i cili dallohej qartë se ishte në gjendje të dehur dhe bashkë me të, është sekuestruar edhe thika e vrasjes. Nga hetimet paraprake mësohet se çifti Doku ishte në prag divorci. Ata ishin regjistruar në gjykatë për t’u divorcuar, dhe madje gruaja sapo kishte fituar urdhrin e mbrojtjes, por që nuk ishte lënë asnjë polic për ta ruajtur nga kërcënimet dhe dhuna e bashkëshortit.


Urdhri i mbrojtjes


Katër ditë më parë, Gjykata e Tiranës ka lëshuar urdhër-mbrojtje për Rolanda Dokun, duke urdhëruar Edmondin t’i qëndrojë larg, ndërsa një kopje e vendimit i është dërguar edhe Komisariatit të Policisë Nr. 3. Në vendimin e gjykatës, një kopje e të cilit disponon edhe gazeta “Shqip”, kërkuese ishte 36-vjeçarja, nëna e një djali 10-vjeçar. Ajo ka treguar para gjyqtares Elona Gjoka se dhunohej sistematikisht nga bashkëshorti. Në gjykatë, viktima e djeshme, ka pohuar se: Bashkëshorti im më dhunon edhe fizikisht, edhe psikologjikisht. Në muajin gusht, filloi debatet, sherret, më goditi me karrige. Më 6 shtator me gjithë djalin, na vjen në dyqan. Sa dola nga dyqani, duke bërë skena, pa arsye. Nga dyqani deri në shtëpi më kapte nga krahu, bërtiste, pa mendje më goditi në kokë dhe unë rashë pa ndjenja. Kam bërë edhe ekspertizën mjekoligjore. Ndërkohë që më morën të më ndihmonin, më goditi edhe një herë nga mbrapa. Goditi edhe djalin në kokë. Kam bërë edhe një kallëzim penal. Ky person ka 6 vjet pa punë dhe nuk përgjigjet për detyrimet familjare”. Në seancën e datës 2 tetor, u pyet sërish paditësja në lidhje me vazhdimin e urdhrit. Ajo tha se “gjërat pothuajse shkojnë njësoj. Të vazhdojë urdhri i mbrojtjes. S’më ka dhunuar fizikisht, por më ka dhunuar psikologjikisht”. Në seancë ishte edhe autori i vrasjes së djeshme, duke pohuar se: “Ajo mund të thotë çfarë të dojë. S’i kam bërë gjë”. Red. Akt.