Rëndohet gjendja shëndetësore e ish-të përndjekurve politikë që prej 15 ditësh kanë hyrë në grevë urie. Një pjesë e madhe e tyre janë duke iu nënshtruar ndihmës mjekësore në spitalin “Nënë Tereza” në Tiranë, ndërkohë që të tjerë janë rikthyer sërish në ambientet e grevës, një ambient i hapur në zonën e Komunës së Parisit. Ditën e sotme janë larguar nga greva tre grevistë, për shkak të problemeve kardiake.
Disa prej të ngujuarve të urisë kujtojnë dhimbjet që kanë kaluar në kohën e komunizmit dhe burgun e kryer, duke u shprehur se pavarësisht se janë ish të burgosur politikë, nuk janë në një grevë politike, por ekonomike.
“Jemi betuar që do të qëndrojmë deri në fund, do japim edhe jetën. Duam dëmshpërblimin tonë dhe nuk ka lidhje me politikën kjo protestë”, shprehen grevistët.
Ata kanë paralajmëruar zhvillimin e një proteste të hënën paradite, përpara zyrave të Kuvendit duke i kërkuar mbështetje qytetarëve të solidarizohen me ta.
“U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të bashkohen me ne, nuk ka rëndësi se kë parti politike simpatizojnë”, shtojnë ish-të përndjekurit.
Greva e urisë ka hyrë në ditën e pesëmbëdhjetë të saj. Ndërsa qeveria nuk do të negociojë me organizatorët e saj, grevistët nuk pranojnë ta mbyllin këtë grevë urie duke e konsideruar si e vetmja alternativë për marrjen e dëmshpërblimeve që u takon për vitet e burgut.
7 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)