Ministria e Mbrojtjes i është kundërpërgjigjur akuzave të deputetit të Partisë Socialiste, Taulant Balla, për shitjen e pasurisë së paluajtshme të ushtrisë. Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, Edvin Kulluri, në një dalje publike i ka cilësuar dezinformim publik pretendimet e ngritura nga deputeti socialist.
“Ministria e Mbrojtjes nuk shet dhe nuk e ka në tagrin e saj ligjor shitjen e pronave që ka nën administrim. Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, vlerëson se cilat prona duhet të mbeten në Planin e Përhapjes së Forcave të Armatosura, plan ky i miratuar nga Presidenti i Republikës me dekret. Ministri i Mbrojtjes as nuk vendos e as nuk heq prona nga Plani i Përhapjes. Pronat që nuk i nevojiten Forcave të Armatosura në plotësimin e misionit të vet kushtetues, i nënshtrohen procedurave ligjore të tjetërsimit sipas disa prioriteteve ligjore”, ka sqaruar Kulluri. Ai ka sqaruar më tej procedurat që ndiqen nga dikasteri i mbrojtjes, për pronat që ka nën administrim
“Së pari, transferimin e tyre pranë pushtetit lokal ose institucioneve të ndryshme të pushtetit qendror me Vendime të Këshillit të Ministrave, bazuar në kërkesat e tyre, prona këto që përdoren për shkolla, qendra sociale, e shërbim shëndetësor e nevoja të tjera të komunitetit. Numri i pronave të transferuara nga viti 2003 deri në 2012 është 71. Së dyti, një pjesë e pronave të tepërta i kanë kaluar Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për kompensim fizik të pronarëve kur mbi truallin e pronës nuk ka objekte ndërtimore. Ndërkohë që pjesa e mbetur, i kalohen Ministrisë së Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës, e cila është pronare ligjore e pronave shtetërore. METE është organ përgjegjës për drejtimin dhe mbikëqyrjen e procesit të kalimit të pronës shtetërore në pronë private.
Ministria e Financave, nëpërmjet Drejtorisë së Administrimit dhe Shitjes së Pronës Publike është organi përgjegjës për realizimin e procedurave të shitjes së pronës. Ministria e Financave ka raportuar se deri më tani në total janë shitur vetëm 23 prona që kanë qenë në administrim të Ministrisë së Mbrojtjes, nga të cilat 70 për qind e tyre, janë përfituar nga ish pronarët, me të drejtën e parablerjes. Duhet të theksojmë se Ministria e Mbrojtjes nuk vendos çmime për këto prona, por me ligj kjo kompetencë është e Ministrisë së Ekonomisë dhe ekspertëve të licencuar e të pavarura të kontraktuar nga kjo ministri. Pra siç kuptohet, pretendimi se Ministra e Mbrojtjes shet prona përbën dezinformim publik. Padituria e një deputeti për ligjin nuk e bën procesin të ndryshëm nga ç’është”, “, ka thënë Kulluri. Ai ka sqaruar se për sa i përket strehimit të ish-ushtarakëve, ata trajtohen si çdo qytetar tjetër i Republikës së Shqipërisë. “Ministria e Mbrojtjes, në bazë të ligjeve të vendit, nuk ka asnjë detyrim. Për sa i përket strehimit të ushtarakëve në detyrë është hartuar një kuadër i gjerë politikash favorizuese”, ka thënë Kulluri.
7 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)